Nisur në fund të viteve 1950 në kohën e boom-it kulturor në Suedi, metroja e Stokholmit tashmë është shndërruar në një vend udhëtimi prej 70 miljesh përgjatë pesë dekadash të historisë së artit europian.
Thellë në nëntokën e 14 ishujve që përbëjnë Stokholmin, me tunele në detin Balltik që përbëjnë një koleksion rrugësh ujore, shtrihet ekspozita më e “gjatë” e artit botëror. Ajo nis në
T-Centralen në qendër të qytetit përpara se të rrjetëzohet për 70 milje rreth e rrotull. Metroja e Stokholmit shërben si një udhëtim i vazhdueshëm përmes analeve të pesë dekadave të historisë së artit europian.
Përmes pikturave, gdhendjeve, skulpturave dhe mozaikëve, ndërsa metroja hapet përpara, ajo kap çdo gjë që nga trazirat politike deri post-modernizmin. Në mënyrë simultante, ekspozita apo metroja reflekton tërheqjen e hershme të Stokholmit me nëntokësoren. Ky është, në fund të fundit, një qytet ku ndodhet edhe hoteli më i thellë në botë, 500 këmbë poshtë tokës, në tunelet e errëta të një miniere të vjetër argjendi.
Ideja e krijimit të artit në metro vjen nga nje debat që është ndezur që në fund të shekullit të 19-të. Shumë njerëz ndjenin se arti kishte nevojë që të ishte i disponueshëm për një komunitet më të gjerë sesa të ishte thjesht kulturë e konsumuar në sallonet e elitës suedeze.
Ky imazh u bë realitet në fund të viteve 1950 si pjesë e një ideologjie të re politike të quajtur Folkhemmet apo “Shtëpia e Popullit” drejtuar nga partia suedeze socialdemokrate. Ndërsa pjesa më e madhe e Europës ishte ende duke u rimëkëmbur ekonomikisht nga lufta e Dytë Botërore neutraliteti i Suedisë dhe niveli i lartë i taksës mbi të ardhurat krijuan hapësirën që socialdemokratët të kishin bollëk parash për të përmbushur vizionet e tyre. Folkhemmet paraqiti shërbimin shtetëror të kujdesit shëndetësor dhe të mirëqënies sociale për herë të parë në Suedi, dhe nxiti diçka të ngjashme me një boom kulturor.
“Socialdemokratët mendonin se arti nuk duhet të jetë i izoluar, por duhet të ishte pjesë e Stokholmit”, thotë Birgitta Muhr, skulptore e kontraktuar për të punuar në stacionin Högdalen gjatë vitit 2002. “Stokholmi po zgjerohej dhe shumë njerëz përdornin metronë për të shkuar në punë. Nevojitej krijimi i një sistemi linjash të metrosë për të lidhur qytetin dhe ata dëshironin që arti të përcillej tek secili burrë apo grua që e përdorte atë. Ekzistonin llotari në të cilat mund të fitoje një koleksion printimesh nga një piktor i famshëm për një çmim të lirë dhe më pas nisi edhe një garë për të gjetur artistët që të pikturonin dhe të krijonin skulptura për T-Centralen.”
Një projekt i ngjashëm kishte nisur në Moskë 20 vjet më herët, mirëpo në vend që t’i bënin homazhe regjimit, si ndodhte në Rusinë staliniste, artistët përzgjodhën të punojnë në stacionet e para të metrosë së Stokholmit të frymëzuar nga krijimet minimaliste dhe abstrakte që krijoheshin në Paris dhe Nju Jork.
Mes tyre ishte një piktore dhe skulptore e quajtur Siri Derkert, një ish-lidere e Svenska Kvinnors Vänsterförbund, apo Shoqatës së grave të majta suedeze. Ajo u kontraktua të dizenjonte Östermalmstorg në fillim të viteve ’60, një stacion që duhej të shërbente si strehë në rast të një sulmi atomik. Me tensionet e Luftës së Ftohtë që arritën kulmin me krizën kubane të raketave në vitin 1962, një gjë e tillë dukej realiste.
Një aktiviste dhe avokate e fortë për paqen, të drejtat e grave dhe lëvizjen e gjelbër, Derkert zgjodhi të përfshinte mesazhin e saj në krijimin që iu kërkua. Muret e Östermalmstorg janë të mbushura me vizatime shumëngjyrëshe me qymyr, të kapura në tavan me çimento duke përdorur teknikën e plasjes me rërë, për t’i vënë në dukje në një mugëtirë gati luminishente, 100 këmbë nën tokë. Pikturat tregojnë figura të rëndësishme grash, si shkrimtarja britanike, Virginia Woolf dhe matematikania Hypatia, që dha mësime filozofie dhe astronomie në Greqinë e lashtë, së bashku me tekste nga kënga revolucionare franceze, Marsejeza.
Ndërsa vitet ’70 po perëndonin, një valë e re krijimesh u përfshinë në metro, të menduara për vepra më zemërake e radikale. Në Solna Centrum, qielli i kuq si gjaku i natës qëndron mbi kubenë e stacionit të projektuar si shpellë në kontrast të fortë me një pyll bredhash që zgjatet për gati një kilometër mbi mure. Pikturuar nga Anders Åberg dhe Karl-Olav Bjork në vitin 1975, ky peisazh pothuajse demoniak është shndërruar në një nga imazhet më ikonë të metrosë së Stokholmit, një deklaratë sociale kundër shpopullimit të zonave rurale dhe shpyllëzimit që po ndodhte në Suedi në atë kohë.
