Nga Vepror Hasani
Vajzat myslimane e frekuentuan shkollën amerikane të vashave që nga dita e parë e çeljes së saj në Korçë, më 23 tetor 1891. E vlerësonin arsimin; me shkollën ishin të familjarizuara prej shekujsh. Korça pati medrese për vajza dhe djem që nga viti 1496. Shkollimi ishte falas; dhuratë e themeluesit të qytetit të Korçës Iljaz bej Mirahori. Nuk nguruan të përfitonin as nga mësimdhënia amerikane. Në shkollën amerikane të vashave mësohej gjuha shqipe: shkronjëtorja, (alfabeti) këndimi, të shkruarit (bukurshkrimi), truptregonja e njeriut (anatomia), botëshkronja (histori e botës), dheshkronja (gjeografia), kafshëshkronja, (zoologja), bimëshkronja (biologjia) histori e shenjtëruar, (histori e feve), këndimi i ungjillit, fjalëlidhja, punëdore (qepje, qëndisje, thurje me shtizaj), vjersha, këngë, valle, dialogje etj. Provimet jepeshin në fund të qershorit, ku merrnin pjesë qeveritarë dhe prindër. Fillimisht shkolla u vendos në një shtëpi të vogël dhe më pas në shtëpinë e blerë prej Sevasti Qiriazit, pranë vendit të quajtur “Çezmat e Arave”. Ndërtesa ishte dy katëshe, e bukur, me gjashtë dritare, plot dritë, me oborr të gjerë dhe sallon të madh në katin e dytë. Gjatë vitit shkollor 1897-1898 u mendua edhe për një konvikt për vajzat që mund të vinin nga fshatrat, që do të thotë se edhe vajzat e fshatit nuk pengoheshin për shkollimin e tyre. Medreseja e Iljaz bej Mirahorit kishte ndriçuar mendjet e njerëzve të këtij rajoni. Konvikti u çel në vitin 1900-1901.
II
Në shkollën amerikane mësohej edhe gjuha angleze. Prindërit e vajzave e shihnin me interes mësimin e kësaj gjuhe; nuk kishin asnjë droje nga gjuhët e huaja, përveç gjuhëve që kishin për qëllim zëvëndësimin e gjuhës shqipe. Banorët e Korçës kërkuan që të mësohej edhe gjuha gjermane, në shenjë nderimi për studiuesin e gjuhës shqipe Johann George von Hahn. Në shtypin e kohës shkruhej: “Mësojmë se te shkolla shqipe në Korçë do të kllasin (do të vënë) mësimin e gjuhës gjermane. Kjo e re na gëzon fort sepse, sa kjo gjuhë s’ka më të nevojshme për ne Shqiptarët. Si fare mirë e dini, më e bukura dhe më e vjetra bibël për shqiptarët, “Albanesische Studien”, është shkruar në këtë gjuhë (gjermanisht). Hahni, i pari shkaktor i ngjalljes së gjuhës, literaturës dhe kombit tonë, ndenji tridhjetë vjet në Shqipëri. Ishte konsull i Oshtrisë (Austrisë) në Janinë; po aq i pëlqente Shqipëria, sa kur deshën ta ndërrojnë, hoqi dorë nga puna e tij. Vate më të katër anët e Shqipërisë, dhe tërë dialektet tona i fliste me një të math qërim (pastërti). Përveç Hahnit, albanologët Ksilhandër, Franc Bopp, Pott, dhe shumë të tjerë, si Dieffenbach, Harff, Otto Blau, Miklosich kanë shkruar kryepunërat e tyre në gjuhën gjermane. Sot për sot, kemi të madhin Gustav Meyer, profesor të Universitetit të Gracit (n’Oshtri), të cilat bibla (të tij) kanë hedhur një dritë aq të shkëlqyer në errësirat e gjuhës shqipe; z. Jan Urban Jarnik, profesor i Universitetit të Pragës (Oshtri), që njeh aq mirë gegnishten; z. Pisko, një prej konsujve të Oshtrisë në Shqipëri, cili punon fort bukur gjuhën shqipe. Të gjithë këta zotërinj kanë shkruar punërat e tyre në gjuhën gjermane, si dhe Z. Pedersen, një i ri albanolog…”. (Gazeta “Albania”, v.1897, nr. 6, f. 91)
III
Shkolla amerikane e vashave ishte mësonjëtore e gjuhës shqipe, ndaj të gjithë e dinin që ajo do të pengohej me të gjitha mënyrat. Agjentët e tyre “përhapën fjalë nëpër qytet se prindërit myslimanë që do të dërgonin fëmijët në këtë shkollë do të internoheshin menjëherë nga autoritetet qeveritare”. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).
