Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu mendon se Gjykata Kushtetuese duhet ta shqyrtojë marrjen e mandateve të deputetëve të PDK-së, AAK-së e NISMA-s pas bojkotit që po i bëjnë seancës konstituive të Kuvendit.
Këtë kërkesë ajo e ka arsyetuar me faktin se deputetët nuk po sillen konform Kushtetutës, e cila parasheh që Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve.
“Është e qartë që ky koalicion nuk po i kryen obligimet kushtetuese dhe do te ishte e udhës që Gjykata Kushtetuese të shqyrtonte marrjen e mandateve të këtyre deputeteve të papërgjegjshëm nga radhët e koalicionit PAN”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas saj, Kuvendi nuk mund të mbahet peng për shkak të Kadri Veselit.
“Deputetet e koalicionit PAN duhet të zëvendësohen me të tjerë deputetë që janë në rradhë”, ka shkruar Haxhiu. /tesheshi.com/