Kandidatët për postin më të lartë diplomatik në botë, atë të sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara do të konkurrojnë haptaz për këtë detyrë. Kjo do të ndodhë pasi shefi aktual i OKB-së Ban Ki-moon të mbarojë mandatin në fund të vitit.
Kandidatët do të shpjegojnë idetë dhe qëllimet e tyre përpara përfaqësuesve të 193 vendeve anëtare muajin që vjen në mbldhjen e asamblesë së përgjithshme dhe shumë prej tyre do të jenë të pranishëm edhe në debate publike, një ngjarje e paprecedent kjo, në Nju Jork dhe në Londër ku do të përgjigjen edhe ndaj pyetjeve të individëve e shoqërisë civile nga e gjithë bota.
Gjatë 70 vjetëve të jetës së OKB-së, sekretari i përgjithshëm është zgjedhur pas dyerve të mbyllura nga fuqitë e mëdha në këshillin e sigurimit dhe vetëm atëherë, i paraqitej asamblesë së përgjithshme për miratim. Zgjedhja zakonisht ishte në funksion të kompromiseve gjeopolitike, e zgjidhej më së shumti dikush që në kohën e zgjedhjes dukej se kishte më pak gjasa të prishte kompromiset.
Deri më tani, kandidaturën e kanë shpallur shtatë persona, pas një fushate të fortë që gara të mbahej e hapur. Nnga 12 deri më 14 prill, ata dhe konkurrentët që mund të hyjnë në garë do të përballen me asamblenë në atë që quhet “dialog informal”, edhe pse si në shumë takime të tjera të asamblesë, do të dominojnë fjalimet e shkruara si nga kandidatët ashtu edhe nga ata që do të ngrenë pyetje.
Mandati i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbaron në fund të këtij viti. Zgjedhja e pasardhësit të tij do të jetë e hapur për publikun dhe shtypin, si mënyrë e vëzhgimit të kandidatëve dhe marrjes së tyre në pyetje sesi do të ishte më e mira në reformimin e OKB-së që organizata të jetë në gjendje të japë përgjigje për sfidat e shekullit të 21, ku përfshihen ndryshimet klimaterike, dhe konfliktet masive që kanë dërguar valë refugjatësh më të shumtë në numër sesa në çdo kohë tjetër që nga lufta e dytë botërore.
Nuk mund të ketë kontrast më të qartë sesa ai me mënyrën e mëparshme të zgjedhjes së shefit të OKB-së, kur kandidatët dhe qeveritë përkatëse që sponsorizonin kandidaturën, bënin fushatë pothuajse tërësisht brenda dyerve të mbyllura.
Deri më tani, kandidatët që kanë vendosur emrat në listën e garës janë kryesisht nga Europa lindore, në përputhje me pritshmërinë e mëparshme para zgjedhjes së hapur, që sekretari i përgjithshëm i OKB0së do të vinte pikërisht nga ky rajon.
Kandidaturat përfshijnë një spektër të gjerë ish-ministrash të Jashtëm: Vesna Pusić (Kroaci), Srgjan Kerim (Maqedoni), Igor Lukšić (Mali i Zi), Irina Bokova (Bullgari, aktualisht shefe e UNESCO-s), Natalia Gherman (Moldavi) dhe Danilo Türk, ish-president i Sllovenisë dhe ndihmës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Këtyre emrave iu është shtuar edhe António Guterres, ish-kreu i agjencisë së refugjatëve të OKB-së, UNHCR që është bërë një figurë më ndikim gjatë krizës së refugjatëve.
Emra të tjerë mund të hyjnë në garë në muajt në vijim. Nuk ka konsensus që shefi i OKB-së duhet të zgjidhet patjetër nga lindja e Europës, pasi kontinenti në tërësi ka nxjerrë tre nga tetë shefat e OKB-së deri më tani e shumë argumentojnë se qasja ndaj postit sipas rajoneve është e tejkaluar. Meqënëse të gjithë sekretarët e mëparshëm kanë qenë burra, ka një apel që kësaj radhe, të zgjidhet një grua.
Në javët e fundit ka pasur zëra për idenë se kancelarja gjermane, Angela Merkel mund të marrë përsipër të kandidojë, duke pasur parasysh rolin e saj drejtues në përgjigjen ndaj krizës së refugjatëve në Europë. Por, edhe kandidatët e minutës së fundit do të duhet të kalojnë përpara asamblesë së përgjithshme për t’u marrë në pyetje.
Megjithatë, pas debateve të hapura, seancave të pyetjeve dhe performancës në public, do të jetë këshilli i sigurimit që do të zgjedhë kandidatët që do të shkojnë për votim në asamblenë e përgjithshme. Sikundër shumë nga vendimet bazë të OKB-së, edhe posti i numrit një i nënshtrohet vetos nga pesë anëtarët e përhershëm të OKB-së, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Rusisë dhe Kinës. Shefi i ri duhet të pranohet nga të pestë, e kjo ka ngritur dyshime nëse eksperimenti i mënyrë së re të përzgjedhjes së kandidatëve do të arrijë vërtet rezultate të ndryshme.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/