Regjistrimet për raundin e parë të pranimeve në universitete përfunduan më 11 shtator, por sipas rektorit Mynyr Koni, ky raund nuk i mbyll shpresat e maturantëve.
Tashmë pritet të hapet një tjetër raund, në varësi të kuotave të mbetura bosh për fazën e dytë të aplikimeve.
“Për raundin e dytë në UT kemi 1020 kuota bosh. Fakulteti i Shkencave Sociale 179, Fakulteti i Shkencave të Natyrës 282, Fakulteti i Drejtësisë 30, Ekonomia 96, Histori dhe Filologjia 102, Gjuhët e Huaja 229”, shprehet Koni.
Sipas tij, në këtë fazë të parë në Universitetin e Tiranës janë regjistruar 82% e maturantëve, 4 herë më shumë se vjet, por trendi i degëve të preferuara mbetet i njëjtë.
“Programi me më shumë interes është drejtësia me 96 % Drejtësia dhe Financa 97.5%. Përveç sasisë kemi edhe cilësi. Studentët e fundit të regjistruar kanë nota mesatare mbi 8”, shprehet rektori.
Regjistrimet për raundin e dytë fillojnë më 15 shtator, por rektori i UT u kërkon maturantëve të bëjnë kujdes.
“Ato kanë të drejtë për aplikim të ri, nuk është e thënë më të zgjedhin të njëjtat degë, duhet të zgjedhin ato ku kanë më shumë shanse për të fituar”, thotë rektori. /tesheshi.com/