Intervistoi: Blendi Gashi
(Mos)shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale aktualisht është tema që po trazon skenën politike kosovare duke lënë engimë nëse Kuvendi i Kosovës do tentoi sërish ta rrëzoi apo jo.
Por ka të tillë që mendojnë se një tentim i sërishëm do prodhonte vetëm shqetësim të panevojshëm të opnionit publik në Kosovë dhe të qarqeve diplomatike, dhe asgjë tjetër.
Është kryetari i Lëvizjes për Bashkim, njëherit ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, që thotë se numrat në kuvend, dhe qëndrimet e forcave politike tregojnë se nisma për ta shfuqizuar ligjin për Specialen e ka të vështirë të realizohet, por sipas tij veç nëse ndodh kjo do të jetë një goditje e madhe për shtetin.
Murati në një intervistë për tesheshi.com flet edhe për çështjen e shumëpërfolur të Demarkacionit me Malin e Zi, për 100 ditëshin e qeverisë “Haradinaj” dhe jetëgjatësinë e saj, për partinë që drejton dhe tema tjera…
Si e shihni iniciativën e 43 deputetëve për zhbërjen e Gjykatës Speciale? A ka qenë e orkestruar kjo gjë nga krerët e shtetit?
Kjo ishte një iniciativë politike joserioze dhe avantureske. Më shumë se çdo gjë, kjo nismë dëshmon për mungesën e pjekurisë së një pjese të garniturës sonë politike. Sigurisht që gjykata speciale është një padrejtësi e madhe ndaj Kosovës, popullit shqiptar dhe luftës çlirimtare. Po rata që e kanë votuar është dashur të mendojnë mirë para se atë ta votojnë, e jo tash një pjesë e mirë e atyre që e votuan këtë gjykatë të futen në lojën e zhbëjes. Kjo nuk është sjellje institucionaliste, siç kanë dëshirë të njëjtit t’ia mveshin veprimeve të veta politike për çkado e çfarëdo procesi nëpër të cilin kalon Kosova e ata e përkrahin.
Deputetët e LB-së në dy legjislaturat e fundit, kur kjo çështje është trajtuar në Kuvendin e Kosovës ka votuar kundër gjykatës. Mirëpo, tani përderisa Kosova ka marrë obligime edhe ndërkombëtare, ne me një hap prapakthimi, e dëmtojmë rëndë reputacionin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, dhe pa kurrfarë nevoje i japim prapë hapësirë të gjithëve të mos e trajtojnë seriozisht shtetin e Kosovës.
Kjo nismë që filloi nga veteranët e UÇK-së, të cilët janë realisht në të drejtën e tyre ta kundërshtojnë këtë gjykatë, sepse e kanë bërë gjithnjë, u morë pastaj nga një pjesë e deputetëve për të shndërruar në ligj, zhbërjen e gjykatës. Përderisa nisma e veteranëve do të mund të shfrytëzohej si një presion pozitiv edhe ndaj ndërkombëtarëve edhe për padrejtësinë e gjykatës e edhe për një sërë pengesash që i vendosen Kosovës në rrugëstimin e saj të integrimeve euro-atlantike dhe në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, prej deputetëve kërkohet përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare. Se kush qëndron krejtësisht pas nisëms deri më tani më shumë po hamendësohet, por kushdo që qëndron pas, e sidomos nëse në një nismë të tillë kanë pasur dorë krerët e shtetit, është dashur që së pari të thirren forcat politike, dhe të zhvillohej një debat më i gjerë shoqëror, për t’u sqaruar se pse tani, pas gjithë atij presioni për ta themeluar gjykatën, ajo duhet zhbërë. A mos ka rrethana të reja ndërkombëtare, që ne të tjerët nuk po dijmë? A mos ka informata që edhe qarqe të caktuara ndërkombëtare janë në favor të shuarjes së saj? Por fatkeqësisht ashtu si nuk pat debat paraprak kur u themelua, nuk pat as në përpjekjet për ta zhbërë. Rrjedhimisht të gjithë me të drejtë dyshojmë se prapa një nisme të tillë mund të ketë më shumë lojë politike, sesa vërtet vullnet për ta zhbërë gjykatën. Andaj ne si LB e kemi thënë se nëse dje ishte koha që gjykata të mos bëhej dhe të ishim të vendosur që një njollë të tillë të mos i vendosim vetes dhe luftës sonë, sot është koha e përballjes me gjykatën dhe jo e zhbërjes së saj.
A ka gjasa që të tentohet sërish shfuqizimi i saj edhe përkundër thirrjeve nga ndërkombëtarëve të mos ndodhë kjo?
