Pas angazhimit 17 vjeçar si aktiviste e shoqërisë civile, ka vendosur që t’i hyjë garës për kryetare të qytetit të ndarë, pra Mitrovicës. Kjo është Valdete Idrizi, ish-drejtoresha e organizatës joqeveritare “CIVIKOS”, e njohur për veprimtarinë e saj në Mitrovicë, veri edhe jug, e cila garon në zgjedhjet lokale të 22 tetorit nën petkun e PDK-së së Kadri Veselit.
Si fituese e Çmimit për Guxim, të ndarë nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2008, është tejet e bindur se do t’i mposht kundërkandidatët e saj burra, pasi thotë se mitrovicasit do e zgjedhin atë për ta drejtuar qytetin në katër vitet e ardhshme.
Idrizi, në intervistën ekskluzive për tesheshi.com të parën për mediat kosovare pas shpalljes së kandidaturës së saj tregon pse zgjodhi PDK-në, pse mitrovicasit duhet ta votojnë, me ç’probleme aktualisht ballfaqohet ky qytet, cilat do jenë top-prioritetet e saj nëse zgjedhet kryetare si dhe flet edhe për çështje tjera…
Intervistoi: Blendi Gashi
Jeni e para femër nga paslufta kandidatepër kryetare të Mitrovicës. A mund të na flisni pak për vetën tuaj, pra një CV e shkurtër?
Unë jam e lindur dhe e rritur në Mitrovicë, bijë e minatorit. Vij nga një familje e cila ka qenë pjesë e historisë së lavdishme të Kosovës. Deri në prill të vitit 1999 kam jetuar në pjesën veriore të qytetit, dhe që atëherë jetoj në pjesën jugore.
Jam aktiviste që nga vitet e hershme të 90-ave, përfshirë edhe lëvizjen studentore në Mitrovicë për të vazhduar pas luftës në sektorin e shoqërisë civile.
Jam bashkëthemeluese e disa organizatave dhe rrjeteve të ndryshme në Mitrovicë dhe Kosovë, të cilat kanë pas ndikim të drejtëpërdrejtë në sensibilizimin e opinionit publik lidhur me nevojën e gjithpërfshirjes në proceset e vendimarrjes dhe përmirësimin e politikave publike. Deri dje kam udhëheq rrjetin e organizave të shoqërisë civile në Kosovë, Platforma CiviKos, e që nga dje kam hy në garë që të jem e para e qytetin tim.
Ju do garoni nën petkun e PDK-së së Kadri Veselit parti kjo që jo pak akuzohet për keqqeverisje për shkak se ka një dekadë në pushtet. Pse e zgjodhët pikërisht këtë parti?
Plani dhe vizioni im i cili është mbështetur pa rezervë nga ana e lidershipit të partisë më ka bërë që të jem e bindur në sukses dhe të garoj nën petkun e PDK-së.
Pse duhet që mitrovicasit t’ia japin sërish pushtetin PDK-së? Premtoni se do qeverisni ndryshe, krahasuar me bashkëpartiakun tuaj Avni Kastrati që qeverisi për një mandat?
Reflektimi i Partisë Demokratike, lista kandiduese me mbi 60% kuadro të reja, mbështjetja e parazervë e lidershipit dhe vizioni im për Mitrovicën është garancë për qytetarin se qeverisja e ardhshme do të ketë në epiqendër qytetarin, sundimin e ligjit dhe ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë. Mbështjetja e madhe që më është dhënë nga qytetarët përgjithësisht dhe që po vazhdon të më ipet, po më bindë se mitrovicasit do të kenë një kryetare, një grua që i njeh mjaft mirë problemet e qytetarëve, që ka qenë dhe do te jete gjithehere afer tyre dhe bashkarisht do të ofrojë zgjidhje për problemet e tyre. Përvoja e z. Kastrati dhe mbështjetja e tij e parezervë për mua nënkupton se ne do të përmirësojmë performancën qeverisëse.
Ju si një mitrovicase që jeni, aktualisht si e shihni qytetin tuaj, me ç’probleme ballafaqohet?
