Ka një acarim të kastës së gjyqtarëve në vend me nisjen e procesit të vettingut.
Pikërisht në mbledhjen më të fundit të KLD-së, Ken Dhima, gjyqtari i Shkallës së Parë në Vlorë e ka sulmuar vettingun duke e quajtur një instrument të paligjshëm, e për më tepër ka sulmuar dhe Sorosin duke e konsideruar si një “dorë të zezë” në këtë proces.
Gjithçka ka ndodhur në mbledhjen e KLD-së të datës 7 Maj, ku është diskutuar shkarkimi i Dhimës.
Presidenti Meta ka bërë thirrje për të mënjanuar polemikat politike dhe folur mbi thelbin. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar shkarkimin e Dhimës, por ky i fundit u përgjigj me ironi.
“Unë jap vendime e nuk shpërndaj pica”, është shprehur Ken Dhima. Në fund të mbledhjes, anëtari i KLD, Gerd Hoxha, ka pohuar se ishte i tronditur nga sjellja e gjyqtarit.
Presidenti Ilir Meta, kryetari i KLD, e ka cilësuar si “nervoz dhe të papërmbajtur” sjelljen e Dhimës.
Pjesë nga debati:
-Ken Dhima: i kam dhënë prioritet dorëzimit të dosjeve me palë të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve.
Dosje që kanë lodhur qytetarët për muaj e vite me radhë për një pension që nuk e gëzojnë për shkak të ankimeve.
I kam dhënë prioritet fëmijëve që mbeten pa shkollë për një germë gabim në gjeneralitetet e tyre.
I kam dhënë prioritet atyre qytetarëve që për vite me radhë nuk marrin asnjë informacion.
I kam dhënë prioritet atyre qytetarëve që pas 12 vjetësh, ALUIZNI nuk i kanë kthyer fare përgjigje qytetarit.
I kam dhënë prioritet qytetarëve të shpronësuar që u është vlerësuar shtëpia me gjithë truall sa një kotec.
Unë jam i detyruar të lë edhe gjyqin, ta shtyjë, vetëm t’i bëj vendimin.
Se edhe qytetarët, dihen, në organet shtetërore nuk gjejnë të drejtën sepse për çdo gjë i thonë, -“shkoni në gjykatë!”. Unë nuk mund ta pranoj kurrsesi dhe përbuz me neveri këtë epitet.
Shkoj në punë në orën 07:00 dhe dal në orën 08:00 të darkës.
Dhe nuk mund të më thuhet mua „i diskredituar”.
Të diskredituar janë ata vartës të ministres së Drejtësisë që kanë 20 vjet që nuk u kanë kthyer përgjigje qytetarëve.
-Ilir Meta: Ju lutem, nuk kemi ardhur këtu për të bërë akuza reciproke.
Ju do përgjigjeni për pretendimet që ka ministria dhe Inspektorati ndaj jush.
-Ken Dhima: Ka edhe një akuzë ministria, që s‘e përmendi.
Me një korrespondencë time me Kryeinspektoren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Kam thënë që, një prej shkaqeve të vonesës është edhe Vetingu, bërja e dokumenteve, etj., etj.
E kam quajtur “Vetingun Sorosian”. Dhe ministrja më thotë mua që ti s‘ke të drejtë të mendosh.
Por edhe Marksi thoshte, -“mendimet s‟kanë doganë”. Sorosi është një rrjetë e zezë që ka pushtuar Evropën dhe Shqipërinë dhe reforma në drejtësi…
-Ilir Meta: Ç’lidhje ka tani? Bëjmë politikë këtu?
-Ken Dhima: Po sepse… Jo! Është tek relacioni. S’ka për politikë.
Unë kam mendimin tim si gjyqtar. Edhe për Sorosin, çfarë lidhje ka kjo këtu?
Këto janë domethënë pikat që unë e kam edhe në observacion, e kam edhe në… 220 ditë janë ditët e punës. Nuk e kuptoj se si mundet një gjyqtar të arsyetojë 8 vendime themeli?! Unë nuk bëj pica.
-Ilir Meta: Atëherë, pretendimi juaj kryesor është që keni pasur një mbingarkesë shumë të madhe.Dakord!
-Ken Dhima: Edhe diçka për të shtuar. Nga presioni që më ka bërë Kryeinspektorja e KLD, çfarë kam bërë tani? Tani, në qoftë se unë i mbaroja për 2 muaj gjyqet, unë tani i përfundoj 4-9 muaj.
Për shkurt, mars, prill nuk kam asnjë dosje me vonesë. Unë kam këtu, kam dorëzuar 600 dosje këtë vit.
