Nga Shkëlzen Rrecaj
Mbi shumë halle të tjera, shoqërinë kosovare po e mundon dhe pikëpyetja e madhe rreth vajit të palmës, nëse është i dëmshëm apo i dobishëm. Ky është një debat që po zhvillohet gjerësisht dhe ku ofrohen të dhëna me prirje argumentuese nga dy kahjet
Nga të dhënat e Doganës së Kosovës, gjatë vitit 2016 janë importuar mbi 1.8 milionë kg vaj palme. Sasia më e shumtë ka ardhur nga Malajzia, 952 mijë kg, dhe pjesa tjetër nga Sri Lanka, 900 kg.
Autoritetit europian për Sigurinë Ushqimore (EFSA), konstaton se vaji i palmës është i rrezikshëm e veçanërisht tek moshat e reja. Në një eksperiment të realizuar në kafshë, nga ky autoritet del se ky vaj i dëmton veshkat, ADN-në dhe është kancerogjen.
Në vitin 2016, EFSA ka vlerësuar rreziqet për shëndetin publik të tre ndotësve që gjenden në perime, vajra dhe ushqime të përpunuara: esteret e acidit yndyror glicidili (GE), 3-monokloropropanediol (3 MCPD), 2- monokloropropanediol (2-MCPD) dhe esteret e tyre të acidit yndyror.
Glycidol (GE- apo vajra bimorë, që hyn edhe i palmës) është edhe gjenotoksik dhe kancerogjen, që do të thotë se me kalimin e kohës ajo mund të dëmtojë ADN-në dhe mund të shkaktojë kancer. Ekspozimi ndaj 3-MCPD ka shkaktuar dëme në veshkat e kafshëve gjatë testeve që janë bërë. Prania e GE, 3-MCPD dhe esteret 3-MCPD që gjenden në ushqim, tregon se shëndeti i të rinjve por edhe të gjitha grupmoshave është në rrezik të lartë.
Kjo ka çuar dhe në reagimin e Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, e cila ka bërë thirrje nga organet kompetente të marrin masa për sa i përket pranisë së vajit të palmës në produktet e qumështit.
Sipas Ramadan Memajt, kjo shoqatë ka shpejtuar lidhur me ngritjen e kallëzimit penal ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe disa kompanive që po e përdorin këtë vaj në produktet e tyre, duke mos e deklaruar atë.
Akuzave se po manipulojnë opinionin, u janë përgjigjur përpunuesit e produkteve të qumështit dhe përfaqësues të tjerë duke thënë se nëse dyshohet se po manipulohet me fakte, atëherë le të bëhet një analizë e menjëhershme e të gjitha produkteve në fjalë.
“Kështu që të qartësohet një herë e mirë se kush është duke e rrezikuar shëndetin e konsumatorëve dhe imazhin e prodhuesve vendore për shkak të përfitimeve të lehta. Ne këtë po e kërkojmë me vite nga AUVK-u, por fatkeqësisht nuk kemi parë të merret ndonjë veprim, duke lejuar dëmtimin e konsumatorit kosovar, kompanive të sinqerta të qumështit, si dhe fermerëve që po vazhdojnë të mbyllin fermat e tyre. Prezantimi i rrejshëm në media, gjoja si përfaqësues të shoqatës së qumështorëve nga disa persona, vetëm se e dëshmon edhe më tepër se disa qarqe të caktuara me interes në vajin e palmës në këtë mënyrë dëshirojnë të na e mbyllin gojën dhe të vazhdojnë edhe më tej me mënyrën e tyre të manipulimit dhe të dëmtimit të industrisë së qumështit”, thuhet në reagimin e kësaj shoqate.
Kundër akuzave të Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës ka reaguar edhe AUV, e cila ka deklaruar se produktet të cilat janë të përbëra nga qumështi dhe kanë të zëvendësuar yndyrën shtazore me atë bimore duke e përfshirë edhe vajin e palmës, nuk janë ilegale përderisa deklarohet në etiketë përbërja e produktit; dhe produkti si i tillë nuk emërtohet si “qumësht” ose “djath” me ç’rast do të konsiderohej si hutim i konsumatorit.
AUV ka theksuar se kohët e fundit, nga Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore është dhënë opinion për vajrat bimore të procesuara përfshirë edhe vajin e palmës, për veti kancerogjene dhe gjenogene, kur ato gjatë procesit të prodhimit të tyre arrijnë trajtimin në temperaturë mbi 200 gradë celcius.
“Përderisa nuk merret ndonjë vendim për ndalimin e yndyrave bimore, përfshirë vajin e palmës në produkte ushqimore nga institucione relevante ndërkombëtare të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për vlerësime shkencore përfundimtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk vendos ndalesë në përdorimin e tyre”, thuhet në reagimin e AUV-it.
