Çfarë do të sjellë për Ballkanin Samiti i Triestes?! Eskperti Tobias Flessenkemper, drejtor i Projektit të Ballkanit në Institutin europian, CIFE në Nicë dhe anëtar i Grupit të Politikave Europiane për Ballkanin, BiEPAG flet për DW .
“Fëmijët e njerkës” të kontinentit – kështu u cilësuan së fundmi në një artikull të Spiegel-it vendet e Ballkanit Perëndimor. Në shumë media gjermane shkruhet, se BE po humb forcën e rrezatimit në rajon, e ndani ju këtë mendim?
Duhet të dallojmë mes forcës tërheqëse mbi lidershipin politik të këtyre vendeve dhe forcës tërheqëse tek popullsia e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po të shohim popullsinë e këtyre vendeve, e kundërta është e vërtetë. BE mbetet si më parë model tërheqës. Mjafton të shohësh, sa shumë fuqi punëtore lëviz mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Megjithë përpjekjet e Rusisë dhe Turqisë për të zënë vend kulturalisht aty, oferta e BE si nga ana kulturore edhe oferta të tjera mbetet më tërheqësja. Por sigurisht njerëzit e shohin se modeli ekonomik europian që u paraqitet nuk funksionon gjithmonë si duhet. Për këtë njerëzit mjafton të shohin Greqinë, 36 vjet anëtare e BE-së dhe që jo gjithmonë ka përfituar nga ky model.
Por si e shohin këtë vetë vendet e Ballkanit?
Në planin politik pamja është disi më e komplikuar. Vërtet që ka suksese konkrete, për shembull Kroacia është anëtare, Mali i Zi po negocion po ashtu me BE-në me sukses, tani u bë edhe anëtar i NATO-s. Më parë në NATO u pranua Shqipëria. Pra e shohim konkretisht orientimin tek aleancat perëndimore apo organizatat perëndimore. Por në vende të tjera shohim se ka lëkundje, psh. në Serbia. Ende aty është problemi që ka marrëveshje të ndryshme me Rusinë në aspektin ushtarak. Nga ana tjetër lidershipi politik në Serbi nuk e ka shumë të qartë -se deri ku duhet të ecë me modelin europian-perëndimor apo ndoshta do të qëndrojë mes dy modeleve.
Ballkani mbetet pra ende vatër potenciale krize, megjithë perspektivën e qartë drejt BE-së?
Sigurisht kemi vende problematike, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë. Në të gjitha vendet, ku ka pasur konflikte, pyetja “në cilin shtet duam të jetojmë?” nuk ka marrë ende përgjigje. Aty perspektiva e integrimit europian nuk e ka dhënë efektin e duhur, për shembull që të ndikojë që gupet e ndryshme në Bosnje-Hercegovinë të bashkohen, apo që një vend si Maqedonia të futet në kursin e reformave. Thënë përmbledhtazi: Popullsia e preferon modelin e Europës perëndimore, modelin e BE, si punohet, si jetohet, si bëhet ekonomi, si garantohen të drejtat sociale, por në të njëjtën kohë ajo e kupton se nuk ka siguri, që ky model do të vlejë edhe për të.
A mund të thuhet se BE e ka seriozisht anëtarësimin, po të shohim popullsitë e vendeve të BE-së, aty prej vitesh ka skepticizëm të madh për zgjerimin e BE me vende të Ballkanit?
BE ka vërtet qëllime të qarta e serioze lidhur me perspektivën e anëtarësimit. Megjithatë në vendet e BE ekziston me të drejtë shqetësimi, që me këto vende mund të importohen në BE edhe konflikte në masë. Askush nuk do një Qipro të dytë, si e shohim momentalisht, në sjelljen e Kroacisë kundrejt vendeve jo-anëtare të BE. Duhet që këto vende t’i zgjidhin në mënyrë të qëndrueshme problemet politike të shekullit të 19-të dhe të 20-të. Sepse krijimi i një perspektive ekonomike, sociale dhe politike të pranueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk është ndojnë problem më i madh për BE. Flasim për më pak se 20 milionë vetë, ky do të ishte një shtet i vogël-ose mesatar i ri për të gjitha vendet e BE.
