Tre ushtarë turq janë vrarë gjatë një përleshje me PKK-në në Sur, qendra historike e qytetit Diyarbakir në juglindje të vendit.
Njoftimin e kanë bërë të ditur në një komunikatë Forcat e Armatosura Turke, sipas të cilave ushtarët u goditën nga disa snajperë.
Lufta kundër terrorit ishte thelbi i mbledhjes së sotme të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Në takim u shtruan për diskutim edhe operacionet që vazhdojnë ende në zonën juglindore të vendit si dhe rezultatet e tyre.
Në mbledhje u bisedua për masat që do të marren këtej e tutje në rajon në fushën ushtarake, sociale dhe ekonomike.
Gjithashtu në rend të ditës ishte edhe çështja e furnizimit me automjete të blinduara dhe armatim të forcave të sigurisë, të cilat vazhdojnë ende operacionet në këtë zonë të vendit.
Në mbledhje u fol edhe për masterplanin me 303 pika që është përgatitur në kuadër të luftës me terrorin.
/tesheshi.com/