Nga Ermir Hoxha
Deputeti socialist Ulsi Manja, anëtar i komisionit të ligjeve e njëherësh i komisioni për reformën ne drejtësi, është ndër ata që jo vetëm për shkak të pozicionit të tij politik, beson se vetëm kjo lloj reforme e nisur do e shpëtojë drejtësinë, por dhe vendin nga kthetrat e korrupsionit. Si një ish-prokuror, pra si njohës i sistemit, ai e shtjellon si ekspert fushe reformën, të cilën e beson si adapte për t`ia zbardhur faqen e zezë drejtësisë. Ndërsa politikisht, ai nuk e honeps dot faktin që Berisha vijon të bëjë moralistin dhe kalorësin e ligjit, gjë që e detyroi të rebelohej paksa ndaj qeverisjes së tij, dy javë më parë gjatë një fjalimi në parlament…
E ashtuquajtura reformë në drejtësi tashmë pret vetëm vulën e Komisionit të Venecias. Sipas jush, drafti i ekspertëve të nivelit të lartë çfarë modeli të drejtësisë na çon?
Drafti i ekspertëve të nivelit të lartë që pret të marrë opinionin e Komisionit të Venecias, nuk ka nje referim të qartë tek njëri prej sistemeve, por në këtë strategji janë përzgjedhur referime tek modele të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian që kanë qënë të sukseshme në vendet e tyre, duke ruajtur elementët e traditës tashmë të krijuar nga jurisprudenca shqiptare në gjithë këto vite. Bie fjala, në modelin e krijimit të SPAK (Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion), është marrë modeli dhe eksperienca e Kroacisë dhe Rumanisë.
Ndryshimet kushtetuese të propozuara, parashikojnë një rithemelim të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në kuptimin e transformimimit të funksionimit të vetë sistemit e jo thjesht në kuptimin e ndryshimit apo zëvendësimit të disa emrave me disa emra të tjerë, siç përpiqen ta etiketojnë këtë paketë kushtetuese ata që i druhen kësaj reforme. Drafti ekspertëve nuk është një listë dëshirash por një konkluzion i qartë i arritur pas një autopsie të thellë që i është bërë sistemit të drejtësisë në të gjithë komponentët e saj në 10 vitet e fundit; dhe kjo paketë ndryshimesh kushtetuese, në gjykimin tim, në një masë të konsiderueshme adreson për zgjidhje apo shëron, një kompleksitet sëmundjesh nga e cila vuan prej vitesh sistemi i drejtësisë në Shqipëri.
Sistemi i drejtësisë tek ne, në të gjithë zinxhirin e tij vuan prej vitesh nga mungesa e kontrollit, transparencës, llogaridhënies, profesionalizmit, mosefiçensës, mosefektivitetit, paaftësisë, politizimit ekstrem, mungesës së sistemi të karrierës etj.
Gjithë ky kompleksitet sëmundjesh ka prodhuar si produkt final kapjen e sistemit dhe korrupsionin galopant; dhe si pasojë të drejtpërdrejtë ka sjellë rrënimin e besimit të publikut tek drejtësia duke vrarë shpresat e tyre se ky vend mund të bëhet.
Unë mendoj që ky draft ndryshimesh kushtetuese është një përpjekje serioze për t’i dhënë një zgjidhje optimale kësaj problematike në drejtësi, pa pretenduar se është një paketë shterruese, pasi detaje të caktuara janë ende në diskutim në tryezat e organizuara me grupet e interesit dhe që ekspertët e nivelit të lartë po i konsiderojnë duke mbajtur shënim çdo sugjerim me vlerë. Rëndësi ka që paketa e ndryshimeve ka provokuar një debat të thellë publik pa kthim mbi nevojën akute të reformës në sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Shumë përfaqësues të Perëndimit po bëjnë thirrje për një ndryshim radikal në sistemin gjyqësor aktual, çka nënkupton edhe një shkarkim dhe rifillim nga zero të emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ju si mendoni?