Pra anëtarësimi i vendeve të Ballkanit nuk është një lëndë e re shpërthyese për Bashkimin Europian…
Në fund të ditës është më shumë një problem politik. A janë këto vende të përgatitura në mënyrë të tillë që t’u përmbahen vendimeve që merren së bashku në BE? Me daljen e Britanisë së Madhe do të ketë më pak diferencim brenda BE, më shumë unitet në sistem dhe më shumë ujdi në çështjet që kërkojnë rregullim. Kjo të çon aty që rregullat duhen respektuar, që ekziston besimi, se vendimet e përbashkëta edhe zbatohen.
Po të marrim për shembull marrëdhënien e Kosovës me Serbinë, vende që zhvillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2013, e shohim se të dyja palët nuk i kanë bërë realitet vendimet ashtu siç janë marrë, aty mungon vullneti për të bërë kompromise dhe për të punuar në mënyre kreative për të gjetur zgjidhje. Kjo nuk duhet lejuar, kur bëhet fjalë për vendime të rëndësishme në të ardhmen në BE. Sepse të ndodh që presidenti serb, Vuçiq dhe ai i Kosovës, Thaçi qëndrojnë të ulur në Këshillin e BE dhe bëjnë ligje për 500 milionë europianë. Një situatë e tillë nuk përfytyrohet dot për momentin, që me këta politikanë të zgjedhur në Ballkan të bëhen ligje, që vlejnë për 500 milionë europianë…
Duket se ka shumë për të bërë…por çfarë prisni nga samiti në Trieste. Çfarë duhet bërë konkretisht që të ecet më në fund përpara?
Ka rëndësi që edhe njëherë të flitet në nivelin më të lartë, tani me presidentin e ri francez, Emmanuel Macron, me kancelaren Merkel, me krerët e shteteve e qeverive nga rajoni. Me këtë dërgohet edhe një sinjal se ka gatishmëri për të punuar bashkë. Sinjali që duhet të dalë nga Triestja duhet të jetë: Ballkani Perëndimor i përket BE-së. Ne po përpiqemi ta çojmë këtë projekt përpara, që ka ngecur, sepse BE në vitet e fundit është përfshirë vetë nga kriza.
Kjo do të thotë që të dalim përtej çështjeve kontraktuale, përtej marrëveshjeve tregtare e të asociiimit, përtej politikës së stabilitetit dhe të hyjmë në një hapësirë të re, ku bëhet e mundur bashkangjitja me Bashkimin europian.
Ku i shikoni pikërëndesat e samitit?
Padyshim tek zhvillimi ekonomik. Italianët si mikpritës organizojnë një forum ekonomik me sipërmarrës të vegjël dhe të mesëm nga Ballkani. Edhe gjermanët po veprojnë. Ata kanë nisur një iniciativë, me të cilën industria gjermane blen produkte nga Ballkani. Kjo duhet mbështetur me garanci dhe instrumenta financiarë.
Masa tjetër e rëndësishme është lufta kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar. Një temë tjetër e rëndësishme janë edhe konfliktet bilaterale në rajon. Po ashtu një çështje tjetër e rëndësishme është, se ku do të zhvillohet samiti i 2018-s, ishte planifikuar një cikël, nga viti 2014-2018, kur përfundojnë ceremonitë përkujtimore të 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore. Me gjasë ai do të zhvillohet në Britaninë e Madhe e këtu shtrohet pyetja: Si do të pozicionohet tani Britania e Madhe për të garantuar edhe më tej paqen dhe marrëveshjet e paqes në rajon./tesheshi.com/