“Arti ishte shumë politik në Suedi në vitet 1970”, thotë Fredrik Landegren, i cili pikturoi stacionin Fruängen rreth një dekadë më parë. “Nëse nuk do kishte një mesazh të fortë pas punës tënde, kishe pak shanse të të ofrohej një punë në metro. Por unë mendoj se kjo ishte situata e artit kudo në Europë. Gjendja ndryshoi në vitet ’80 kur gjërat u bënë më shumë individualiste dhe më pas me post-modernizmin”.
Me ardhjen e viteve 1990, fokusi kaloi në përmirësimin e stacioneve të lëna pas dore dhe në fundin e linjave që nuk ishin mbushur ende me punime artistike. Kur Muhr hyri në garë për të krijuar një skulpturë për stacionin Högdalen, ajo u prek nga izolimi që ndjeu aty.
“Högdalen është një stacion i jashtëm me një park të madh në njërën anë dhe një rrugë kryesore në anën tjetër”, shpjegon ajo. “Fryn shumë erë dhe ndjehet vetmia atje, përveç se në orarin e pikut të trafikut. Stacionet e metrosë mund të jenë zona të vështira natën kështu që unë dëshiroja të shtoja pak shoqëri në platformat e udhëtarëve. Vendosa të bëj këta tulipanë në bronx. Ata janë dizenjuar që të duken sikur po presin trenin e radhës. Shpresoja që kjo të bëntë të buzëqeshnin sado pak njerëzit që prisnin afër tyre, edhe pse vetëm për një moment”.
Landegren u përfshi në të njëjtën mënyrë nga ideja e krijimit të një mjedisi më të ngrohtë për pasagjerët që prisnin trenin. Frymëzimi i tij fillestar për Fruängen erdhi ndërsa ai qëndronte i ulur në kuzhinën e vet. “Përpara se të nisja, ky stacion ishte një vend kaq i tmerrshëm, tërësisht gri. Dhe kështu, unë po shihja copat e tekstilit në tavolinën e kuzhinës sime dhe kuptova se ato përfaqësonin vërtet ndjesinë e të qënit në shtëpi dhe të të ndjerit i sigurtë. Kështu që nisa punën me këto motive me ngjyra të forta”.
Por, ndërsa shumë nga punimet përgjatë metrosë janë vjetëruar, si kapsula të udhëtimit në kohën kur u krijuan,
Landegren dëshironte të krijonte diçka më jetëgjatë, tek e cila mund të mbështeteshin pasagjerët në çdo kohë.
“Më kushtoi tre vjet por unë krijova këto tetë mozaikë përgjatë stacionit, secili përfaqëson një fazë të ndryshme të jetës”, thotë ai. “Quhet Fytyra të jetës sonë. Unë dëshiroja që njerëzit të jetojnë me to. Kështu që kur të jenë të rinj ata mund të lidhen me djalin e vogël, ndërsa kur të moshohen, mund të njohin veten edhe një herë tjetër. Asnjë nga mozaikët nuk ka emër. Dëshiroja që fytyrat të flisnin vetë”.
Fytyrat e jetës së Landegren ishin frymëzuar nga familja e vet dhe nga skena të filmave si Madam Bovari. Ato përfshijnë një foshnje, një fëmijë të vogël dhe në fund, një zonjë të moshuar. “Fytyra e saj duket e përvujtuar dhe njëkohësisht plot mençuri, por ndoshta edhe pak e trishtuar”.
Përgjatë gjysmës së shekullit të kaluar, shumë artistë janë shndërruar në emra ikonë në Suedi për shkak të punimeve të tyre në metronë e Stokholmit. Por, tashmë që më pak stacione janë në ndërtim, ekspozita gjigande është duke ngadalësuar zhvillimin. Punime më të vjetra gradualisht po zëvendësohen dhe po shtohen të reja.
Skulptori Christian Partos në punët e tij në Hasselby Strand përvijon trende futuriste të transportit për shekujt që vijnë. “Eshtë pak si trill shkencor”, thotë ai duke qeshur. “Po ëndërroja për një sistem transporti ku ti arrin në stacion dhe teleportohesh direkt. Dhe krijova një linjë historie përmes mozaikëve ku provat e para të këtij lloj transporti me lizard dhe kafshë të tjera, përfundojnë gabim dhe ata mbeten të bllokuar në kohë sipër mureve.
Landegren thotë se fluksi i vazhdueshëm i ideve të reja që vijnë me secilin brez të ri është pjesë e asaj që e bën këtë metro kaq unike.
“Jam 57 vjeç dhe puna ime në Fruängen është aty prej dhjetë vjetësh”, thotë ai. “Ndërsa dekadat kalojnë, frymëzohesh me
mendime dhe shprehi të reja. Artistë të rinj dalin dhe ajo që ata bëjnë është shumë e ndryshme për brezin tim. Bukuria e metrosë është se mund të nisesh nga T-Centralen, nga fillimi, që na kujton ku kemi qenë dhe të udhëtosh e të përjetosh sesi ndryshojnë gjërat. Eshtë një udhëtim në kohë përmes artit suedez”, thotë ai.
Përgatiti: Juli Prifti: /tesheshi.com/