Mijëra turq u mblodhën mbrëmë anekënd vendit në oborret e xhamive dhe në ambiente publike për të protestuar ndaj shtypjes së vazhdueshme të muslimanëve ujgurë nga autoritetet kineze, posaçërisht gjatë muajit të Ramazanit, e për t’u lutur për ta.
Ndërsa muslimanët në tërë botën jetojnë muajin e Ramazanit, ujgurët në Xinjiang, të njohur dhe si Turkestani Lindor, po përballen me brutalitetin e qeverisë kineze.
Kina ua ka ndaluar agjërimin gjatë Ramazanit nëpunësve, studentëve dhe mësuesve në zonat e banuara nga muslimanët. Po ashtu është urdhëruar që restorantet me pronarë muslimanë të qëndrojnë hapur gjatë këtij muaji, e të shesin posaçërisht duhan e pije alkoolike.
Protestuesit e ngritën zërin kundër shtypjes 66-vjeçare të ujgurëve nga autoritetet kineze dhe kërkuan ndërprerjen e ushtrimit të dhunës ndaj tyre.
Një prej kryesuesve të protestës deklaroi se gati 100 muslimanë ujgurë ishin vrarë në Xinjiang ngaqë e respektonin Ramazanin duke agjëruar.
Protesta më e madhe u zhvillua para dyerve të konsullatës kineze në Stamboll, në Tarabja, ku mes të tjerash u dëgjuan sloganet, “Heshtja është pëlqim, zgjohuni dhe ngrini zërin!” dhe “Ne jemi me Turkestanin Lindor”.
Ujgurët, që përbëjnë rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiangut, janë ankuar ngahera për masat shtypëse të ndërmarra ndaj tyre nga qeveria kineze, duke u kufizuar mes të tjerash jetën e tyre fetare. /tesheshi.com/