Demarkacioni me Malin e Zi nuk do të kalojë, dhe në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje vetëm sa po e intensifikon përpjekjen e saj kundërshtuese duke mbledhur në radhët e saj qytetarët që janë kundër kësaj marrëveshje. Ky është mesazhi që jep deputetja e Vetëvendosje-s, Aida Dërguti përmes një interviste dhënë për tesheshi.com për pushtetarët kosovarë.
Ajo nuk e përjashton mundësinë që VV të bashkëpunimin edhe subjektet e tjera opozitare dhe shoqërinë civile në rast se kjo marrëveshje sillet në Kuvend për ratifikim.
Dërguti thotë se qeveria PDK – LDK e e ka mbytur e shpresën e qytetarëve dhe kundërshtimi ndaj qeverisë aktuale nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e saj.
Deputetja e VV-së në këtë intervistë i kundërpërgjigjet edhe deputetit të NISMA-s Enver Hoti i cili ka thënë se zyrtarë të Vetëvendosje-s janë takuar me zyrtarë të pushtetit si dhe gazetarit Milazim Zeka i cili vazhdon të deklaroj se VV është krijuar prej SHIK-ut.
Intervistoi: Blendi Gashi
Që nga ndërtimi i koalicionit AAK dhe NISMA, disi Lëvizja Vetëvendosje ka qenë më pasive. Pse kjo heshtje e e Lëvizjes apo është duke u përgatitur në prapaskenë për “luftën” e radhës që ta rrëzojë nga pushteti qeverinë “Mustafa”?
Lëvizja Vetëvendosje është duke punuar intensivisht në konsulidimin e radhëve të saj duke iu ofruar hapësirë të gjithë qytetarëve që nuk janë të kënaqur me këtë degradim të shtetit t’i bashkohen Lëvizjes Vetëvendosje në mënyrë që të përforcohet kundërshtimi i kësaj qeverie anti-kushtetuese. Në këtë drejtim, Lëvizja Vetëvendosje nuk është duke heshtur, por është duke u përforcuar në vazhdimësi përmes procesit të zgjedhjeve të brendshme që do t’i përfshijë anëtarët dhe aktivistët e ri nëpër struktura, duke i bërë kështu edhe më të mobilizuar edhe më të fuqishëm karshi kundërshtimit të kësaj qeverie anti-kushtetuese. Poashtu, pavarësisht bojkotit tonë paralmentar për shkak të marrëveshjeve të dëmshme nënshkruara nga qeveria Thaçi-Mustafa, VV i ndjek temat që paraqiten në komisione parlamentare çështje të rëndëishme të legjislacionit që ndikon drejtëpërdrejtë tek qytetarët.
Kjo qeveri e cila e rrezikon shtetin dhe e varfëron qytetarin e ka mbytur e shpresën e qytetarëve. Me politikat e saja neoliberale dhe me vazhdimin e logjikës së privatizimeve, ndërtimit të autostradave e rrugëve që janë me kosto shumë të madhe e kështu duke e anashkaluar ose duke u mos u shqetësuar për rimëkëmbjen e bujqësisë, rivitalizimin e Trepçës, e ruajtjes së resurseve humane, por edhe natyrale është kursi më i gabuar që mund të ketë një qeveri.
Demarkacioni me Malin e Zi sërish është kthyer në top-temë. Keni paralajmëruar kundërshtim të fortë brenda dhe jashtë Kuvendit. Një gjë të tillë e keni bërë për shtatë muaj së bashku me AAK-në e NISMA-n por nuk arritët ta rrëzoni nga fronti dyshen Mustafa-Thaçi? Pra ç’veprime mund të forta se protestat dhe gazi brenda Kuvendit mund të ndërmerrni që të ndalni ratifikimin e Demarkacionit?
Si opozitë e bashkuar, bashkë me organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët e shumtë që ishin kundër këtyre marrëveshjeve anti-kushtetuese, arritëm që përgjatë betejës shtatë mujoëshe ta shpallim “Zajednicën” të vdekur, si dhe ta heqim nga rendi i ditës çështjen e demarkacionit. Kjo nuk do të arrihej kollaj po të mos ishim kaq shumë dhe të bashkuar kundër kësaj qeverie anti-kushtetuese. Por mos të harrojmë, ishte Isa Mustafa që përmes presionit ndaj deputetëve, arriti ta fashojë çarjen e qeverisë që kishte krijuar bashkimi opozitar duke ia mundësuar kështu Thaçit edhe njëherë të ngritet në një pozicion të rëndësishëm. Kjo shënon herën e dytë që kur Isa Mustafa e shpëtoi Hashim Thaçin dhe PDK-në pas periudhës së VLAN-it. Ne si Lëvizje Vetëvendosje përmes veprimeve tona brenda institucioneve dhe jashtë tyre kemi punuar që kundërshtimi ndaj kësaj qeverie anti-kushtetuese të rritet dhe të organizohet dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë të punojmë deri në dorëheqjen e kësaj qeverie anti-kushtetuese.
A jeni duke biseduar me AAK-në e NISMA-n që së bashku ta kundërshtoni Demarkaiconin? Pra, a keni kontakte me dy partitë tjera opozita dhe cilat janë gjasat që të ribashkoheni në frontin opozitar?
Demarkacioni me Malin e Zi nuk do të kalojë, dhe në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje vetëm sa po e intensifikon përpjekjen e saj kundërshtuese duke mbledhur në radhët e saj qytetarët që janë kundër kësaj marrëveshje. Natyrisht, në parim Lëvizja Vetëvendosje nuk përjashton bashkëpunimin edhe subjektet e tjera opozitare dhe shoqërinë civile në rast se kjo marrëveshje sillet në Kuvend për ratifikim.
Deputeti i NISMA-s Enver Hoti ka hedhur akuza në drejtim të VV-së duke thënë se vendimarrës të Lëvizjes flirtuan me pushtetin dhe përçanë opozitën e bashkuar. Për sqarim të opinionit, a është takuar ndonjë zyrtarë i lartë i VV-së me përfaqësues të partive në pushtet gjatë dhjetë muajve të fundit të krizës politike?
Asnjë zyrtarë i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është takuar me përfaqësues të partive në pushtet. Lëvizja Vetëvendosje e ka cekur edhe më parë, që një takim i tillë është i mundshëm vetëm nëse bëhet për caktimin e datës së zgjedhjeve. Akuzat e tilla se ne jemi takuar me përfaqësues të partive në pushtet janë të paqëndrueshme dhe dashakeqe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.
Gazetari Milaim Zeka vazhdon të deklarojë se “Vetëvendosje është krijuar prej SHIK-ut për ta dobësuar LDK-në” për çka thotë se ka fakte. Cila është kundërpërgjigjja juaj ndaj deklarimeve të tilla?
Është e qartë se pozicioni prej të cilit flet Milaim Zeka nuk është ai i neutralit, por i pushtetit. Mendoj se ai është në shërbim të pushtetit dhe çdo deklarim i tij është tendencioz ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe dashakeq.
Për fund, do është më e pranueshme për Vetëvendosje-n një koalicion me PDK-në apo LDK-në? A do të hynit në bashkëqeverisje me njërejn prej këtyre dy partive nëse ju ofronjnë udhëheqjen e qeverisë?
Me PDK-në në pushtet nuk mund të ndodhin ndryshimet në Kosovë. Prandaj si Lëvizje, refuzojmë koalicion me PDK-në, para apo pas zgjedhjeve. Në anën tjetër nuk pranojmë bashkëqeverisje me Isa Mustafën. /tesheshi.com/