Jugu i Jemenit vazhdon të jetë arenë e përplasjeve për jetë a vdekje mes rebelëve shiitë që kërkojnë të marrin në dorë kontrollin e Jemenit dhe forcave që mbështesin presidentin Abdurabbi Mansur Hadi. Luftimet janë përqendruar në Aden, dhe lanë 140 të vdekur në 24 orët e fundit, 17 prej të cilëve ishin civilë.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka nisur që nga 26 marsi goditjen e pozicioneve të husinjve, por rebelët po rezistojnë ende, dhe janë të gatshëm për bisedime paqeje vetëm nëse ndërpriten sulmet ajrore.
Ende nuk është i ditur numri i të vrarëve që nga fillimi i sulmeve ajrore, por agjencitë e ndihmave raportojnë se 330.000 njerëz janë zhvendosur. Një numër shumë më i madh se kaq në Sana dhe në Aden kanë nevojë për gjërat bazë, e ndërkaq ka mungesa të theksuara të furnizimit me ushqime, me ujë, e me energji.
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) njoftoi se për shkak të problemeve logjistike u shty të hënën fluturimi i një aeroplani me ndihma që do të ulej në Jemen.
“Kemi lejen për këtë aeroplan, por pengesë janë problemet logjistike për uljen. Ka gjithnjë e më pak avionë që ulen në Jemen. Ne po përpiqemi t’i zgjidhim problemet logjistike,” njoftoi një zëdhënëse e ICRC-së.
“Situata në Jemen është tejet kritike. Konflikti është intensifikuar, veçanërisht në Aden,” shtoi zëdhënësja.
Një avion pasagjerësh që mbartte personel qe në gjendje të ulej dje në Sana, por ende nuk kanë mbërritur në terren ndihmat humanitare, mes të cilave dhe materialet mjekësore.
Agjencia e ndihmës ka kërkuar hapjen menjëherë të të gjitha rrugëve, tokësore, detare dhe ajrore, për sjelljen e 48 tonëve me materiale mjekësore që janë gati për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve në luftime.
Tre vullnetarë të Gjysmëhënës së Kuqe mbetën të vrarë javën e shkuar teksa po tërhiqnin të plagosurit dhe të vdekurit mes luftimeve në Aden.
Me gjithë apelet, deri tani nuk ka qenë e mundur mbërritja e furnizimeve të ICRC-së. /tesheshi.com/