Nga Sarah Khan*
Njëherë e një kohë, në një tokë jo shumë larg, qëndronin malet e smeralta dhe lumenjtë kristalorë, me shtëpi prej guri dhe kanione të bashkuara nga ura të larta që shkonin drejt qiellit. Kjo tokë mbresëlënëse kishte edhe një emër të këndshëm: Bosnja dhe Hercegovina, që rimonte me ato të filmave.
Ndonëse tokat e përrallave si “Neverland”, “Utopia”, e “Arendela”, nuk ekzistojnë fare, edhe ky shtet për pak sa nuk u fshi nga harta e botës, për shkak të lakmive çnjerëzore.
Për Bosnjën, kjo histori nuk është aspak përrallë.
Sado që isha e përgatitur për rrugë, nuk ma preu mendja atë që do të shihja. Isha e vendosur në një apartament pranë aeroportit të Sarajevës, dhe secili objekt mbante një shenjë të historisë. Sa shihje një shtëpi pa dritare, si një dhëmb i rënë nga goja, e sa shihje një zgavër në mur.
“A janë këto mbetjet e luftës?” e pyeta taksistin i cili nuk u përgjigj, me gjasë, për të më lënë vet të kuptoj përgjigjet.
Vragat e mbetura janë kujtim i se dikurshmes së ligë, jo nga ndonjë shtrigë, por nga një pushtet lakmitar i fqinjëve.
Në Bosnje e gjeta skenarin që i përshtatet një përralle ideale platonike, me minaret që shpojnë qiellin dhe një natyrë që ta kujton domosdo fëmijërinë.
Nuk e di pse ky qytet duket si një arenë luftimesh kalorësish e mercenarësh që përdorin kuajt për të dominuar.
Sarajeva, një qytet i rilindur
Dikur e rrëzuar përtokë, Sarajeva ka rilindur mbi gërmadha, por ka mbajtur në duar djepin e djegur të para tri dekadave – si rrëfim unik pa zë.
Në Bascarsija, lagjen e vjetër me rrugë labirinth në zemër të Sarajevës, shëtita nëpër korsi të ndryshme të pazarit të shekullit të 16-të. Ai ishte pazar i periudhës osmane që dikur ishte i caktuar për artizanë të ndryshëm: Farkëtarët godasin tak-tak-tak, duke krijuar mjete hekuri për kuzhinë. Ata quhen ndryshe edhe kovaçë, që rrjedh nga gjuha boshnjake, me kuptimin “gatues”.
Dyqanet shtrihen në simetri dhe në një hapësirë të pafund. Aty gjen kënd për të pirë çaj e kafe, por edhe për të blerë pantofla lëkure dhe vepra arti që janë krejtësisht origjinale.
Por ajo që më kapi syrin më së shumti, ishin troqet e dyerve të veshura me bronz dhe argjend. Troku i quajtur “Zvekir” është simbol i qytetit, që paraqitet edhe në stemën e kantonit të Sarajevës; ajo paraqet mikpritjen e boshnjakëve.
“Njerëzit këtu janë të ngrohtë, mbase për shkak të rrënjëve të tyre të besimit,” thotë Reshad Strik, pronari i një kafeje të quajtur “Ministria e Qejfit”, teksa më mbush një kafe tradicionale të zezë, me shije të hidhur por të jashtëzakonshme.
“Mbase për ata kemi konflikt tërë kohën. Jemi shumë mikpritës”, thotë Strik.
Bosnja ka një histori të pasur të musfirëve, herë të mirëpritur e herë jo. E konsideruar si “koordinata e Ballkanit” që ndanë lindjen dhe perëndimin, ajo nuk la “mysafir” pa pranuar, duke nisur nga Romakët e Gotët, deri te Bizantinët e Osmanët.
Por kulmin me gjasë ia vënë fqinjët lajmitar që shkaktuan luftën më të tmerrshme që ka pasur Europa që pas Luftës së Dytë Botërore.
Për konspiracionistët që besojnë se diku është “kërthiza e botës”, mund t’ua japim një ide: Ajo është në Bosnjë.
Ajo kërceu sa te Romakët e sa te Bizantinët, përpara se të pushtohej nga turqit në shekullin e 15-të, duke u shndërruar në postin perëndimor të perandorisë osmane – derisa Hapsburgët erdhën dhe e gëlltitën si pjesë të Perandorisë Austro-Hungareze.
Lufta e Parë Botërore shpërtheu pas vrasjes së Dukës Franz Ferdinand pranë urës latine të Sarajevës; dhe tek pas Luftës së Dytë Botërore, Bosnja u bashkua me Kroacinë, Serbinë, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Slloveninë si pjesë e Jugosllavisë Komuniste.
Pastaj, në vitet 1990, kur Jugosllavia nisi të shpërbëhej, u shpërbë dhe civilizimi njerëzor. Serbët e krishterë dhe ortodoksë, kroatët katolikë dhe boshnjakët muslimanë, të cilët kishin jetuar për gjenerata në një shoqëri multietnike, papritmas u bënë “të rrezikshëm” për njëri tjetrin.
