Sabah el-Numani, zëdhënësi i njësive të kundërterrorizmit të ushtrisë irakiane, i ka pohuar sot agjencisë Reuters se ka nisur një sulm për ta rimarrë kryeqytetin e provincës së Anbarit nga forcat e ISIS-it.
Ramadi gjendet 120 km larg Bagdadit, e u mor nga ISIS-i në maj të këtij viti, dhe është një qytet me rëndësi të jashtëzakonshme në luftën kundër tij. Ushtria irakiane pretendon se kontrollon më shumë se gjysmën e qytetit.
“Forcat tona po përparojnë drejt kompleksit qeveritar në qendër të Ramadit. Luftimet po zhvillohen në rrethinat rreth kompleksit, me mbështetjen e forcave ajrore,” ka bërë të ditur Numani.
Informacionet nga Iraku flasin për jo me tepër se 250 deri në 300 militantë të ISIS-it në Ramadi. Autoritetet irakiane u dhanë 72 orë kohë banorëve të qytetit që të largohen, ndërsa mësohet se ata janë penguar nga trupat e ISIS-it.
Si një qytet kyç, marrja rishtas e Ramadit nga ushtria irakiane do të ishte një fitore me rëndësi jetike në luftën kundër ISIS-t. /tesheshi.com/