Nënkryetarja e parlamentit shqiptar, Valentina Leskaj, tha se i vjen turp nga vulgaritetet që shoqërojnë debatin mes deputetëve gjatë seancave të ndryshme.
E ftuar në News 24 për të folur rreth jetës dhe karrierës së saj, znj. Leskaj tha se ajo që e shqetësonte më shumë se gjithçka në parlamentin aktual është fakti se aty nuk gjenerohet politikë e mirëfilltë; se njerëzit nuk e kuptojnë se ç’ligje miratohen.
“Dhe ajo që ndodh nuk ka të fituar por vetëm të humbur”, tha Leskaj. Sipas saj, ata deputetë që gjenerojnë atë gjuhë e atë sjellje të ulët në parlament, duhet të mendojnë për fëmijët e tyre.
Leskaj tha se shumë njerëz i ankohen dhe në rrugë, për atë se çfarë shohin e dëgjojnë në parlament, porse ajo nuk kishte fuqi të ndërhynte tek fjalimet e tyre pasi nuk e ka atë kompetencë.
“Unë nuk e kam të drejën të kontrolloj fjalimet”, tha Leskaj. /tesheshi.com/