Nga Bardha Nergjoni
Kur afrohej Viti i ri, njeriu më i rëndësishëm i shoqërisë shqiptare ishte ustai i televizorëve. Sepse çdokush në atë kohë, donte që televizorin, burimin e vetëm prej nga vinte ngazëllimimi i festimit të Vitit të Ri, ta kishte më optimal. Ndaj dhe pranë laboratorëve, siç quheshin në atë kohë njësitë e shërbimit komunal të riparimit të radiove dhe televizorëve, dyndeshin njerëz me televizorë në krahë, nga ata që ato dite u kishte gjetur belaja, u kishte pësuar defekt televizori, e kështu rrezikonin ta kalonin në terr informues e argëtues natën e ndërrimit të viteve. Dhe në këtë atmosferë, dilte në pah mjeshtëria, apo ndryshe babaxhanëria profesionale e ndokujt që u bënte derman ekraneve të sëmura. I tillë ka qenë dhe usta Ramadan Shingjini.
Usta Dani kujton se shpesh e zinte viti i ri në një familje duke riparuar televizorin e tyre. Ai thotë se më shpesh difektoheshin televizorët me llampa e më pak ata me tranzistorë. Megjithëse nuk u bë kurrë i pasur, ai do të mbetet “shpëtimtari” i fatkeqëve të televizorëve të prishur, sidomos në kohën e festave. Tani që teknologjia ka avancuar dhe ekranet janë bërë më të sheshta e më të komplikuara, ai ia ka lënë zanatin të birit, i cili riparon kompjutera. Ramadani gjithashtu ishte i pari që zëvëndësoi pjesën e hequr nga shteti i asaj kohe, që televizorët të mos kapnin stacione të huaja. Por usta Dani nuk ishte vetëm një riparues televizorësh. Ai punoi për një periudhë të gjatë në prodhimin e kukullave dhe skenës për teatrin e kukullave. Dëshira e tij më e madhe në rini ishte skulptura. Megjithëse nuk iu dha mundësia të studionte, duart e tij të arta krijuan gjithçka, kthyen buzëqeshjen tek qindra familje dhe e bënë atë njeriun që për kohën konsiderohej “babagjyshi” i televizorëve.
Nëpërmjet riparimit të televizorëve dhe radiove, Ramadanit i ra rasti të njihte shumë njerëz, ndër të cilët edhe dajën e Nexhmije Hoxhës, i cili jetonte në një bodrum në shtëpinë e Toptanëve në Tiranë edhe pse mbesa e tij ishte bashkëshortja e diktatorit.
Si e nisët riparimin e televizorëve?
Unë e kam nisur punën 12 vjeç. Fillimisht bëja gjilpëra për makina qepëse. Babai kishte dyqan për riparime të ndryshme dhe unë rrija pas tij. Kështu fillova të punoja edhe si mekanik e më pas në kooperativën e artizanatit u mora me shumë gjëra. Bëra dhe një kurs për porcelan. Skulpturën e kisha pasion, por për shkak të biografisë nuk më doli shkolla e lartë. Por me ato aftësitë e mia lexoja çdo literaturë e fillova të riparoj fillimisht radiot e më pas televizorët. Vëllai më dha një libër në italisht që kishte skemat e radios dhe unë arrita të mësoj shumë shpejt. Siguroja literaturë nga më të ndryshmet edhe në rusisht për riparimin e radiove dhe televizorëve. Kam bërë një shkollë vetëm për formalitet për të marrë kategorinë e shtatë. Kështu më tërhoqën në laborator si teknik për radio dhe televizorë. Unë kam punuar në “Shtëpinë e Pionierit” dhe kam dhënë mësim për elektronikën. Më pas kam punuar me tranzistorët në laborator. Por shumë qytetarë më vinin në shtëpi dhe po kështu shkoja në shtëpitë e tyre.
Kur filluan të shpërndahen televizorët?
Në vitin 1972 hynë radiot e dorës si Iliria, Drita e Fatosi. Aty nga viti 1973 nisi të kishte më shumë televizorë. Në fillim kishin kryesisht paria apo sekretarët e parë, njerëzit me emër dhe mjekët. Nga markat e para të televizorëve ishin Iliria, Adriatik, Dajti, që ishin me llampa, e Butrinti, Shkëndia, Lura që ishin me tranzistorë. Në vitin 1974 pati edhe një përhapje më të madhe të televizorëve. Kishte raste që vinin edhe nga jashtë.
Cilët ishin defektet më të mëdha që hasnit në atë kohë?
Televizorët, siç e thashë, ishin me llampa dhe me tranzistorë. Ato me llampa kishin më shumë probleme. Llampat binin shpejt dhe duhet të zëvëndësoheshin. Iliria ishte një nga televizorët që prishej më shpejt.