Shikoni, është tjetër gjë ndryshimi radikal i sistemit të drejtësisë – dhe këtu kam parasysh jo vetëm gjyqësorin por dhe sistemin e drejtësisë penale në veçanti – dhe një gjë krejtësisht tjetër ndryshimi me një të rënë të lapsit i krejt trupës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka sot Shqipëria.
Personalisht bie dakort që sistemi aktual ka dështuar, por kursesi nuk mund të jem nihilist ekstrem kur flitet për trupën e gjyqtarëve dhe prokurorëve që shërbejnë në këtë sistem që po e mendojmë si të kalbur, sepse brenda këtij sistemi të bërë pis nga korrupsioni dhe paaftësia ka indivdë me integritet që i kanë shërbyer dhe i shërbejnë me përkushtim drejtësisë dhe shtetit ligjor dhe do ishte e padrejtë që t’u mohohet vazhdimësia e karrierës në profesion.
Unë reformën në sistemin e drejtësisë e shoh si reformë për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie gjyqtarësh dhe prokurorësh të ndershëm që në këtë betejë reformimi janë dhe duhet të jenë aleatë të domosdoshëm për ta çuar përpara këtë reformë.
Reforma në sistemin e drejtësisë në rradhë të parë është reformë për të ndershmit e sistemit, për ata që jetojnë me rrogën e shtetit dhe ndershmërinë e tyre, dhe jo për ata gjyqtarë dhe prokurorë që e kanë kthyer dhënien e drejtësisë në biznes fitimprurës dhe që nuk kanë asgjë të përbashkët me drejtësinë.
Komisioni i vlerësimit që parashikohet si aneks i kësaj pakete, ka në thelb ndarjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm nga turma e biznesmenëve të drejtësisë nëpërmjet një procesi transparent dhe objektiv që nuk përkthehet si marrje në provim të trupës aktuale, siç e trumbetojnë me të madhe ata që janë kundër reformës, por duke u nisur nga kritere objektive të tilla si verifikimi i pasurisë, i lidhjeve me krimin e organizuar dhe i vlerësimit të performancës duke u nisur nga një sistem vlerësimi me pikë që ka vite që i nështrohet ky sistem.
Përtej retorikës politike të opozitës, gjej rastin t’i ftoj gjyqtarët dhe prokurorët ta lexojnë siç duhet draftin e ndryshimeve përpara se të japin gjykimin e tyre mbi të, dhe jo të nisen nga konsiderata dashakeqe të bëra publike nga opozita apo segmente të caktuara brenda sistemit gjyqësor.
Përse pjesët e reformës në drejtësi, pra të formimit dhe përbërjes së institucioneve i keni “futur” brenda Kushtetutës kur mund t’i bënit si ligje normale?
Parashikimi në Kushtetutë i mënyrës së formimit dhe përbërjes së institucioneve të caktuara të drejtësisë është parë si një element i garancisë thelbësore që duhet të kenë këto institucione ndaj goditjeve të pushteteve të tjera, përfshi edhe politikën e radhës.
Natyrisht që ligjet organike që do të miratohen pas miratimit të kësaj pakete kushtetuese do të definojnë specifikat e organizimit dhe funksionimit për secilin organ kushtetues, por garancia dhe rojtari kryesor i këtyre institucioneve do jetë vetë Kushtetuta e vendit.
Ka disa mendime se reforma është hartuar në mënyrë të tillë që pas saj janë menduar edhe emrat e gjyqësorit. Si do t’i përgjigjeshit ju?
Do të duhet të isha shumë naiv për ta menduar një gjë të tillë, sepse këtu nuk bëhet fjalë për një apo dhjetë emra të përveçëm njerëzish që paskan në dorë të iluminojnë sistemin, në qoftëse bëhen pjesë e tij.
Nëse ka njerëz që fatkeqësisht e mendojnë reformën në këtë mënyrëm do të kishte qënë shumë e lehtë që këto supermenë të pastërtisë së sistemit t’i gjenim dhe sa hap e mbyll sytë e t’i bënim pjesë të sistemit pa i hyrë gjithë kësaj rruge të gjatë.
Nuk ka emra pas kësaj reforme, sepse praktikisht është e pamundur një gjë e tillë.
