Kanë mbërritur dhe reagimet e para mbi vettingun, i zhbllokuar më së fundi nga Gjykata Kushtetuese. I pari ka qenë kryeministri Rama. “Sipas mediave, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD kundër Vetting-ut! E vonuan po s’e penguan dot. Tani është koha për të nisur zbatimin”, ka shkruar shefi i qeverisë në FB.
Më tej ka qenë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, që po ashtu në FB ka shkruar: “Përshëndes Gjykatën Kushtetuese që rrëzoi çdo alibi për Vetting! Debati politik duhet të mbyllet! Vetëm struktura kushtetuese bën Vetting!”.
Ndërkohë, nga PD, pikërisht ajo e cila e kishte çuar ligjin e vettingut për ankimim në Kushtetuese, nuk ka ende asnjë reagim.
Reagime priten dhe nga ndërkombëtarët në Tiranë, ambasada amerikane dhe Zyra e BE-së, investuesit kryesor të reformës në drejtësi. /tesheshi.com/