Kjo thashethemnajë la gjurmët e veta, por nuk pati efektin e pritshëm; gjithkush e dinte që leja për çeljen e mësonjëtores së vashave ishte dhënë nga vetë sulltani; mbyllja e saj prej qeveritarëve lokalë apo të vilajetit të Manastirit, nuk do të ishte e mundur; arsye për internimin e myslimanëve nuk kishte. Vajzat myslimane vijuan frekuentimin e shkollës ashtu si më parë. Numri i tyre përgjithësisht ishte më i madh se i vajzave ortodokse. Në një prej artikujve të shtypit të kohës thuhet: “Dyzet e pesë vasha ka ndë shkollë, edhe kjo shkollë mbahet nga një Shoqëri amerikane që quhet “American Board”, e cila shoqëri ka shumë shkolla të tjera ndë Turqi, edhe e cila çdo kombi i hap shkolla më gjuhë të tij. Në këtë shkollë zunë venë të bijat e shtëpive më të mbëdha të Korçës, e më shumë ndër shqiptarët myslimanë. Drejtoresha e shkollës është Zonjëza Sevastie D. Qirias; mësonjëtoria e dytë është Zonjëza Fanke Efthim; mësonjëtoria e tretë Zonjëza Poliksena Tespoti”. (Gazeta “Albania” viti 1900, nr. 3, f. 68)
IV
Mësonjësja që çeli shkollën amerikane të vashave ishte Sevasti Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, e cila kishte emigruar bashkë me familjen kur ishte 4-5 vjeçe; fillimisht në Tërnovë e më pas në Manastir, ku studioi në shkollën plotore amerikane dhe më pas në kolegjin amerikan të vajzave në Stamboll. Shkollimin e përfundoi në qershor të vitit 1891. Naim Frashëri, atë kohë punonjës në Ministrinë e Arsimit, regjistroi diplomën saj. Leja për çeljen e mësonjëtores u dha me dekret perandorak. Shkolla u regjistrua në emër të Gjerasim Qiriazit, (vëllai i Sevastisë), përfaqësues i “Shoqërisë Biblike” britanike në Stamboll për Maqedoninë dhe Shqipërinë. (Gjerasimi nuk e pati jetën të gjatë, pasi më 4 janar 1894, kur ishte 32 vjeç, u helmua nga njerëzit e kishës). Shkolla amerikane e vashave ndiqej edhe nga vajzat ortodokse, por dhespotët nuk e dëshironin këtë shkollë ku mësohej shqip, nën pretekstin se ishte shkollë protestante dhe kish për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “U fol shumë se gjoja shkolla e re synonte t’u prishte fenë ortodokse shqiptarëve, se, duke frekuentuar atë shkollë, vajzat do të bëheshin protestante, se rruga e shkollës shqipe dhe gjuha e përdorur në të ishte në kundërshtim me parimet fetare dhe me mësimet e Krishtit etj, etj. (Hysni Myzuri, “Shkollat e para kombëtare shqipe”, Tiranë 1973, f 101).
V
Mëmëdhetarët u përpoqën të sqaronin njerëzit se shkolla amerikane nuk kishte për qëllim prishjen e fesë ortodokse: “Si e di gjithë bota, Korça ka një shkollë protestante shqipe për çupat. Qëllimi i kësaj shkolle nuk është të përhapë protestantimin, po dritën e dijes dhe të lëvrimit. Provën e kësaj e kemi në këtë, që edhe muhamedanë, edhe orthodhoksë kanë dërguar bijat e tyre të mësojnë në këtë shkollë. Nga tjatër anë, vetëm drejtoresha e shkollës, zonjëza Sevastie Qiriasi, një nga më të mentshmet e më të diturat shqiptare, është protestante; të tjerat,- mjeshtëresha shkolle – janë të gjitha, besoj, orthodhokse. …Tani, mësojmë se kleri i grekut përpiqet të ndalojë edhe çupat orthodhokse, jo me mjete të drejta “by fair means” si thonë Englezët) – se atëherë do t’i jepnim klerit grek arsye, duke qenë që cilido duhet të jetë i lirë të mprojë ato që i duken atij të vërteta – po me mjete të paudha, me mënyra që u kanë hije më tepër hajdutëve se njerëzve që lipset të kenë për armë vetëm lutjen edhe fjalën e Perëndisë. …Dhespoti bashkë me këshillonjësit e tij kanë dërguar letra ndëpër Shqiptarët që kanë fëmijë (çupa) ndë shkollë shqip që ndodhet në Korçë, duke shkruar se lipset t’i nxjerrin, se po të mos i nxjerrin do ta pësojnë. Në të tjera fjalë, kanë për të dërguar edhe ndë Korçë andarët. …Po me forcë s’ mundin ta mbyllin këtë shkollë, se atëhërë kanë të bëjnë me Englinë… Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë”
(Gazeta “Albania”, viti 1905, nr. 9, f. 179)
VI
“Këtu Shqiptarët janë ndezur shumë nga kjo e ngjare dhe po të mbaj dhespoti këtë udhë që ka marrë, nuk di ndë do të shpëtojë i shëndoshë”, thuhet në artikullin e mësipërm. Shqiptarët ndiheshin të lodhur nga mhimi i gjuhës së tyre. Shpërthimi i revoltës së tyre kish dhënë shenja që 25 vjet më parë. Nuk do të tolerohej më si më parë. Më mirë se çdo gjë tjetër këtë gjë e tregon një ngjarje e devollit: “Në Devoll flitet, përveç gjuhës shqip, edhe një bullgarishte e përzier. Por nja 25 vjet më parë, bullgarishtja mbretëronte në ato vise: në shtëpi, në rrugë, a në treg, njerëzia përdoronin më shumë sllavishten se shqipen. Andaj, nja 50 fshatra u mbluadhë një dlitë dhe bënë be (u betuan), që atëherë e tutje t’u mësonin djemëve vetëm gjuhën e mëmëdheut. Zunë edhe vetë të mos sjellin kurrë mbi buzë fjalë shqehnisht, (bullgarisht), edhe botën të mos e lëshojnë (lejojnë) të mërgonjë (harrojë) shipen. U ndodh një ditë një lopçar, i cili, duke shkuar në mëngjes përpara shtëpive për të mbledhur lopët, briti (thirri) bullgarisht: “Kravite, kravite!”, domethenë: “Lopët, lopët!” Atë hop u-rrethua thua prej trimash të lidhur, të cilët e benë me jataganë thela-thela trupin e lopçarit…” (Gazeta “Albania”, 1898, nr. 2, f. 29)
Për mësimin e gjuhës shqipe nuk kishte më kthim prapa.
/tesheshi.com/