Ne besojmë se reforma në sistemin e drejtësisë nuk do të ishte e plotë nëse nuk merr në sitë kapacitetet dhe burimet njerëzore që ka në dispozicion, por ky është një komponent minor i kësaj reforme. Ajo që ne besojmë është reformimi i thellë i sistemit si i tillë duke u nisur nga parimi se “sistemi korrupton njerëzit dhe jo njerëzit sistemin”.
Në ndryshimet Kushtetuese është parashikuar një prokuror i fortë me 9 vjet mandat dhe që zgjidhet me 3/5. Mos po krijohet kështu një insitucion që mund të kthehet edhe në “monstër” i pakontrollueshëm?
Mënyra e zgjedhjes dhe mandati i Prokurorit të Përgjithshëm janë parë si element garancie dhe përgjegjshmërie në ushtrimin e detyrës dhe jo si element të një mbipushteti të papërgjegjshëm dhe të pakontrollueshëm.
Modeli i prokurorisë që propozohet në këtë paketë kushtetuese tenton të ndajë qartësisht menaxhimin dhe kontrollin administrativ të prokurorisë nga menaxhimi dhe kontrolli procedurial, si elementë thelbësorë në ushtrimin e ndjekjes penale dhe hetim.
Në këtë aspekt, kemi një ridimensionim të ri të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm si menaxher i organit të prokurorisë dhe si autoritet i fillimit të ndjekjes penale; dhe në këtë drejtim parashihet edhe figura e drejtuesit të prokurorisë lokale; dhe nga ana tjetër kemi një forcim të rolit procedurial të prokurorit të çështjes si figurë kyçe në hetim dhe vendimmarje duke i mëshuar fort kontrollit gjyqësor mbi prokurorinë.
Propozohet një model i kombinuar dhe i kontrolluar i decentralizimit të organit të prokurorisë, për ta zbritur nivelin e përgjegjësisë për hetimin dhe vendimmarjen tek prokurori i çështjes, pra tek ai që mbledh dhe gatuan provat e hetimit; dhe në gjykimin tim si ish-prokuror një gjë e tillë do duhej të ishte bërë me kohë, sepse organi i prokurorisë e ka vuajtur në kurriz këtë formë absurde dhe joproceduriale të centralizimit ekstrem dhe, prokurori i hetimit apo i çështjes penale, quajeni si të doni, shpeshherë ka qënë viktimë e procedimeve disiplinore të padrejta në rastet e dështimit të akuzës apo marrjes së pafajësisë në gjykatë, kur ndërkohë vendimmarja ka qënë e shefave të tyre për shkak të respektimit të këtij centralizimi pa lidhje.
Unë këtë e shoh si element të rritjes së përgjegjshmërisë dhe rolit të prokurorit të çështjes, si në drejtim të suksesit ashtu edhe të dështimit.
Pra, drafti parasheh një zbehje të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm si figurë autoritare proceduriale duke e zbritur këtë fuqi drejt prokurorit të hetimit dhe kontrollueshmërisë së vendimarjes nga gjykata, sepse në fund të fundit drejtësi jep gjykata dhe jo prokuroria.
Këtë parashikim ka të shprehur Kryeprokurori i Përgjithshëm si frymë proceduriale, ndërkohë Kushtetuta dhe ligji organik aktual i prokurorisë e detyronte prokurorin të ecte në rrjedhën e kundërt për shkak të centralizimit.
Personalisht jam për këtë model të organzimit të prokurorisë me disa rregullime apo definime konceptuale që shpresoj se do të merren në konsideratë pas ardhjes së opinionit të Venecias.
Si ish-prokuror, ju keni qenë dhe brenda sistemit. Ata që e shohin nga jashtë, a kanë të drejtë kur e quajnë një korporatë fitimprurëse dhe vështirë për t`u shpërbërë, ngase janë në një mbështetje të njëri-tjetrit (prokurorë & gjyqtarë) me një pakt të heshtur?
