Trajneri i Manchester United-it, Louis Van Gaal, i ka kritikuar sërish mediat në konferencën e fundit për shtyp.
“Eshtë hera e tretë që jam shkarkuar, e po qëndroj ende këtu,” u ka thënë ai tërë ironi gazetarëve.
Më tej, duke iu kthyer seriozitetit të situatës ku gjendet për shkak të rezultateve zhgënjyese të klubit që ai drejton, trajneri holandez është shprehur: “Nuk mund të humbas më ndeshje, pasi mund të shkarkohem për herë të katërt nga ju (mediat), veçse ndoshta atëherë nuk do të jetë gënjeshtër, por e vërtetë.”
Van Gaal foli edhe për mungesat para ndeshjes së mbrëmjes së kësaj të premteje me Derby County-n, në kuadër të FA Cup-it, duke treguar se një mori lojtarësh, si Jones, Schweinsteiger, Darmian, Carrick, Young, Shaw dhe Valencia, janë të lënduar e do të mungojnë.
Paraqitjet e Manchester United-it gjatë këtij sezoni nuk kanë qenë aspak mbresëlënëse, e në Premier League skuadra gjendet në vendin e pestë në renditje, plot dhjetë pikë larg kryesuesve të Leicester City-t. /tesheshi.com/