Po ashtu, AUV ka theksuar se do të vazhdojë me kontrollet zyrtare dhe shtimin e frekuencës së kontrolleve tek operatorët e biznesit me ushqime, për të eliminuar dhe parandaluar çfarëdo keqinterpretimi eventual me ushqim, në veçanti të produkteve me yndyrë bimore, si nga importi ashtu edhe tek prodhuesit vendorë.
Edhe kryeshefi i AUV, Valdet Gjinovci, ka deklaruar se të gjitha produktet e qumështit janë shumë cilësore dhe nuk ka nevojë të hutohen qytetarët në këtë aspekt.
Ai theksoi se cilësia dhe sigurimi i produkteve të qumështit është në nivel dhe i kontrolluar nga ana e institucioneve të vendit.
Sipas tij, industria e qumështit është lidere në vendin tonë. “Kjo falë angazhimit si nga ana e institucioneve të vendit po ashtu edhe ata të Bashkimit Evropian. Pra, secili produkt i qumështit është konform standardeve ndërkombëtare”, shton Gjinovci.
Ky debat rreth cilësisë së qumështit është diskutuar edhe në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Bujqësi.
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka deklaruar se asnjë institucion nuk do të mund të marrë masa për ndalimin e importimit të vajit të palmës, derisa Bashkimi Evropian nuk ka ndërmarrë një veprim të tillë.
Ministri Krasniqi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të kontrollojnë nëse kompanitë që përdorin këtë vaj nuk e tregojnë atë nëpër etiketa.
Në mbrojtje të konsumatorëve si gjithnjë ka dalë edhe kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i cili ka thënë se udhëzimi i fundit i institucioneve të Bashkimit Evropian rreth vajit të palmës si bartës i elementëve kancerogjenë duhet që të respektohet edhe në Kosovë.
“Edhe pse besoj se ende ai udhëzim nuk ka arritur ende në Kosovë, duhet që të shikohet mundësia që konsumatorët të mos dëmtohen. Unë vlerësoj se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, ka bërë punë të mirë, megjithëse ajo nuk ka shumë buxhet që do të bënte që ky institucion të jetë më i suksesshëm”, është shprehur Kaçaniku.
Sipas tij, paçka legjislacionit të Kosovës që e mbron konsumatorin, zbatimi i tyre në praktikë nuk është në nivel në kënaqshëm.
Ndërsa biznesmeni kosovar, Burim Piraj, i cili është pronar i kompanisë “Meka Halal Food:, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka theksuar se vaji i palmës përdoret në vendet e zhvilluara.
Madje ai ka theksuar se vaji i palmës është alternativë e yndyrës së derrit.
“Disa portale në Evropë shkruajnë kundër Nutella, e cila e ka marrë një hapësirë të konsideruar të tregut evropian duke i akuzuar për përdorimin e vajit të palmës kinse na qenka ‘kancerogjen’ duke dashur në këtë mënyrë të etiketojnë Nutellën ashtu që të munden edhe të tjerët të shesin krem për lyerje me kakao.
E Kosova e PAMPRESS-it e merr këtë punë aq seriozisht sa që edhe televizione e portale mo qysh e kanë zakon.
Mirëpo Evropa nuk merret me portale. Evropa ka institucione që japin direktiva.
Nuk ka asnjë direktivë të Komisionit Evropian që e ndalon përdorimin e vajit të Palmës. Vetëm kërkohet që në emër të përdorimit të etiketimit ‘vaj bimor’ të shënohet vaji përkatës.
Vaj i palmës përdoret:
Në të gjitha fast food restorantet.
Në furra
Në ëmbëlsira
Në të gjitha pjekurinat industriale
Në të gjitha ëmbëlsirat industriale
Në të gjithë kremrat për lyerje të tipit ‘Shllag’
Në kremrat për lyerje të tipit Eurokrem
Në të gjithë llojet e çokollatave
Në prodhime konditoreske
Në patetina (Chips)
Në djathë dhe kaçkavall
Në margarinë
Në instant kafe të tipit 2në1 ose 3 në 1
Në gatim shtëpiak
E shumë e shumë përdorime të tjera.
Vaji i palmës është alternativë e yndyrës së derrit, dhe në të gjitha produktet e lartë përmendura është përdorur yndyra e derrit e përpunuar në të kaluarën dhe pikërisht arsyet shëndetësore e kanë fut në përdorim vajin e palmës.
Afrika dhe Azia janë përdoruesit më të mëdhenj të këtij vaji sepse prodhohet në vetë këto kontinente mirëpo përdorimi i gjerë ka bërë që edhe SHBA-të, Kanadaja dhe Evropa të përdorin në përmasa të konsideruara. Dhe fabrikat e përpunimit të vajit të palmës sot janë kudo në botë”, ka shkruar Piraj. /tesheshi.com