Nga Bashkim Kastrati
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, më të arritur 100-ditëshin e qeverisjes u kujdes për mirëqenien e vet dhe të kabinetit të tij të gjerë. Ai mori vendim për rritjen e rrogave, duke filluar nga vetja e deri të shoferët.
Përmes këtij vendimi, kryeministri e dyfishoi rrogën e tij, nga 1300 euro në 2950 euro. Pesë zëvendëskryeministrat do ta kenë rrogën 2500 euro, ministrat do ta kenë rrogën 2000 euro. Ndërsa 70 zv.ministrat e famshëm do ta kenë pagën 1150 euro. Rritja prek edhe pozitat e shefave të kabineteve, këshilltarëve politikë, shefat e protokollit etj.
Kjo rritje e pagave nuk është aspak në proporcion me zhvillimin ekonomik të Kosovës, disproporcioni vërehet sidomos nëse e krahasojmë me pagën minimale që është 170 euro dhe pagën mesatare që në Kosovë është 363 euro.
Kjo rritje e pagave e bërë papritur, ka ngritur reagime të shumta tek qytetarët dhe shoqëria civile. Ata kanë theksuar se pagat duhet të rriten në bazë të rritjes ekonomike, dhe kjo rritje të jetë për të gjithë punëtorët që punojnë në institucionet shtetërore, e jo vetëm për klasën udhëheqëse.
Por Haradinaj i është kundërpërgjigjur këtyre kritikave, duke thënë se rritja ka qenë e domosdoshme dhe se përveç vlerës ka të bëjë edhe me integritetin e zyrtarëve të lartë qeveritarë.
“Dëshira ime është me e ndryshu Kosovën me bë një shtet që krynë punë. Me qenë veprues dhe transparent para qytetarëve. Veprimet tona nuk do t’i fshehim, jemi të hapur për kritika. “E kanë rrit rrogën vet, pagën e kolegeve të vet ua keni besuar këtyre njerëzve dy milionë është e pakuptimtë përgjegjësia politike dhe financiare e një kryeministri me pas rrogën 1300”, ka thënë Haradinaj.
“Ata që mendojnë se kam gabu për pagat kanë të drejt, por sipas bindjes time është tregues se dojmë të punojmë në mënyrë transparente”, ka thënë kryeministri i Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj gjithashtu ngritjen e pagës ndaj tij e kishte arsyetuar se nëse nuk do të kishte fitmet nga mujore nga qiraja e shtëpisë do ta kishte vështirë t’ia dilte. Thoshte se nuk mund të dal gjithqysh dhe se obligohet të jetë në kravatë dhe në këmishë.
“Nëse nuk do të merrja para nga qiraja, me rrogë 1 mijë e 200 euro do ta kisha të vështirë. S’mundem gjithqysh me dal. Obligohem një kravatë, një këmishë”, ka deklaruar Haradinaj në një intervistë dhënë për RTK.
A do të jetë kjo qeveria më e kushtueshme e të gjitha kohërave?
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se vendimi i kryeministrit për ngritje të pagës vetes dhe rrethit të vet është përtej skandalit. Ai thotë se duhet pasur parasysh se në Kosovë me asistencë sociale jetojnë 27 mijë familje, me 270 mijë anëtarë, ose 15.1% e popullsisë janë në skemën sociale. Beqiri thotë se buxhetit të shtetit 68 zëvendësministra do t’i kushtojnë hiç më pak se 10 milionë euro në mandatin katër vjeçar (paga, telefoni, dreka, nafta paga mbas përfundimit të mandatit 6 muaj etj), duke mos llogaritur rritjen aktuale të pagave.
“Mos harroni kryeministri i vendit ka pagën pothuajse me te madhen ne vendet e Ish- Jugosllavisë. Sllovenia: 4700 euro, Kosova: 2950 euro, Kroacia: 2600 euro, Maqedonia: 1300 euro, Mali i Zi: 1130 euro, Bosnja-Hercegovina: 1070 euro, Serbia: 1000 euro. Kujtojmë që Kryeministri Haradinaj i pati rrit pagën vetes edhe në mandatin e parë të Qeverisë së tij”, theksoi Beqiri.
Ai mendon se kryeministri Haradinaj do të mbahet mend për skandalet më të mëdha që e kanë karakterizua një qeveri të Kosovës, si falja e mbi 60 milionë euro ambalazhuesve të ujit, ose thënë ndryshe, sipas tij, manipuluesve, ndarja e 300 mije euro për grupin e Kumanovës, shkarkimet “kaubojski” te bordeve të ndryshme.
“Po shihet se qytetaria aktive është tashmë në vdekje klinike, në vendet normale demokratike, një veprim i tillë sanksionohet me greva, protesta, diskutime, bojkote, trazira, deri në anulimin e një vendimi të tillë, mendoj se do të jetë qeveria më e kushtueshme e të gjitha kohërave”, u shpreh Beqiri.
Rritja e rrogave duhet të bëhet pas rezultateve në rritjen ekonomike
Ndërsa ekonomisti Musafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se vendimi për rritjen e pagave nga ana e kryeministrit ishte e paparalajmëruar dhe se në kushtet aktuale ekonomike dhe me trendin e zhvillimit ekonomik kjo rritje është papranueshme.
Ai thotë se në Kosove që nga paslufta në vazhdimësi secili kryeministër që ka ardhur në pushtet ka tentuar të rehabilitojë vetveten përmes pagave dhe beneficioneve të ndryshme.
“Gjatë kohës se UNMIK-ut kanë qenë më të kujdesshëm ndoshta edhe që nuk i kanë pasur duart shumë të lira të prekin në buxhet, por që nga shpallja e pavarësisë secili kryeministër pa kurrfarë baze ekonomike i kanë dhënë të drejtë vetës që të ngritin pagat përkundër përformances së dobët në qeverisje”, thotë Kadriaj.
Sipas tij, kjo tregon mos korrektësinë sepse para se të ngritën pagat, duhet të kemi rritje ekonomike e cila reflekton në rritje të buxhetit dhe pastaj do të duhej të mendonin për pagat e tyre. Ai thotë se me këto sjellje që po i bëjnë kryeministrat e vendit së pari nuk e arsyetojnë më punën e tyre. Pra së pari i rritin pagat e tyre dhe kjo nuk ka logjikë ekonomike, sepse pagat rriten si rezultat i produktivitetit dhe efiçiencës se në punë.
“Por si duket kryeministri aktual nuk u mjaftua me ngarkesë të administratës dhe njëherit buxhetit të Kosovës mori të drejtë që të shpërblen vetveten duke ia rritur pagën për 100%. Po ashtu edhe të kabinetit qeveritar pa kurrfarë baze ekonomike, e mos të flasim për aspekte morale, duke e ditur gjendjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Mendoj që edhe rolin e babadimrit nuk diti të luajë, sepse ai u jep dhurata dhe i gëzon të tjerët, ndërsa kryeministri aktual e gezoi vetveten për fundvit”, u shpreh Kadriaj. /tesheshi.com/