I kisha propozuar një mikut tim që punonte në URT në Durrës të ndryshohej një pjesë problematike e televizorëve me llampa. Jugosllavia sillte shumë televizorë në Shqipëri në atë kohë. Të gjitha skemat që kisha, tregonin një rezistencë e ndezjes së llampave të cilën ata e kishin vendosur me një fuqi më të ulët se duhej. Mendoni, në atë kohë një llampë kushtonte 350 lekë dhe ishte më shumë se një ditë pune për një punëtor të zakonshëm. Ato nxeheshin shpejt dhe kështu ndërroheshin me shpesh. Tranzistori ishte më ndryshe pasi nuk të lejonte modifikime dhe ishte më jetëgjatë e me më pak difekte. siç ishin Lura apo Butrinti. Ndërkohë televizorët me ngjyra ishin pak më të komplikuar pasi kishin një grupim tranzistorësh apo qarqesh, siç njihen ndryshe. Ishim vetëm tre veta që riparonim televizorë në atë kohë. Kishte edhe amatorë, por shumica drejtoheshin tek ne pasi për pjesën tjetër ishte më e kufizuar sepse materialet duhet t’i merrnin vetëm nga laboratorët.
Televizorët ishin aq të rëndësishëm në atë kohë saqë ju bënin edhe dhurata, madje ju hynin edhe mik për një riparim sidomos gjatë ditëve të fundit të vitit, apo jo?
Po. Koha më e tensionuar për mua ishte festa e Vitin e Ri. Më kërkonin në shtëpi, më hynin mik e vinin ngado vetëm për një riparim televizori. Njerëzit bënin gjithçka që televizori të ishte i rregullt natën e vitit të ri. Ne i nxirrnim nga situata dhe na shpërblenin me çfarë të mundnin se festa atëherë kishte më shumë kuptim se tani. Shpesh lekët m’i fusnin në xhep, edhe pse nuk i pranoja apo më bënin dhurata nga më të ndryshmet. Viti i Ri ishte i rëndësishëm dhe nuk mund të bëhej pa televizor. Edhe doktor Nosit i riparoja televizorët që i kishte marrë nga Italia. Një ditë bashkë me bashkëshorten më vjen për vizitë në shtëpi. Kujtoi se shtëpia ime do të ishte luksoze dhe laboratori im me të gjitha pajisjet, por në fakt i thashë kam vetëm këto dy duar. Më tregoi me gisht kokën duke më thënë se gjithçka vinte nga mendja ime.
Në fakt në atë kohë kryheshin modifikime që televizorët të kapnin edhe stacione të huaja. Si e bënit këtë?
Në vitet e para televizori nuk kapte vetëm Tiranën por edhe stacione të huaja. Me shpërndarjen e televizorëve u vunë disa ripetitorë që shpërndanin sinjalin në Shqipëri. Ripetitori i parë në Elbasan për të marrë stacionet italiane, ishte vendosur në një kodër në Gjina,r por nuk zgjati shumë dhe ai u hoq. Kjo ka ndodhur aty nga viti 1974. Ishin të paktë ata që kishin televizorë në atë kohë dhe ishin kryesisht njerëzit e ngritur.
Televizorëve tanë atëherë u hiqej banda UHF dhe i lihej vetëm VHF. E si pasojë u përdorën “kanaçet”, që kanë një grup UHF. Ne filluam t’i bëjmë vetë pasi na i kërkonin. Televizorët me këtë modifikim kapnin stacione sllave, të cilët ishin më të fuqishme, ndërkohë që stacionet italiane i kapte me kohë të mirë.
Kishit frikë të bënit modifikime për të kapur stacionet e huaja?
Jo, sepse vetë ata që drejtonin në atë kohë ishin të parët që kërkonin modifikime pas dihet sa program kishte TVSH në të atë kohë ndërkohë që fqinjët kishin ecur shumë përpara. Mbaj mend që kur erdhi si Kryetar Komiteti Feruz Mataj, pati pak liri sa i përket stacioneve të huaja. Ai ishte pak më liberal dhe madje u bë shkak që u vendos ripetitori në Gjinar por më pas gjithçka u izolua sërish.
Ju jeni nga ata teknikë që e keni montuar vetë televizorin tuaj…
Po, e kam bërë vetë televizorin tim. Bleva pjesët, bobinat i thura vetë dhe arrita ta ndërtoj një televizor siç e doja. Mund të them se kam montuar vetë televizorin e parë këtu në Elbasan.
Veç markave shqiptare kishte edhe marka të huaja në atë kohë?
