Dy persona në Francë kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me të nxehtin dhe më shumë se 300 kanë marrë trajtim mjekësor urgjent, tha të mërkurën ministrja franceze e Mjedisit Agnes Pannier-Runacher, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës përballet me një valë të nxehti.
Pjesa më e madhe e Francës u godit nga nxehtësia ekstreme të martën, me 16 departamente, përfshirë Parisin, në nivelin më të lartë të alarmit. Temperaturat shkuan më shumë se 41 gradë Celsius në Francën jugore dhe qendrore, ndërsa kryeqyteti regjistroi 38 gradë.
Raportet e medias tregojnë se temperaturat në disa pjesë të Francës në korrik arritën nivelet e tyre më të larta që nga fillimi i regjistrimeve.
Niveli më i lartë i alarmit, i kuq, mbeti në fuqi vetëm për katër zona, megjithëse temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius. Disa shkolla do të mbeten të mbyllura.
Në Gjermaninë fqinje, shërbimi meteorologjik ka parashikuar ditën më të nxehtë të vitit deri më tani, me temperatura që arrijnë në 40 gradë.
Zjarret në Evropën Jugore
Një zjarr i madh gjatë një vale të nxehti ka vrarë dy persona në tokën bujqësore spanjolle.
Qeveria rajonale tha vonë të martën se trupat e një fermeri dhe njërit prej punonjësve të tij u gjetën gjatë shuarjes së një zjarri në zonën Torrefete pranë qytetit katalanas Cosco.
Ata mbetën të bllokuar në një automjet të përfshirë nga flakët.
Flaka, rreth 90 kilometra në veriperëndim të Barcelonës, ka shkatërruar të paktën pesë mijë hektarë tokë, sipas raportimeve të medias.
Qindra zjarrfikës janë vendosur në vend dhe gati 20,000 banorëve në rajon u është këshilluar përkohësisht të qëndrojnë brenda. Disa janë evakuuar si masë paraprake.
Zjarri shpërtheu të martën, duke dërguar një re tymi dhe hiri deri në 14 kilometra të lartë, raportoi gazeta Segre.
Brigada e zjarrfikësve njoftoi në X se zjarri ishte nën kontroll.
Centralet bërthamore zvicerane në gatishmëri
Në të njëjtën kohë, një nga reaktorët në termocentralin bërthamor Beznau, pranë kufirit gjerman, në Zvicër është mbyllur për shkak të ujit të nxehtë nga një lumë, njoftoi të mërkurën Axpo, e cila operon termocentralin. Reaktori tjetër po funksionon me gjysmën e kapacitetit.
Masa synon të mbrojë ekosistemin e lumit Aare, në përputhje me rregulloret e rrepta mjedisore.
“Ngrohja e tepërt e rrjedhës së ujit tashmë të ngrohtë duhet të parandalohet gjatë periudhave të nxehta të verës për të shmangur stresin e mëtejshëm mbi florën dhe faunën,” tha Axpo në një deklaratë.
Lumi siguron ujë ftohës për termocentralin bërthamor, i cili më pas kthehet në lumë në një temperaturë pak më të lartë.
Dy reaktorët në Beznau filluan të funksionojnë në vitet 1969 dhe 1971, duke i bërë ato një nga termocentralet më të vjetra bërthamore ende në funksion në botë. /tesheshi.com/