Nga Nada Dosti
“Fem Fest”, një festival për gruan shqiptare, festival i cili vjen me synimin për sensibilizimin e çështjes së gruas dhe për të ndryshuar edhe realitete të trishta në jetën e tyre.
“Femfest”, me kumbar kryebashkiakun e Tiranës, na qenka ideuar si një platformë shfaqjesh, debatesh, këngë, muzikë, ekspozitë, sfilata dhe një protestë këpucësh të kuqe.
Pjesë e festivalit dedikuar 8 marsit kanë qenë edhe artiste, aktiviste, shkrimtare, politikane dhe këngëtare, të cilat nëpërmjet zhanreve të ndryshme të artit iu dhanë zë edhe problemeve që nuk fliten, apo atyre që nuk dëgjohen. Edhe pse një përpjekje për të amplifikuar si gjithmonë zëra të disa kategorive të caktuara të grave në kurriz të disa tjerave dhe këtë e shohim përmes mungesës së gjithëpërfshirjes në portretizimin e imazhit të gruas në këto videoklipe dhe interpretime.
Festivali në fjalë ka përfshirë bashkëpunimin e dhjetra ambasadave dhe agjensive të BE, ndër to dhe ambasada amerikane si dhe ajo suedeze, vende të cilat njihen për “dashamirësinë e tyre ndaj muslimanëve” nëpër botë por edhe në Shqipëri.
Dhe prej dashamirësisë së madhe vendosin që mos ta përfshijnë imazhin dhe rolin e gruas muslimane në asnjë nga këto aktivitete, përveçse përmes një shfaqjeje teatrale, një monodrame islamofobe, e cila u shfaq në Teatrin Kombëtar gjëtë këtyre mbrëmjeve.
Shfqja titullohet “Burka” (“Burka e Medeas”), një vepër e dramaturgut grek Andreas Flourakis.
Po, e morët vesh mirë: bëhet fjalë pikërisht për atë mbulesën e hundëve dhe të gojës, por që nuk është e famshmja maska e Covid-it, por ajo copëz pëlhurë po aq e (pa)praktikueshme në viset shqiptare sa dhe e para.
Po kush është Medea dhe ç’lidhje ka burka lindore e grekut perëndimor Flourakis me gratë shqiptare?
Medea është një figurë mitologjike, mbesa e Diellit dhe si rrjedhojë e mbushur plot zjarr. Zjarr i cili ndizet sa herë që i bëhet një padrejtësi dhe e çon atë deri në vrasje. Ajo është simboli i vrasëses seriale, një psikopate e cila herë fiton kënaqësi nga vrasja, herë humbet kontakte me realitetin, saqë kur vret dy djemtë e vetë nuk i konsideron si të vetët por të ish-burrit të saj. Prej simbolit të saj rrjedh dhe sindroma e Medeas, patologji e shëndetit mendor që e çon një grua të vrasë fëmijët e saj si hakmarrje ndaj ish-bashkëshorit i cili e ka braktisur për një tjetër.
Nga ana tjetër, ekzistojnë dhe qasje të cilat argumentojnë se në një mitologji greke misogjeniste, Euripidi ka bërë një portretizim të një gruaje të fortë, të pavarur dhe inteligjente.
Megjithatë, Medea e Andreas Flourakis simbolizon një grua lindore, një mbretëreshë në mërgim, e tradhëtuar nga Jason, burri për të cilin ajo bëri sakrificën e saj më të madhe.
“Ferexheja” e saj është kthyer në lëkurë për të, dhe para se ajo të arrestohet i thotë lamtumirë të dashurve të zemrës që janë dy fëmijëve e saj.
Në këtë interpretim të mitit, Medea bën një rrugëtim simbolik nga kohërat e lashta deri në ditët e sotme. Kjo grua lindore bie në dashuri dhe martohet me një princ perëndimor, grekun Jason. Dy fe të ndryshme, dy kultura, dy botë të ndryshme përplasen në një histori tradhëtie, një histori e të qenit e huaj në një vend jomiqësor, një histori e të qenit grua në një botë të drejtuar nga burra. Pra, simboli gruas së huaj e cila është në të njëjtën kohë një viktimë e imperializmit por edhe terroriste.
Ekzistojnë disa interpretime të “Burka e Medeas” nga Flourakis, që qëmton të krijojë një lloj analogjie të “ferexhesë”, e cila merr një formë monstruoze, gjë që simbolizon frikën irracionale të evropianëve ndaj saj. Por nga ana tjetër, “ferexheja” e Medeas interpretohet si një përpjekje për të përdorur historinë e mitologjisë së famshme greke për të thënë se”ferexheja” është një element i huaj i cili erdhi nga Lindja dhe u përhap në Perëndim. Ndërsa vetë Medea simbolizon një grua bashkëkohore që përpiqet të ndërtojë një jetë krejt të re, mirëpo është e dënuar për shkak të ferexhesë së saj, kjo e fundit simbol i vazhdimësisë së dominimit mashkullor.
Sponsorët
Lëvizjet e ekstremit të djathtë janë aktorë politikë pseudo-fashistë të krahut të djathtë që mbrojnë nacionalizmin dhe “pastërtinë” e supozuar të vlerave evropiane. Në SHBA dhe në Europën Perëndimore ata përqafojnë vlerat konservatore të krishtera dhe nacionalizmin supremacist të bardhë. Nga ana tjetër, muslimanët janë objektivi kryesor i diskursit ksenofob të këtyre partive, pasi ato mishërojnë tek “tjetri” tipare të njerëzve të urryer ose të frikshëm: tjetër përkatësi etnike, tjetër fe, tjetër kulturë e ndryshme dhe ekzistenca e disa pakicave radikale të sajuara, në Evropë dhe SHBA, ofron argumente për ta legjitimuar këtë frikë dhe diskursin e urrejtjes.
Racizmi orientalist në industrinë e argëtimit në Perëndim ka marrë kritika serioze nga një sërë qarqesh me dekada të tëra dhe si rrjedhojë pas shumë vitesh janë ndërmarrë hapa për t’i shndërruar personazhet dhe protagonistët e kësaj industrie me cilësime më gjithëpërfshirëse sidomos të grave dhe pakicave, andaj sot në ekranet tona netfliksiane shohim më shumë gra heroina, bose esmere, shkencëtare me shami e të ngjashme.
Mirëpo me sa duket në Shqipëri ndodh ajo që ndodh gjithmonë: regresi në kurriz të progresit! /tesheshi.com/