I ashtuquajturi “doktori”, italiani më i famshëm i garave me motorë, nuk arriti të shpallej për herë të dhjetë kampion bote, ndërsa pagoi dje në Valencia gabimin e bërë ditë më parë në Malajzi. Në atë garë ai do të rrëzonte Marc Marquez-in, duke u dënuar ta niste garën pasardhëse nga vendi i fundit.
Eshtë kjo beteja më e fundit e Valentino Rossi-t e humbur ndaj kolegëve spanjollë, që dominojnë në garat e Moto GP-së. Lorenzo, Marquez dhe Dani Pedrosa janë treshja më e njohur në ditët e sotme në garat e motorëve.
Rossi e kryesonte kampionatin me shtatë pikë më shumë se Lorenzo, shoku i tij i skuadrës te Yamaha, por vendi i katërt dje nuk i mjaftoi për ta ruajtur diferencën. Lorenzo u shpall kampioni i ri i botës, diçka që e kishte bërë në këtë nivel dhe në vitet 2010 e 2012.
Lorenzo bëri një garim të përsosur, duke dalë i pari dje në Valencia, ndërsa Rossi u rendit në vend të katërt, pa mundur ta kapë treshen spanjolle.
Rossi ka patur gjithmonë një marrëdhënie të vështirë me spanjollët. I njohur është rivaliteti i tij gjer në armiqësi në mesin e viteve 2000 me Sete Gibernau-n, ndaj të cilit pati fituar thuajse gjithmonë.
Italiani simpatik do duhet të presë sezonin e ardhshëm për ta rinisur aty ku e la, duke kërkuar të marrë hak për këtë kampionat të humbur në metrat e fundit. /tesheshi.com/