Mbaj mend se kam riparuar edhe një televizor japonez 14 polësh. I kishte ardhur sekretares së prë të Rinisë në atë kohë dhe arrita të gjej difektin edhe pse më parë ishin munduar teknikë të tjerë e nuk e kishin gjetur. Kisha ndërtuar vetë disa indikatorë që gjenin difektin për një kohë të shkurtër. Pra ja kisha lehtësuar mjaft punën vetes dhe arrita ta riparoj shpejt. Madje për radiot kisha krijuar një aparat me kufje për të kontrolluar të gjithë mekanizmin.
Ju kërkonin gjëra të çuditshme klientët e atëhershëm?
Do ju tregoj një histori. Vijnë në dyqan dy të moshuar, sjellin një radio për të riparuar dhe pas dy ditësh vijnë e marrin. Një ditë më pas vjen plaku e thotë se radioja nuk ishte rregulluar mirë. I them ta shikojmë. Më thotë që merr vetëm këngë kooperative dhe nuk jep asnjë këngë tjetër. Unë mundohesha t’ja shpjegoja që nuk ishte difekt por nuk më dëgjonte. Atëherë ustai tjetër, Agroni, bën një lëvizje kot me kaçavidë dhe ja jep radion sërish. Të nesërmen kthehet i moshuari dhe thotë se më në fund radio ishte riparuar e nuk po transmetonte vetëm këngë kooperative. Programacioni i radios kishte ndryshuar siç duket por këtë ai nuk e kuptonte.
Ju keni shkuar të riparoni televizorë edhe në fshatrat më të largët apo jo?
Po. Një herë jemi nisur për në Shmil. Ishin festat e 28-29 nëntorit. Një mikut tim atje i ishte prishur televizori. Udhëtuam edhe me kafshë derisa arritëm në Shmil. Televizorin e riparuam por na u mblodh i gjithë fshati me radio e televizorë me difekte e kështu dy ditët e festave, që i kishim pushim, i kaluam atje.
Ju keni edhe një histori me dajën e Nexhmije Hoxhës..
Nexhip Xhuglini, daja i Nexhmije Hoxhës, ishte një burrë zotni, i shkëlqyer. Ai kishte një radio “Fanola”. Në Tiranë sinjalet ishin shumë të fuqishëm por nuk bënin riparime të imta. Ai dinte shumë gjuhë si anglisht, gjermanisht, italisht dhe persishten dhe donte të dëgjonte stacione në turqisht. I thotë vëllait tim,që të shkoja t’i rregulloja radion për të kapur stacionet turke. Rrinte tek shtëpiat e Toptanit tek “Avni Rustemi”, në bodrum. Kur shkova t’i riparoja radion, shprehej se nuk donte të dëgjonte për Nexhmijen. Unë i bëra një akordim të imët dhe arriti të fiksonte stacionet që donte. Bashkëshorten e kishte turke dhe kur ajo udhëtoi drejt Turqisë, më bleu një aparat matës, sepse atë që përdorja në atë kohë ishte i vjetër dhe madje e kisha bërë vetë. Ai më tregonte historitë e kohëve të shkuara dhe gjëra shumë interesante. Bëhet fjalë për vitin 1980. Ishte njeri me shumë kulturë e shumë i sjellshëm. Ai nuk e donte Nexhmijen. Madje edhe fëmijëve i thoshte të mos e përkrahnin.
Në fakt më shumë shkonit tek shtëpitë e njerëzve sesa vinin ata tek ju…
Jam munduar të respektoj të gjithë miqtë e mi dhe të njohurit. Më e zakonshme në atë kohë ishte që me çantë në dorë shkoja nëpër shtëpitë e njerëzve. Sigurisht që kushtet më të mira i kisha në studion time, ndërkohë atje ku do shkoja do merrja pjesët për difektin që kishte dhe mundohesha që të shkurtoja kohën e riparimit. Në atë kohë tekniku i televizorit ishte i njohur nga të gjithë, i domozdoshëm dhe krahasohej me mjekët pasi gjithashtu shkonte shtëpi më shtëpi nga më të varfrit deri tek drejtuesit e lartë. Ne konsideroheshim si shpëtimtarë e sidomos në festën e Vitit të Ri.
Ju keni riparuar deri në moshën 75-vjeçare. E trashëguat zanatin?
Ardhja e demokracisë mua më gjeti në teatër ndërsa gruaja, që punonte si laborante, mbeti e papunë. Më duhet të vazhdoja me riparimin e televizorëve se kështu mbaja famijen. I kam kaluar të gjithë nëpër duar por nuk u bëra i pasur megjithëse kam jetuar mirë. Kam ndihmuar familjen time derisa u tërhoqa nga ky zanat në moshën 75 vjeçare. Kam dy djem të cilët kanë vazhduar zanatet e familjes. I madhi ka mbaruar skulpturë por merret me elektronikë dhe mendoj se ka ndjekur rrugën time, ndërkohë djali tjetër është mekanik si stërgjyshi, zanat të cilin e pati dhe babai im. /tesheshi.com/