Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Arsen(Hamza) Muskurtin, i cili dy ditë më parë ekzekutoi me gjakftohtësi të vëllain dhe kunatën, duke shtënë më pistoletë ndaj tyre në dyqanin ku ata shërbenin, në rrugicën “Islam Alla”, e cila lidh Rrugën e Kavajës me “Myslym Shyrin”.
I akuzuari është mbrojtur, nëpërmjet avokatit të tij, duke pretenduar se ka bërë shtatë kallëzime për vëllain dhe kunatën. Ndërsa për armën ka thënë se e kishte me leje.
“Armën e kam patur me leje. Kallëzimin e fundit e kam bërë ditën e vrasjes”, ka deklaruar Muskurti para togave të zeza.
Nga ana tjetër, avokati kërkoi 30 ditë kohë për të bërë një akt për gjendjen psikike, duke theksuar se klienti përdorte ilaçe.
Kjo mund të jetë e vetmja kartë për ta shpëtuar nga burgimi i përjetshëm.
Prej gati një viti, vëllezërit Muskurti ishin në konflikt për një biznes që e kishin patur bashkë e më vonë ishin ndarë. Por në jetën e përditshme, autori njihej si një njeri problematik në marrëdhëniet me njerëzit. /tesheshi.com/