Tentime mund të ketë, por nuk besoj se kjo do të ndodh. Numrat në kuvend, dhe qëndrimet e forcave politike tregojnë se kjo nismë e ka të vështirë të realizohet. Ne tash patëm një qëndrim të kryetarit të Kuvendit dhe të PDK-së z.Veseli, kundër kësaj nisme. Gjithashtu LDK veç është përcaktuar herët për gjykatën, ndërsa VV i ka dhënë të gjitha shenjat se këtë nismë po e konsideron si lojë të pushtetit andaj nuk do të marrë pjesë në seancë. Edhe deputetët e pakicave pas tërë atij presioni ndërkombëtar nuk e besoj se do të marrin pjesë në seancë, nëse kjo nismë futet në rendin e ditës. Rrjedhimisht, nuk besoj se ky tentim do të jetë diçka më shumë sesa një shqetësim i panevojshëm i opnionit publik në Kosovë dhe i qarqeve diplomatike të aleatëve tanë.
Nëse veç nuk dëgjohen këto thirrje cilat do ishin pasojat? Do të izolohej Kosova?
Përderisa krejt nismën për ta rrëzuar gjykatën e kam konsideruar joserioze dhe avanturë politike që Kosovën e paraqet subjekt që nuk duhet marrë seriozisht në marrëdhëniet ndërkombëtare, njëkohësisht, nuk i takoj atyre që konsiderojnë se anulimi i gjykatës do të ishte fundi për Kosovën. Aleatët tanë perëndimorë, SHBA-të dhe shtetet kryesore të BE-së, nuk e kanë ndihmuar Kosovën për shkak të lidershipit të saj politik, por sepse në një moment të dhënë historik, na janë përputhur interesat. Fatmirësisht, këto interesa vazhdojnë të jenë të përbashkëta edhe sot e kësaj dite dhe aleatët nuk e braktisin Kosovën dhe projektin e shtetësisë së saj. Por ajo që mund të ndodh, në planin afatshkurtër është izolimi i këtij lidershipi politik, që gjithsesi do të godiste edhe shtetin e edhe qytetarët, por që në esencë kjo do të shtronte rrugën për ndryshimin e lidershipit politik dhe ardhjen e një garniture tjetër politike, Sigurisht, pasojat më të mëdha, do të jenë ato të cilat kanë të bëjnë me mosbesueshmërinë e institucioneve tona dhe garancave që ato japin në marrëveshje të ndryshme në arenën ndërkombare.
Kryeministrit Haradinaj ju refuzua viza nga SHBA. Pas kësaj ai mori pasaportën nga Shqipëria. Si i keni parë këto zhvillime?
Unë ende nuk mund të them me siguri të plotë se i është refuzuar viza kryeministrit Haradinaj, sepse procedurat për të marrë vizën amerikane për të gjithë ne që kemi qenë në UÇK, edhe kur jemi në pozita të larta shtetërore janë më të gjata se zakonisht. Sigurisht që kjo nuk lë shije të mirë, por pa i pasur të gjitha informatat e kam të vështirë të komentojë më shumë. Në anën tjetër unë mendoj se të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, duhet të kenë të drejtë në nënshtetësi shqiptare dhe rrjedhimisht në pasaportën shqiptare. Dhe këtë unë fare nuk e lidhi me çështjen e liberalizimit të vizave, por me një të drejtë që do të duhej ta kishim të gjithë shqiptarët. Hezitimi i shtetit shqiptar në këtë drejtim, nuk është një veprim i drejtë.
Demarkacioni mbetet ende i paratifikuar. A besoni se do ratifikohet apo jo?
Edhe kjo është ndër ato çështje e cila fatkeqësisht është shndërruar në kalë beteje në mes të opozitës dhe pozitës por edhe brenda vetë këtyre kampeve tani e tre vite. Opozita në të kaluarën më shumë ka qenë e interesuar ta rrëzojë qeverinë, sesa që ka pasur qëndrim parimor dhe argumentues kundër demarkacionit. Këtë e dëshmon edhe këmbëngulja e tyre që fare të mos vinte marrëveshja në kuvend, ndonëse ishte e qartë si atëhere si sot, se nuk ka vota për ta kaluar demarkacionin. Kosova dhe qytetarët e saj janë dëmtuar shumë nga pamundësia për të ecur para në këtë proces. Ne si LB po bëhen tani gati dy vjet që kemi propozuar që marrëveshja të sjellet sa më shpejtë në kuvend, aty të rrëzohet dhe pastaj, të përgatitet terreni të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar. Po të ishte ndjekur ky propozim yni që në krye të herës, të gjitha gjasat janë që ky proces do të ishte përmbyllur. Në rrethanat në të cilat jemi çdo gjë ka shkuar duke u vështirësuar. Sidoqoftë, demarkacioni duhet të marrë një epilog. Ai duhet ose të ratifikohet ose të rrëzohet. Me këtë konstalacion forcash, ai do të rrëzohet nëse shkon në seancën plenare të kuvendit. Pas këtij akti, krijohet kontest real juridik me Malin e Zi dhe mund t’i kërkohet atij që ose të rinegociohet pjesa kontestuese, ose me marrëveshje të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar.