Si në çdo profesion, edhe në drejtësi ka një farë solidariteti profesional dhe njerëzor; dhe nëse ky solidaritet ushtrohet në funksion të mbrojtjes së integritetit të vetë sistemit nga goditjet e padrejta që i bëhen atij nga jashtë ose nga Brenda, do të ishte pa diskutim një solidaritet i nevojshëm dhe pozitiv, por nëse ky solidaritet do të bëhej në funksion të mbrojtjes së interesave personale të paligjshme të njëri-tjetrit, kjo mbështeje do të ishte jo vetëm korporativiste por edhe e ndëshkueshme penalisht në kuptimin e mbulimit apo fshehjes së abuzimit me detyrën shtetërore apo funksion publik.
Në pamje të parë ka një frymë korporativiste, sepse sistemi i drejtësisë është i pavarur në kuptimin e organizimit kushtetues por jo i pavarur nga zbatimi i Kushtetutës dhe ligjit; dhe për të qënë korrektë dhe i sinqertë, mua nuk më duket i pathyeshëm dhe i pacënueshëm ky sistem kur vjen puna te shkelja e ligjit.
Dhe rastet e arrestimeve të fundit në rradhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, tregojnë krejt të kundërtën ndryshe nga sa ndodh në korporatat e tjera të pushtetit.
Rama e sheh nga perspektiva e sistemit rregullimin e çështjeve dhe jo aq nga morali individual, sipas parimit të proklamuar fort prej tij se “është sistemi ai që prish individin”. Vlen kjo dhe tek Drejtësia? Pra, që morali individual nuk luan asnjë rol?
Po, madje tek drejtësia ky parim vlen më shumë se kudo, sepse në një sistem drejtësie të konsoliduar dhe të mirëorganizuar, elementët e korruptuar në mos herën e parë të dytën është e sigurtë se do të dalin si tapa mbi ujë, sepse pushteti gjyqësor është i organizuar dhe i kontrolluar në tre nivele gjykimi apo kontrolli.
Keni bindjen se kjo reformë do jetë historike për Shqipërinë, në kuptimin që vërtet do jepen shenja se korrupsioni në Drejtësi do nis të ç`rrënjoset ?
Quajeni si të doni, në daç historike e në daç themelore, por më besoni është e vetmja rrugë për të dalë nga tranzicioni dhe dëshpërimi që e ka mbërthyer shoqërinë shqiptare. Asgjë nuk ka më të dhimbshme për njeriun se sa padrejtësia; dhe sistemi i drejtësisë është tavani mbi të cilin mbetet vetëm shpresa tek Zoti.
Unë besoj fort se një sistem drejtësie i pastër nga korrupsioni dhe funksional në kuptimin e zbatimit të Kushtetutës dhe ligjit, është premisë e vetme për ta pastruar politikën e këtij vendi nga politikanët e korruptuar, dhe administratën nga halldupët dhe zhvatësit e përditshëm të fondeve publike dhe taksave të shqiptarëve. Kjo është bindja ime për të cilën do të luftoj deri në fund për sa kohë do kem mandatin e ligjvënësit.
Një pyetje sa njerëzore aq dhe politike: ju vjen keq të shihni një koleg tuajin, një prokuror në pranga, siç së fundit z. Giu dhe, ku ndodhet ai cak ku mund t`ju vijë dhe mirë?
Nga pikëpamja njërëzore askujt nuk ja uroj derën e burgut, aq më tepër një prokurori që në zhargonin profesional burgu konsiderohet “ magazina ” e tij.
A ka një cak që përtej ndjeshmërisë njerëzore dikush mund të ndjehet mirë kur sheh të arrestohet një njeri i zbatimit të ligjit? Kur vihet në këtë pikë, fillon ndeshja mes moralit dhe ligjit, por ne jemi shoqëri e organizuar mbi bazën e ligjeve të shkruara dhe caku është i paracaktuar dhe i kondicionuar tek zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë.
