Nuk është e padëgjuar për sekretarët e Shtetit që të acarohen nga marrëdhënia me shefin e tyre. Colin Powell nuk u dëgjua kurrë nga Xhorxh Bush, dhe shpesh ndihej i lënduar dhe i frustruar nga kjo gjë. Xhon Kerri, për habinë e tij, lihej shpesh jashtë rrjetës së mikromenaxhimit të Shtëpisë së Bardhë të Barak Obamës. Por, nuk ka asgjë normale rreth mënyrës sesi Donald Trump ka përbuzur publikisht sekretarin e tij të Shtetit, Rex Tillerson në lidhje me mbajtjen e bisedimeve të mundshme me Korenë e Veriut për programet e saj raketore e bërthamore. Duke shkrur në Tuiter, Trump deklaroi se ai i kishte thënë Tillersonit se po “humbiste kohën e vet duke u përpjekur të negociojë me Njeriun Raketë e Vogël, (liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un)… Kurseji energjitë Rex, do bëjmë atë që është për t’u bërë”.
Ajo që e nxiti këtë shpërthim ishte një bisedë midis Tillersonit dhe reporterëve që udhëtonin me të, drejt Pekinit për takime me liderët kinezë. Tillerson kishte thënë se ai po “shteronte” mundësitë e nisjes së bisedimeve me Korenë e Veriut për programet e saj. “Ne kemi dy-tre kanale të hapura me Penianin”, shtoi ai. “Ne mund të bisedojmë me ta, ne bisedojmë me ta”.
Nuk ka asgjë të habitshme në gjithë këtë. Ndërsa Amerika nuk ka marrëdhënie formale diplomatike me Korenë e Veriut, mesazhet dërgohen përmes ambasadës suedeze në Penian, që mundëson edhe një shërbim konsullor për qytetarët amerikanë. Një tjetër kanal është misioni i Koresë së Veriut në selinë e OKB-së në Nju Jork. Ekzistojnë po ashtu të ashtuquajturat takimet Track ku përfshihen ekspertë, akademikë dhe ish-zyrtarë të cilat përdoren për të përcaktuar nëse ka vend për më shumë qasje diplomatike.
Tillerson as nuk ishte duke thënë diçka të re kur po sugjeronte se ai do të ishte i interesuar në nisjen e dialogut me Penianin: ai bëri komente të ngjashme pak javë më parë. Duke injoruar postimet e presidentit,
James Mattis, sekretari i Mbrojtjes, përsëriti mbështetjen e tij për përpjekjet e Tillerson në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike, me anë të një deklarate drejtuar komitetit të Senatit për shërbimet e armatosura.
Duke pasur parasysh se vetë Koreja e Veriut nuk shfaq asnjë shenjë për të nisur bisedimet e denuklearizimit me Amerikën dhe me gjasa mund ta marrë në konsideratë ngrirjen e testimeve vetëm pasi të ketë arritur aftësinë e demostrueshme për të kërcënuar kontinentin amerikan me një sulm termo-bërthamor, mund të duket e arsyeshme të dalësh në përfundimin se Trump ka të drejtë. Disa, përfshirë ndoshta edhe Trump, mund të besojnë se presidenti tregoi aftësi në ndjekjen e teorisë së Riçard Niksonit të “njeriut të çmendur”: ideja që nëse bind kundërshtarët e tu se je mjaftueshëm i trallisur sa të bësh pothuajse çdo gjë, përfshirë edhe nisjen e një lufte bërthamore, ka më shumë gjasa që të tjerët t’i binden vullnetit tënd.
Për fat të keq, historia sugjeron se aplikimi nga Nikson i kësaj teorie në rastin e Vietnamit e ekspozoi botën me rrezikun e një katastrofe bërthamore pa arritur shumë në këmbim. Sa i takon Koresë së Veriut, Trump po dërgon mesazh ndaj Kimit, kinezëve, ndihmën e të cilëve po përpiqet të sigurojë Tillerson, dhe aleatëve rajonalë të Amerikës se nuk ka kuptim të investohen në përpjekjet për të zvogëluar krizën. Nëse Kim beson se ai do të sulmohet pavarësisht çfarë bën, minohet përmbajtja, ndërsa asgjë që thotë apo bën Tillerson nuk ka nevojë të merret seriozisht nga askush, mik apo armik.
Zvarritja e Tillerson
Tillerson nuk meriton shumë simpati. Ai ka treguar pak interes në përfaqësimin e idealeve amerikane, të tilla si promovimi i të drejtave të njeriut, ndërsa ndërmerrte një riorganizim të Departamentit të Shtetit që e la atë në një gjendje jofunksionale dhe të shteruar. Shumë poste të rëndësishme mbeten të paplotësuara – përfshirë atë të ndihmës-sekretarit të Shtetit për Azinë Lindore dhe ambasadorin në Seul. Atij nuk i ndihet shumë mungesa nëse vendos të japë dorëheqjen. Por, Tillerson ka deklaruar se ai do të militojë në punën e tij. Kjo mund të mos jetë një gjë e keqe. Dëmi që i është bërë efikasitetit të diplomacisë amerikane në duart e Trump është i atillë, saqë ka dyshime nëse ndonjë personalitet do të ketë vullnetin të zërë vendin e tij.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/