Mësohet se drejt Antalias, aty ku bëhet ndoshta përpjekja më e madhe për të shuar jo vetëm zjarrin në frontin ukrainas por ndoshta dhe një luftë të mundshme botërore, do udhëtojë dhe i pari i qeverisë shqiptare, Edi Rama.
Edhe pse aspak aktor botëror, natyrshëm jo për vetë vendin që udhëheq, por gjithsesi aktor në zhvillime rajonale jo pa delikatesë, mësohet se kryeministrit shqiptar i është dhënë një rol për të luajtur në negociatat që po zhvillohen në qytetin turistik turk, që është njëherësh dhe destinacioni i preferuar i turizmit rus.
Flitet madje për një takim tresh mes tij, Erdoganit dhe Lavrovit, gjithsesi jo i deklaruar apo i konfirmuar zyrtarisht, pasi me gjasë nuk do jetë zyrtar. Apo siç thuhet ndryshe, do jetë joformal.
Kujtojmë se ditë më parë, Moska do e listonte Shqipërinë si “vend armik”, ndërkohë që dhe me gojën e vetë Lavrovit e më pas Putinit, është thënë se në frontin ukrainas ka dhe rekrutë shqiptarë që luftojnë, sipas tyre, kundër rusëve. Sipas një përkthimit diplomatik, kjo do të thotë se Rusia, në një momen të caktuar e ka në llogaritë e saj dhe Shqipërinë.
Gjithsesi, në një rast të tillë, qetësia vjen më shumë se nga NATO nga Turqia, e cila në asnjë rast nuk do lejonte t’i cenohej një vend që e ka “nën kujdesin” e saj për çdo rast, siç e pati së fundi në dy kriza, tërmetin dhe pandeminë.
Interesant është fakti se Rama, në këtë takim të mundshëm me Lavrovin dhe Erdoganin, do jetë aty dhe me mandat amerikan.
Kujtojmë gjithashtu se në vetmin takim zyrtar që kryeministri shqiptar ka patur me shefin e diplomacisë ruse, atë gjatë një vizite në Donbas dhe më pas në Moskë, në rolin e kreut të OSBE-së, zhvilluar dy vjet më parë, do e vlerësonte publikisht Lavrovin, paçka qëndrimeve të kundërta, si një personalitet të diplomacisë botërore. /tesheshi.com/