Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka konfirmuar se UEFA ka shprehur shqetësimin për punimet në stadiumin e Prishtinës. Pas një takimi të martën me zyrtarë dhe inspektorë të UEFA-s, FFK ka thënë se aty u kërkua angazhim më i madh i FFK—së, Ministrisë së Sportit dhe punëkryesit.
“Të martën krerët e FFK-së u takuan me zyrtarë dhe inspektorë të UEFA-së, të cilët vizituan stadiumin e Prishtinës ku shfaqen shqetësimet e tyre për rrjedhën e punimeve duke sugjeruar një angazhim më të madh të FFK-së, MKRS dhe punëkryerësit në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më parë”, thuhet në njoftimin e FFK-së për mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv.
FFK tash nuk ka treguar datë për përfundimin e punëve në këtë stadium.
Në këtë mbledhje u bisedua se duhet të vazhdohet me fillimin e implementimit të projekteve të ndërtimit të 12 fushave si dhe Qendrën teknike stërvitore në Obiliq.
“KE gjithsesi mendon se top prioritet edhe më tutje mbetet rinovimi i stadiumit të Prishtinës si domosdoshmëri për ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kombeve të Kombëtares ‘A’”, thuhet më tej në njoftim. /tesheshi.com/