Siç e dini partnerët e koalicionit kanë qëndrime të kundërta për shumë tema të mëdha. A mund të shkoi vendi në zgjedhje të reja nacionale sivjet?
Vetë kryministri Haradinaj tha se me PDK-në nuk kanë pajtueshmëri e as marrëveshje për demarkacionin dhe njësoj me Listën Serbe sa i përket formimit të ushtrisë. Pra dy nga çështjet thelbësore që e mundojnë vendin, ndajnë thellë koalicionin qeverisës. Por duke qenë se këto kanë qenë të ditura, nëse nuk ndodh ndonjë çarje më e madhe, nuk besoj se këto tema, do ta prishin koalicionin. Përkundër faktit se këtij koalicioni nuk po i shkruhet më gjatë se marsi i këtij viti, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur sa i përket gjykatës speciale, kjo qeveri mund të zgjas më shumë se që mendohet. Kjo edhe për shkak se vetë opozita ndonëse e fortë në numra është e dobët dhe plogët në veprime. Kësaj është duke i kontribuar edhe përçarja e VV-së dhe marrja e saj me punët e brendshme.
Si e vlerësoni 100 ditëshin e qeverisë “Haradinaj”? Ç’punë të mira bëri e çfarë jo?
Në radhë të parë më duhet të theksoj se për herë të parë që kur Kosova filluar rrugëtimin e saj të pavarur kemi një qeveri aq të dobët në numra (60, 61 nga 120) dhe njëkohësisht që ka një varësi të madhe nga vota e 10 deputetëve të Listës Serbe e cila është e dirigjuar nga Beogradi zyrtar. Sigurisht një situatë e tillë nuk krijon komoditet që të kemi një qeveri efikase dhe me objektiva të qarta. Në anën tjetër si produkt i kësaj situate ne kemi qeverinë më të madhe në numra të stafit politik (me ministra e zv.ministra) ndoshta mu pse është më e dobëta me numrat e deputetëve në kuvend. Ajo qe deri më tani ka rënë në sy, është energjia e kryeministrit dhe kryerja e disa punëve për mua të mira si heqja e doganave për prodhuesit (process që realisht patë nisur me qeverinë paraprake), procedimi i ligjit për Prishtinën, zgjidhja e çështjes së pronësisë së Pallatit të Rinisë dhe fillimi i proceduave që t’i kthehet kryeqytetit, zgjidhja e çështjeve të shpronësimit në Shipitullë që lidhej me mungesën e qymyrit dhe rrjedhimisht energjisë elektrike (edhe kjo e fundit e kritikuar për procedurat dhe çmimin e lartë që do të paguhet për shpronësimet) etj. Por në anën tjetër shumë prej veprimeve, kanë elemente të thella arrogance sikur ajo e rritjes së pagave për stafin politik, emërimi i vazhdueshëm i zv.ministrave përkundër reagimi të opinionit publik, e disa vprime kanë edhe elemente të paligjshmërisë si në rastet e shkarkimetve të bordeve të disa prej institucioneve publike apo të faljeve të borxheve të kompanive private. Mbi të gjtha në thelb punën e qeverisë do ta kisha karakterizuar si kaotike, që merret me zgjidhjen e problemeve “ad hoc” e me mungesë të objektivave strategjikë sesi të zgjidhen çështjet themelore të vendit. Siç e thashë krejt kjo edhe shpërfaqet por ndonjëherë edhe mbulohet përmes veprimeve energjike të Kryeministrit. Kështu gradualisht po krijohet përshtypja se kemi një kabinet qeveritar i cili nuk e ka shumë të qartë rrugën nëpër të cilën do të ec nesër.
Për fund që lidhet me partinë që drejtoni Lëvizjen për Bashkim. Nuk jeni pjesë as e ekzekutivit as e legjislativit. Si po ju ecen punët ? A mendoni se pragu prej 5 % për tu bërë pjesë e Kuvendit duhet të ulet apo jo?
Ne jemi duke u përgatitur që në zgjedhjet e ardhshme të dalim vetë në zgjedhje dhe rrjedhimisht synojmë kalimin e pragut prej 5%. Në anën tjetër në parim ne mendojmë se ky prag ëshë i padrejtë dhe betonon partitë politike aktuale duke ngulfatur demokracinë dhe zërat alternativë në shoqëri. Ne mendojmë se për nivelin e demokracisë dhe zërave divers që ka shoqëria jonë ne duhet t’i kthehemi pragut natyror. Ndërsa më duhet të theksoj se edhe Këshilli i Evropës u ka bërë thirrje shteteve që pragu maksimumi të jetë 3% mu duke u bazuar në faktin se duhet të lejohet që diversiteti shoqëror të reflektojë edhe në institucionet legjislative dhe ekzekutive të vendive përkatëse.