Edhe fillimviti i vitit 2016-të skenën politike kosovare e gjen në një mjegull të madhe. E tillë ishte edhe në katër muajt e vitit të kaluar.
Fatkeqësisht zgjidhja për momentin nuk po shihet askund, kjo për fajin se pozita dhe opozita vazhdojnë të qëndrojnë në fjalët e tyre, e para kërkon që debati të rikthehet në Kuvend, kurse e dyta thotë se nuk debaton me ‘shkelësit e Kushtetutës, siç i quan drejteusit e institucioneve.
Por, në gjithë këtë rrëmujë një propozim për të dalë nga tuneli e jep analisti politik, Ardian Megjani.
Propozimi i tij si njohës i rrethanave politike është që të tërhiqet dhe rishqyrtohet marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, kurse marrëveshja për Asociacionin të rinegociohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjani në një intervistë dhënë për tesheshi.com flet për ngjarjet që ndodhën vitin e kaluar në Kuvend, për atë çfarë mund të ndodh këtë vit në skenën politike kosovare.
Tregon nëse opozita mund ta marrë pushtetin nëse del në zgjedhje me listë të përbashkët, si dhe nëse Thaçi do të bëhet apo jo president.
Intervistoi: Blendi Gashi
Besoj i keni ndjekur ngjarjet që ndodhën në Kuvend vitin e kaluar. Cili është komenti juaj, fajtore pozita apo opozita?
Ngjarjet e fundit në Kosovë padyshim që janë episodi më i keq politik që nga Pavarësia. Fajtor për këtë mendoj që janë dy taboret: pozitë dhe opozitë për disa arsye.
Pozita është dashur të jetë shumë më bashkëpunuese në raport me opozitën sa i përket dialogut me Serbinë, gjithashtu është dashur të ketë dhe raportime në Kuvend sa i përket atij dialogu, dhe vendimeve që janë marrë në atë dialog.
Pastaj, duhet rikujtuar deklaratat e kryeministrit Mustafa i cili gjatë fushatës zgjedhore të 2014 – tës kishte premtuar se përveç raportimit të rregullt në Kuvend sa i përket dialogut, çdo marrëveshje mund të hidhet dhe në referendum. Pra kemi një mungesë të elasticitetit politik nga kryeministri Mustafa.
Kurse sa i përket opozitës, konsideroj që aktet të cilat janë duke i ndërrmarë nuk janë demokratike, për më tepër janë rrënuese ndaj sistemit politik të vendit, sepse me dhunë dhe gaz nuk ushtrohet demokracia; dhe skena të tilla kurrsesi nuk duhet që të merren shembull nga asnjë gjeneratë e ardhshme politike e Kosovës. Problemet, krizat, nuk zgjidhen me dhunë dhe me gaz, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë.
Opozita e bashkuar ka paralajmëruar se do të vazhdojë bllokimin e Kuvendit deri në anulimimin e marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin. A mund të anulohen apo jo këto marrëveshje?
Opozita tashmë vazhdon me implementimin e planit të saj politik sa i përket këtyre dy çështjeve. Tashmë dhe qëndrimi i tyre dihet, por mendoj që liderët politikë brenda Kosovës kanë ca mungesë të lidershipit dhe kulturës politike. Lidershipi nuk njeh përjashtime dhe qëndrime të pathyeshme dhe të pakthyeshme, kurse kultura politike nuk njeh dhunë dhe gjuhë të brishtë.
Personalisht mendoj se presidentja Jahjaga është dashur të jetë më aktive në pozitën e saj si e para e shtetit, të ushtrojë më shumë presion politik, qoftë ndaj të dyja palëve, sepse derisa ne flasim gjendja mbetet e pandryshuar dhe ata të cilët humbin më së shumti nga këto padyshim janë qytetarët e Kosovës.
Përfundimisht, nuk ekziston asnjë premisë e cila ndalon çdo shtet të tërhiqet nga çfarëdo marrëveshje qoftë ajo.
A duhet të thirren seanca të reja pa u arritur një marrëveshje mes palëve?
Konsideroj se përsëritja e skenave të gazit në tempullin e demokracisë është e papranueshme dhe neveritëse, ashtu siç janë dhe mbajtja e atyre seancave nëpër qoshet e Kuvendit.
Skena politike në vend duhet të reflektojë, duhet të ketë dialog dhe të gjitha palët duhet të lëvizin nga qëndrimet e tyre. Të gjitha palët duhet të ulen në tryezë të përbashkët dhe kur arrihet komunikimi pastaj as zgjidhja e problemit nuk është larg për t’u arritur.
VV, AAK, NISMA protestën e radhës do ta mbajnë më 9 janar. Kërkesë e tyre do të jetë rrëzimi i pushtetit. Mund të arrihet kjo përmes protestave në Kosovë?
Mendoj që kjo gjuhë e përdorur nga liderët e opozitës nuk i shërben zgjidhjes së problemit politik për disa arsye: së pari kjo qeveri është zgjedhur me vullnetin e shumicës së qytetarëve, pra është legjitime dhe stabile; së dyti, çdo tentativë për rrëzim të pushtetit nga opozita është tentativë për konflikt civil sepse vullneti i pakicës nuk mund të imponojë vullnetin e shumicës.
Duhet të dijmë se dy partitë që udhëheqin sot vendin kanë rreth 700 mijë votues dhe përkrahës prapa dhe ata janë qytetarë të këtij vendi që e duan Republikën njësoj sikurse përkrahësit e opozitës. Atëherë shtrohet pyetja cila është logjika e kësaj çështje ? Pra, nëse opozita ka synim rrëzimin e pushtetit atëherë del se Demarkacioni dhe Bashkësia e Komunave Serbe janë trampolinë e tyre për të arritur tek qëllimi i vërtetë, pra marrja e pushtetit.