Ajo që vlen të diskutohet në rastin e arrestimit të prokurorit Giu, në rafshin moral është mënyra e të sjellurit me ligjin në momentin e arrestimit të tij; dhe këtu mendoj që skena të tilla moralisht dhe proceduralisht, në kuptim të marrjes dhe fiksimit të provave materiale, do të duhet të ishin kursyer nga ana e policies, ndoshta edhe për faktin se kemi të bëjmë me një njeri aktiviteti profesional i të cilit nuk mund të gjykohet vetëm nga ky rast aksidental në karrierën e tij, dhe që në fund të fundit do të duhet të flasë drejtësia, një drejtësi që do të duhet të jepet pa as më të voglin selektim.
Në një fjalim tuajin në parlament para dy javësh, shfaqët ca shenja pakënaqësie ndaj qeverisjes. Më qartë, me çfarë nuk po jeni dakort ?
Fjala ime në parlament, motamo ishte mbështetje e fortë për qeverinë dhe një kritikë për mënyrën e qeverisjes, në kuptimin e trajtimit dhe shpejtësisë me të cilën po ecet në dokumentimin dhe zbardhjen e abuzimeve maramendëse të bëra për 8 vjet nga ish-qeveria Berisha.
Berishës nuk i duhet dhënë më asnjë shans për të bërë moralistin dhe kalorësin e shtetit ligjor, sepse këto dy parime nuk kanë kurrfarë lidhje me atë si njeri dhe si politikan, përsa kohë ka mbi shpinë jo vetëm korrupsionin dhe shitjen e pasurive kombëtare por edhe katër jetë njerëzish të pafajshëm të vrarë në mes të bulevardit më 21 janar dhe për të cilën do të duhet të përgjigjet para drejtësisë; por edhe në i shpëtoftë asaj, një ditë do të përgjigjet para Zotit, sepse të gjithë jemi qënie të vdekshme. Dhe në këtë kuptim,qeveria do të duhet të ecë më shpejt, sepse në atë sallë nuk mund të jemi njëlloj, Ne me Berishën dhe të tijtë, në aventurën e tij të talljes dhe rrënimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve për 25 vjet me radhë.
Rilindja nuk ka kohë për të humbur në rrugën e saj për të bërë shtetin që duam, ndaj duhen hapur dhe luajtur të gjitha kartat për këdo që ka abuzuar me ligjin, Shqipërinë dhe shqiptarët, pavarësisht se nga vijnë dhe kujt i përkasin, sepse për këtë kemi marë afro 1 milion vota të konfirmuara përsëri më 21 qershor 2015.
Dhe për ta përmbyllur, ç`po shkon dhe ç`nuk po shkon mirë në përpjekjen për ta bërë realitet vizionin rilindas të së majtës ?
Jemi në mes të mandatit dhe në kulmin e përpjekjeve për të mbyllur gropat e zeza të hapura gjithandej në atë që quhet “thesi i shtetit”, kur në fakt nga Berisha nuk trashëguam as thes.
Reformat janë e vetmja rrugë për shpëtim, por ajo që ka nevojë më shumë se kurrë që të përmbyllet aq sa mundet vizioni rilindas i së majtës, është optimizmi dhe shpresa që duhet të përçojnë reformat tek shqiptarët dhe besimi tek një e nesërme më e mire, dhe për këtë duhen sqaruar njerëzit.
Duhet ulur rrafsh me ta, që t’u sqarohet gjendja dhe të kërkohet solidariteti dhe mirëkuptimi i tyre për këto reforma. Ka nisur një dialog me slloganin “Të pastrojmë më tej Shqipërinë”, që do të duhet të jetë dinamik dhe i përhershëm, por ama edhe zullumet e djeshme të opozitës së sotme në qeverisje nuk duhet t’i lëmë t’i mbulojë pluhuri, sepse vetëm kështu bëhemi të besueshëm në seriozitetin e reformave për ndërtimin e shtetit ligjor, që në rastin e dritave dhe të ndërtimeve pa leje shqiptarët treguan se e mbështesin këtë vizion të Rilindjes.
Kohë për të bërë gjëra të mira dhe ashtu siç duhet ka. Thjesht na duhet më shumë energji dhe shkundje e administratës, sepse tek e majta dhe qeveria e saj ka akoma shpresë. Alternativë dhe rrugë tjetër nuk ka. /tesheshi.com/