Kryekuvendari, Kadri Veseli, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Britani të Madhe, ka takuar Lordin George Robertson.
Veseli është ndarë shumë i kënaqur nga ky takim, të cilin e quajti të veçantë.
“Takimi me Lordin George Robertson është çdo herë i veçantë. Jo vetëm si mik dhe kontribuues për çlirimin e Kosovës, por edhe si personalitet i shquar në Britaninë e Madhe, biseduam për mundësitë që së bashku të ftojmë në Kosovë investitorët nga Britania e Madhe. U dakorduam që është parësore të zhvillojmë ekonominë, të krijojmë një të ardhme të ndritshme për të rinjtë tanë në vendin tonë”, ka thënë Veseli në një postim në Facebook.
Lordi Robertson, sipas Veselit, ka theksuar se “Kosova është dhe gjithmonë do të mbetet një vend i veçantë për të”, sepse ai, siç thotë Veseli, “por edhe shumë të tjerë, investuan që gjerat e tmerrshme që po ndodhnin në vitin 1999, të ndaleshin dhe Kosova të pavarësohej”. /tesheshi.com/