Turqia ka arrestuar motrën e udhëheqësit të vrarë të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi. Mediat turke, duke iu referuar burimeve nga inteligjenca, thanë se Rasmiya Auad u arrestua në qytetin verior Azaz, i cili kontrollohet nga forcat ushtarake turke.
Në momentin e arrestimit ajo ishte e shoqëruar me pesë fëmijë. Bashkëshorti dhe nusja e djalit të saj u arrestuan në të njëjtin operacion, dhe po merren në pyetje.
“Shpresojmë të mbledhim informacione konfidenciale nga motra e Baghdadit mbi punën e brendshme të ISIS”, u tha një zyrtar mediave turke.
Baghdadi ishte ngritur nga “hiçi” për të udhëhequr grupin ultra-të ashpër duke e deklaruar veten “halif” të të gjithë muslimanëve, e duke shkaktuar dëme sidomos ndaj këtyre të fundit.
Veprimtaria e tij, ashtu si dhe vetë ISIS-i, e më pas dhe vrasja e pretenduar nga amerikanët, nga një pjesë e opinionit botëror, e sidomos në vendet islame, konsiderohet si një zhvillim konspirativ me shumë dritëhije.
Për shumëkënd, e gjitha është një teatër mjeshtëror, rrjedhojë e luftës për dominim në Lindjen e Mesme. /tesheshi.com/