Sarajeva mbeti e bllokuar në rrethimin më të gjatë në luftën moderne, gjatë së cilës forcat serbe të ish-ushtrisë jugosllave, ranë mbi një qytet të pambrojtur. Për 1,425 ditë ose pothuajse katër vjet – nga viti 1992 deri në vitin 1996 – qyteti u shkatërrua dhe më shumë se 10,000 njerëz humbën jetën.
E megjithatë, sarajevasit duruan. “Qyteti jetonte, njerëzit luftonin psikologjikisht”, thotë Zana Karkin, pronare e një butiku të modës së vjetër, në lagjen më të vjetër të qytetit.
Ajo kujtoj se si njerëzit visheshin bukur dhe shkonin në festa, sa për të mbytur mërzinë e rrethimit dhe tmerrit.
Një nga fotografitë e luftës që kishte marrë vëmendje është ajo e një muzikanti që i bie harmonikës mbi rrënoja.
Muzikanti, i cili pjesë e Operës së Qytetit, atëbotë ishte bërë simbol i mbijetesës dhe qëndrueshmërisë.
Në secilin hap gjej relikte lufte që ishin ruajtur me kujdes, për t’u siguruar gjeneratave që të mos shkelin mbi pluhurin e luftës me kryelartësi.
Edhe fëmijët blejnë lodra që bëhen nga materialet që la lufta. Është shumë normale të gjesh mozaik me plumba në dyqanet e suvenirëve.
Ngado që e kthen kokën, sheh se qytetarët e Sarajevës shkelin mbi tokën e tyre sikur të shkelin mbi petale lulesh.
Kur e pyeta njërin se nga gjenden varrezat e qytetit, ai më tha: “Ngado të shkosh gjen varreza”.
Ndonëse e nderojnë historinë, ata jetojnë jetën. Aty gjen të rinj e të reja të veshur me stil, kush me veshje islame, kush me stil “casual”, e kush të ndërthurur me të dyja.
Përrallëza vazhdon në rajonin jugor të Hercegovinës, ku majat e thepisura dhe pyjet e virgjëra me lumenj të tejdukshëm mund të ishin përjetësuar në ilustrimet te ‘Bukuroshja e Fjetur’ ose ‘Hirushja’
Pranë urës famëkeqe latine, ju mund të shijoni lumin Miljacka, dhe të kaloni nëpër trotuaret e kalldrëmta të bëra me dorë nga studentët e Akademisë së Arteve të Bukura të Sarajevës.
Relikt natyror ka mbetur edhe pika e malit Trebevic, i cili në vitin 1984 ka shërbyer për lojërat olimpike dimërore, por 10 vite më vonë u përdor si pozicion snajperësh për të gjuajtur civilët e paarmatosur.
Kapërcimi i urës përrallore të Mostarit
Përrallëza vazhdon në xhaminë e Sisman Pashait në Pocitelj, një fshat simpatik i tëri prej gurit që rrëshqet si kaskader mbi shkëmbinj të dukshëm.
Në Blagaj, gjendet një manastir dervish i shekullit të 15-të. Aty mbi lumin Buna lexova arabisht thënien “hu”, një shprehje e adhurimeve sufiste të kohës.
Mijëra eksplorues në ditë turren në lagjen historike për të kaluar urën Stari Most të shekullit të 16-të. Kjo urë ka një magnet të tërheqjes, – kur pashë lidhjen madhështore që hyn nëpër dy shkëmbinj të ndrydhur nga Lumi Neretva, nuk kishe si t’i ikje magjepsjes.
Eksploruesi osman i shekullit të shtatë, Evlija Celebi, shkroi se “Ura është si një hark i ylberit që ngrihet në qiell, që shtrihet nga një shkëmb në tjetrin … Unë, një skllav i varfër dhe i mjerë i Allahut, kam kaluar nëpër 16 vende, por kurrë nuk kam parë një urë kaq të lartë.”
Plagët e luftës janë më të dukshme në Mostar, qyteti që pësoi disa nga bombardimet më intensive. Dhe vetë Stari Most ishte midis viktimave, pas granatimeve të pamëshirshme. Ura imponuese që qëndron sot është një kopje, e rindërtuar në vitin 2004 duke përdorur teknikat e epokës otomane të origjinalit, të cilat ishin porositur nga Sulltani Sulejmani.
Atë mbrëmje, qëndrova e ulur në një restorant në shkëmbin perëndimor të Urës së Mostarit, me shkëlqimin që më jepte reflektimi i ujit dhe hënës, një efekt që Instagrami do ta kishte fort zili.
Për një çast, unë e lejova vetëm të besoj se isha në përrallë. Po, aty e kuptova se Bosnja ishte përrallë, por fatkeqësisht pa një fund të lumtur. /tesheshi.com/
* Autorja Sarah Khan është gazetare e mediumit prestigjioz “The Independent”.