Reshjet e borës goditën pllajat e Turqisë verilindore, ndërsa forcat zjarrfikëse po luftojnë me flakët, 1,600 kilometra në perëndim, në bregdet.
Bora ra në shumë provinca në pjesën lindore të Anadollit, si Rizunda, Trabzon, Bayburt dhe Erzurum, kushte moti këto të papara në dekada, sipas mediave turke.
Sipas një gazetari vendas që foli për AFP nga Rizunda, reshjet e borës zgjatën për gati pesë orë: “Jam 65 vjeç, kam kaluar pothuajse gjithë jetën time në Rizunda, kjo është hera e parë që kam parë borë në korrik”, tha Gencaga Karafazlioglu.
“Ra borë për rreth 4 deri në 5 orë“, përshkroi ai. “Rajoni i Artvinit (pranë kufirit me Gjeorgjinë) ishte më i prekuri. Në Rizunda, jemi mësuar të kemi anomali klimatike… Të moshuarit thonë se kanë parë borë që në korrik 30-40 vjet më parë, por jo që atëherë.”
Pamjet e transmetuara nga Rizunda nga agjencia e lajmeve DHA tregojnë një shtëpi guri të mbuluar me më shumë se 10 centimetra borë.
Bora ra në të gjithë pjesën verilindore të vendit, duke mbuluar një sipërfaqe prej rreth 100 kilometrash.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu, shira të rrëmbyeshëm goditën provincën e Trabzonit, duke u shndërruar në borë në disa pjesë, ndërsa temperaturat e ajrit ranë ndjeshëm.
Në të kundërt, 1,600 kilometra në perëndim, rajoni turistik i Izmirit ende po lufton me zjarret, të nxitura nga thatësira dhe erërat prej 85 kilometrash në orë.
Pritet që zhiva të rritet këtë fundjavë, duke arritur të paktën 40 gradë Celsius në fillim të javës së ardhshme në bregdetin perëndimor dhe në juglindje.
Autoritetet lëshuan gjithashtu një paralajmërim për banorët e Ankarasë, ku pritet që temperaturat të kalojnë 36 gradë Celsius.