Në raportimin që Al Jazeera u bën zhvillimeve në Siri thuhet se tanket e regjimit e kapërcyen për herë të parë në katër vite vijën e frontit në betejën për Halepin. Në terren është përshkallëzuar ofensiva për ta marrë lindjen e qytetit, të kontrolluar nga kryengritësit.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, forcat e regjimit dhe ato në mbështetje të tyre kanë përparuar dalëngadalë një ditë më parë, ndërsa në lagjet në duart e kryengritësve është luftuar rrugë më rrugë.
Një burim tjetër foli për të vrarë e të plagosur të martën. Ibrahim Abu Leith, zëdhënësi i Mbrojtjes Civile Siriane në Halep, i deklaroi Al Jazeera-s: “Sot (të martën) ka patur bombardim të madh. Më shumë se 16 civilë u vranë, e më tepër se 32 persona u plagosën. Regjimi po përpiqet të hyjë në lindje nga pika të ndryshme.”
Në të njëjtën kohë që në Halep luftohet pandërprerë, mbështetësit e regjimit sirian, rusët, dërguan në Tartus të Sirisë sistemin raketor mbrojtës S-300.
Në fushën diplomatike, Turqia ka lajmëruar iniciativën për t’iu rikthyer armëpushimit, duke u bërë një propozim Moskës e Uashingtonit.
Zyrtarë amerikanë, britanikë, francezë, gjermanë dhe italianë do të takohen sot në Berlin për të diskutuar mbi hapat e mëtejshëm në lidhjen me konfliktin sirian. /tesheshi.com/