Me short më kanë rënë 400 për 4 muaj. Ja ku janë dosjet e dorëzuara, por ama qytetarit i kam zvarritur gjykimin.
Gjin Gjoni: Ta lejmë pjesën e politikës, të kalojmë tek pjesa profesionale.
Sa çështje ke përfunduar në vitin 2015-2016 Ken?
-Ken Dhima: Atëherë, në vitin 2015, 852 vendime themeli. Gjithsej janë 954.
-Gjin Gjoni: 954. Po në 2016?
-Ken Dhima: Por pa llogaritur ato qindra vendime pranim-ankimi dhe rekurse.
Po mirë, ato unë i bëj, se kush mi bën. Nuk kam pasur as këshilltare ligjore.
Se këshilltarja ime ligjore më shumë s‘vinte sesa vinte. Ky ishte problemi i kryetarit të gjykatës.
Por nuk ka problem. Sepse ai më padit mua shumë kollaj. Unë s‟jam mësuar të padis, por ja që duhen thënë tani. Për 2016, 1013. Është bërë gjyqtari tabelë qitjeje.
Ne nuk mundet vetëm të goditemi.
-Gjin Gjoni: Duhet edhe të mbrohesh. Po, mbrohu pra.
-Ken Dhima: Se ne jemi njerëz. Kemi familje. Kemi njerëz. Kemi miq. Kemi… Kemi jetë private.
Sipas ministres, unë duhet të ngordh në punë.
-Gjin Gjoni: Okej! Po çështje në dorë, sa ke pas? Përveç vendimeve.
-Ken Dhima: Këtë radhë kam rënë. Duhet të kem nja 150. Për arsyetim nuk kam. Se i përfundova.
Mund të jenë nja 30 copë.
-Etilda Gjonaj: E mora kërkesën z. Hoxha. Herës tjetër do t‟ju jap një përgjigje të saktë sa çështje ka një gjyqtar. Krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Dhe kjo është arsyeja që u ndërmor reforma në drejtësi, për të ndryshuar sistemin.
Atë do ta vendosi KLGJ-ja e re kur të ngrihet, pasi të bëjë studimin, të vendosi hartën e re gjyqësore.
-Gerd Hoxha: Atëherë, z. President, nisur nga… për mua kjo është thelbësore, kjo gjë që tha ministrja.
Them ta shtyjmë vendimmarrjen, pasi të na vijë edhe përgjigja e ministres, meqë e mori shënim.
Bëri shumë mirë që e mori shënim që ta ketë parasysh. Radhës tjetër të ngarkojë atë stafin e saj të na japë përgjigje dhe vendosim radhës tjetër.
-Gjin Gjoni: Është e vërtetë z. President që ka një vonesë.
Jo vetëm zoti Ken Dhima, por të gjithë gjyqtarët e gjykatave administrative janë tej afateve që parashikon ligji, për shkak të ngarkesës.
Të themi të drejtën, të bësh 1033 çështje brenda 1 viti, është një ngarkesë e cila është e papërballueshme.
-Etilda Gjonaj: Hajde t‟i themi, se s‟besoj se është vetëm ky gjyqtar me ngarkesën maksimale.
Besoj që janë një numër i caktuar gjyqtarësh.
Hajde t‟i themi Inspektoratit të mos kryejë më inspektime për ngarkesën dhe po ia bëjmë nul të gjithë veprimtarinë.
Gerd Hoxha: Edhe diçka tjetër. Edhe një herë, të më kuptoni. Unë nuk po përligj vonesat.
Unë jam vet gjyqtar. Edhe unë kam çështje me vonesë.
Po them, të vijë të më inspektojë edhe nesër Inspektorati. Edhe unë kam. Le të vijë. Se s‟kam frikë unë.
Vetëm Zotit i jap llogari lart. Problemi është që, doja të dija edhe këtë…
-Ilir Meta: Temperamenti i tij ishte tërësisht i papërmbajtur dhe i pajustifikuar.
Ndoshta gjykimi mund të jetë i njëanshëm. Mund të jetë…
-Gerd Hoxha: Nuk i heq asnjë presje asaj. Edhe unë jam vërtet i tronditur nga mënyra se si u soll ai njeri.
Unë e njoh prej vitesh atë njeri për arsye të tjera, që nuk ma afektojnë vendimmarrjen sot.
Nuk pajtohem aspak me mënyrën se si flet ai. Por nuk e kemi marrë këtu për sjelljen.
Në qoftë se është për sjelljen, bëjmë një procedim tjetër. Përveç edhe vonesës, çfarë pasoja janë shkaktuar? Ta kem edhe këtë. Janë shkaktuar pasoja nga vonesa?
Ne në Gjykatën e Lartë kemi 23 mijë dosje me vonesë. /tesheshi.com/