Kremlini ka deklaruar se qëndrimi i administratës së presidentit amerikan Donald Trump, i cili përjashton anëtarësimin e Ukrainës në NATO, është i pëlqyeshëm për Moskën.
Megjithatë, Kremlini nuk pranoi të komentojë mbi shpresat e Trump-it për të arritur një marrëveshje këtë javë.
I dërguari i SHBA, gjenerali Keith Kellogg, tha të dielën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO “nuk është një opsion”. Trump ka thënë vazhdimisht se mbështetja e mëparshme e SHBA për përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n ishte një nga shkaqet e luftës.
“Ne kemi dëgjuar nga Uashingtoni, në nivele të ndryshme, se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i përjashtuar. Sigurisht, kjo është diçka që na kënaq dhe përkon me pozicionin tonë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, raportoi Reuters.
Peskov tha se anëtarësimi i Ukrainës në aleancën e udhëhequr nga SHBA “do të përbënte një kërcënim për interesat kombëtare të Federatës Ruse. Dhe, në fakt, ky është një nga shkaqet kryesore të këtij konflikti.” /tesheshi.com/