Të gjithë duhet ta dijnë se Republika e Kosovës i ka të gjitha mekanizmat e mbrojtjes së insitucioneve dhe të vetë demokracisë, prandaj do të më habiste tej mase nëse ndërmerret ndonjë veprim i tillë. Mos të harrojmë se patriotizmi më i madh sot është mbrojtja e këtyre institucioneve dhe ruajtja e stabilitetit politik dhe qytetar e jo shkatërrimi i tyre dhe ngjallja e frikës për ndonjë konflikt eventual brenda Kosovës.
Ju si analist si e shihni tejkalimin e krizës politike, konkretisht ç’farë propozimi jepni?
Propozimi im do të ishte: Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi të tërhiqet dhe të rishqyrtohet, kurse marrëveshja me Serbinë sa i përket Bashkësisë së Komunave Serbe të rinegociohet në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, në të dyja këto marrëveshje të përfshihen grupe të ekspertëve pozitë – opozitë. Kjo mendoj se do të ishte zgjidhje sa i përket krizës politike në vend.
Pra, do të kishte një tërhjekje të qëndrimeve nga qeveria për mos dorëzim para opozitës , por nga ana tjetër dhe reflektim të opozitës dhe tërhjeqja nga fjalori për rrëzimin e qeverisë.
Kurse sa i përket frikës se pala serbe mund t’i braktisë bisedimet pas këtij momentumi të ri politik, atëhere qeveria e Kosovës nuk duhet ta shoh veten fajtore për këtë, sepse Kosova nuk mund të bart përgjegjësitë e shtetit serb. Mos të harrojmë se Serbia shumë pak ka implementuar nga marrëveshjet e realizuara me qeverinë e Kosovës përgjatë këtyre viteve.
Zgjedhja e presidentit pritet të jetë një çështje e ndjeshme. A pritni që Thaçi të zgjidhet president. Nëse jo a do të bie koalicioni PDK-LDK?
Bazuar në marrëveshjen për koalicionin qeverisës të dy partive më të mëdha në vend PDK – LDK , parashihet dhe zgjedhja e Thaçit si president i Republikës. Kjo është e arritshme pasi që të dy partitë më të mëdha i kanë numrat në Kuvend për ta bërë një gjë të tillë. Mirëpo mendoj se nëse deri në kohën kur skadon mandati i presidentes Jahjaga vendi nuk do ta kalojë krizën politike, vështirë se është e realizueshme kjo pasi ndërkombëtarët nuk do të jenë në gjendje të shohin një opozitë që nuk njeh as institucionin presidencial.
Se a do të bie koalicioni PDK – LDK varet nga shumë rrethana, por vetëm një mundësi është që koalicioni PDK – LDK të bie dhe ajo është nëse Thaçi dështon të marrë votat e LDK-së në Kuvend; në të kundërtën mund të gjendet ndonjë zgjidhje më e përshtatshme, p.sh. mund t’iu ofrohet dhe të bindet njëra nga partite opozitare të bëhet pjesë e qeverisë.
Nëse mbahen zgjedhjet, cila parti do të dalë triumfuese? Po, në rast se opozita del në zgjedhje me listë të përbashkët zgjedhore mund të marrë pushtetin?
Në politikë gjithçka është e ndryshueshme dhe asgjë e pamundur, mirëpo në rast se opozita del me një listë të përbashkët, atëherë zgjedhjet do të ishin thjesht një malltretim për qytetarët. Në këtë situate, bazuar në shumë sondazhe që janë kryer PDK dhe LDK kanë përqindjen e njëjtë dhe kjo bënë që PDK të jetë e para dhe LDK e dyta. Atëherë prapë PDK do të lidhte koalicion me LDK-në si dy partitë më të mëdha, sepse PDK natyrshëm që do të përjashtonte listën e përbashkët të opozitës si mundësi për të bashkëqeverisur.
A pritni që këtë vit të ndodh liberalizimi i vizave?
Liberalizimi i vizave për Kosovën është bërë një barcoletë e bukur për tregim nga çdo politikan i Kosovës. Bashkimin Evropian nuk mund ta kushtëzoj një vend si Kosova, sepse çfarëdo deklarate e politikanëve kosovarë ndaj BE-së është e papjekur dhe e pamatur sepse Bashkimi Evropian nuk ka pranuar kurrë kushte nga asnjë vend që nuk është ende anëtar i saj.
Përgjegjësit kryesorë për mosliberalizimin e vizave janë liderët e vendit. Legjislacioni, zhvillimi ekonomik, stabiliteti poltitik janë kriteret kryesore për të fituar liberalizimin dhe të cilat janë përgjegjësi direkte e liderëve të vendit. Megjithatë, shpresoj se ky liberalizim të arrihet brenda 2016 do të ishte një vendim i mirë për një vend si Kosova ku qytetarët e këtij vendi të mund të udhëtojnë lirshëm nëpër Evropë.
Për fund, ç’farë befasie mund të ndodh këtë vit në skenën politike kosovare?
Viti 2015 ishte një vit shumë sfidues, së pari ishte vit i një qeverie të re me shumë risi në skenën politike, por më pas me shumë skena të papritura dhe të pa pëlqyeshme nga të gjithë.
Imazhe dhe situata të tilla të pakëndshme dëshirojmë dhe shpresojmë të mos përsëriten gjatë këtij viti, kjo edhe do të ishte befasia më e madhe e 2016-tës. /tesheshi.com/