Ndryshe nga sa pritej, janë 21-vjecarët gjermanë kampionë të Europës. Pavarësisht se favoritë në finale ishin spanjollët “e tmerrshëm”, gjermanët fitojnë 1-0, pas një goli me kokë nga Weiser.
Kronika e ndeshjes tregon se skuadra e drejtuar nga Kunz, nuk vodhi asgjë, madje edhe mund ta thellonte rezultatin, nëse shtylla dhe portieri iberik Kepa, nuk do t’i ndalonin. Saul, Asensio e Delofeu nuk arritën të bënin shumë, mbase edhe për shkak të presionit.
Në këtë mënyrë Gjermania rikthehet pas 8 vitesh tek trofeu i më të mirëve të Europës për ekipet “Shpresa”.
Tetë vjet më parë, ishin Neuer, Muller e Ozil që fitonin, ndërsa sot, Mayer, Selke, Gnabry e Weiser, dëshmojnë se “nuk i lënë gjë mangut” fushës së blertë. /tesheshi.com/