Probleme ka të shumta fatkeqësisht po edhe potencial për të rregulluar problemet patjetër. Po filloj nga nevojat elementare siç janë: mungesa e ujit të pijshëm 24 orë në disa zona, ambienti mjaft i ndotur si pasojë e menaxhimit mjaft të dobët të mbeturinave, infrastruktura e papërfunduar sidomos në rajonin e Shalës, problemet me cilësinë në arsim e në shëndetësi, politikat komunale jo adekuate për mbajtjen e kuadrove në Mitrovicë dhe mbi të gjitha papunësia e madhe dhe problemet tjera sociale me të cilat ballafaqohen qytetarët.
Si e keni parë udhëheqjen e komunës në katër vitet e kaluara nga Agim Bahtiri?
Zgjedhja e z.Bahtiri ka qenë definitivisht befasi për të gjithë, duke menduar se do të ketë ndryshime pozitive, por realisht u konfirmua se nuk ka qenë e tillë. Të gjitha hulumtimet e bëra nga organizata te pavarura e kredibile të shoqërisë civile konfirmojnë një dështim total në përmbushjen e premtimeve megalomane të z. Bahtiri. Kjo reflektoi edhe në mbështjetjen e ulet që mori ai në zgjedhjet e fundit parlamenrate ku ai ishte kandidat. Kjo flet shumë për qeverisjen e tij.
Nëse arrini të merrni detyrën e të parës së Mitrovicës, cilat do jenë top-prioritetet tuaja kur dihet se ky qytet ka specifikat e veta? Cila është oferta juaj për qytetarët…?
Është herët për të shpalosur ofertën time me top-prioritetet, por ajo që unë mund të garantojë është se qytetari do të jetë në epiqendër të qeverisjes time përmes krijimit të mundësive të barabarta, respektim të ligjit, dhe gjithëpërfshirje në vendimmarrje.
Po pozita udhëheqëse do i besoni më shumë grave në komunën tuaj? Sa drejtori mund t’ua jepni në besim ?
Kur flas për mundësi të barabarta, ajo nënkupton edhe përfshirjen e kuadrove profesionale gra. Gratë nuk kanë nevojë për privilegje, vetëm mundësi të barabarta, e kjo do të sjellë edhe gra që do të emërohen në pzotën e drejtoreshës në nivel të ekzekutivit patjetër.
Ç’mendim keni për kundër kandidatët tuaj? Cilin prej tyre e shihni si më sfidues, pra që mund t’ua marrë pushtetin?
Të gjithë kandidatët i njoh. I respektoj si qytetarë të Mitrovicës. Disa nga ta i kam miq. Mendoj se do të jetë një garë cilësore por si sfidues nuk e shoh asnjërin. Mitrovica do të ketë një kryetare grua.
Një pyetje e pashmangshme:Mitrovica nga paslufta mbetet një qytet i ndarë. A besoni se do bashkohet një ditë?
Mbështjetja e madhe dhe njohja e punës time shumëvjeçare në Mitrovicë, për bashkim të qytetit dhe ofrimin e komuniteteve për t’u integruar është garancë se qyteti do të orientohet në programe zhvillimore të përbashkëta.
Pas mirënjohjeve ndërkombëtare nga SHBA-të në veçanti, e më pas edhe nga vendet tjera të Bashkimit Evropian, e sidomos pjesëmarrja aktive e imja në Forume Ndërkombëtare, siç është Forumi i Qyteteve në Tranzicion, qytete që dikur kanë qenë si Mitrovica e tashmë janë integruar, nënkupton një qasje ndryshe nga qeverisjet e mëparshme. Para shumë vitesh më është dhënë epiteti si “grua e urave”, e natyrisht se do të vazhdojë të krijojë edhe më tej ura bashkëpunimi, ura integrimi dhe të fuqizojë më tej urat ekzistuese që i kemi krijuar.
Për fund, cili është mesazhi juaj për mitrovicasit por edhe për kundër kandidatët tuaj…?
Qytetarëve të Mitrovicës përmes medias suaj ju them se unë kam qene dhe do të jem gjithmonë afër tyre, jo vetëm duke qenë zë, por do të krijoi hapësirë që të jenë zëri i vetvetes. Do të zotohem për mundësi të barabarta për të gjithë, duke mos lënë asnjë mbrapa, e jo qasje e drejtësi selektive. Jam e sigurt se me qeverisjen time do të ndjehen qytetarë të barabartë, me dinjitet, dhe mitrovicas krenar. Mitrovica do të jetë qytet i integruar, qytet i kulturës, sportit dhe zhvillimit. /tesheshi.com/