Nga Eva Gjura
Kreu i departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike z.Tritan Shehu, në një intervistë për ‘tesheshi.com’ flet për platformën shëndetësore që kjo forcë politike po harton dhe që së shpejti do ta paraqesin për diskutim me grupet e interesit dhe opinionin publik. Ai nënvizon faktin se në qendër të platformës së demokratëve është pacienti . Z. Shehu kërkon nga qytetarët që në zgjedhjet e ardhshme të mos mashtrohen më me premtime të tipit, ‘shëndetësi falas’ por të analizojnë më mirë platformat dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur.
Partia Demokratike ka nisur punën intensive për realizimin e platformave qeverisëse. Ju po punoni për platformën në shëndetësi, ku po fokusohet puna juaj dhe çfarë të veçante ka kjo platformë?
Departamenti i Shëndetësisë së Partisë Demokratike paraqiti draftin e parë të platformës. Një platformë politike dhe teknike për analizën aktuale të sistemit shëndetësor shqiptarë dhe për rrugët e zhvillimit të të ardhmes së këtij sistemi. Padyshim që në këto vite sistemi shëndetësor shqiptarë jo vetëm që nuk ka zgjidhur problemet e mëdha që kishte dhe që ka trashëguar, por ka mbetur në një moment mos zhvillimi, gjë e cila padyshim nuk mund të mos sillte një regres të thellë të këtij sistemi. Ajo që karakterizon këtë periudhë është dështimi i plotë i spekulimit elektoral shëndetësi falas dhe realisht pasja në Shqipëri një varfëri falas të thellë të sistemit shëndetësor shqiptarë. Sistemi shëndetësor shqiptarë vazhdon të jetë sistemi më i keq financuar në Europë dhe në botë me një të ardhur gati sa gjysma e financimeve që kanë sistemet shëndetësore të vendeve fqinje.
Në këto kushte unë mendoj se iluzioni për shëndetësi falas ka barë që të mos ketë asnjë tentativë për rritjen e financimeve, por përkundrazi të qëndrojmë në një pasivitet të plotë, duke thelluar problemet në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Nga ana tjetër është penalizmi absolut që është duke u thelluar në këtë periudhë, qoftë edhe të kujdesit parësor, i cili vite përpara hyri në një rrugë të mirë decentralizimi, është centralizimi bolshevik i spitaleve, është padyshim një paralizë e plotë, që është krijuar sistemit sigurativ, i cili gjendet në një moment shumë paradoksal, ku e majta ka bllokuar gjithçka duke mos guxuar as ta shkatërrojë siç ka deklaruar e as ta zhvilloje atë fond.
Në këtë prizëm platforma jonë, vizioni ynë, konsiston së pari në rregullimin, e disa problemeve jashtëzakonisht të rënda të ndodhura sot, siç janë edhe shpenzimet gjigande jashtë një kriteri, siç janë një numër i madh koncesionesh që janë dhënë, të cilat vetëm sa kanë varfëruar më tej sistemin e siguracionit shqiptarë dhe kanë thelluar centralizimin e tij, apo nuk japin asnjë rentabilitet klinik siç janë p.sh koncesioni për check up, siç është për sterilizimet, siç janë koncesionet e tjera që priten të realizohen për laboratorët etj, pra detyra jonë në radhë të parë është që të paraqesim idenë se duhet bllokuar kjo rënie pikiate në sistemin shëndetësor shqiptarë. Ne deklarojmë qartësish se nuk do ti njohim këto lloj koncesionesh këto shpenzime marramendëse pa ndonjë rentabilitet. Nga ana tjetër, padyshim që ne do të rivendosim ato element pozitiv që kanë qenë deri në 2013 dhe që janë dëmtuar, siç është decentralizimi i kujdesit parësor, rroli i madh i sistemit sigurativ, ecja më tej në rrugën e decentralizimit të sistemit spitalor drejt konceptit të spitalit ndërmarrje, i cili do të menaxhohet nga një bord nga profesionist, por përveç këtyre elementeve që lidhen me korrigjimet e para momentale, me problemet e mëdha të krijuara në dy vjet e gjysëm qeverisje të majtë, ne në atë programin tonë kemi edhe shumë vizione të tjera që lidhen me hapa të tjera zhvilluese dhe thelluese në rrugën e futjes së sistemit shëndetësor në përgjegjshmëri të plotë me ekonominë e tregut dhe me interesin e qytetarëve.
Pra koncepti i platformës sonë bazohet në thënien ‘Shëndet për të gjithë’ dhe mua më duket se është një thënie shumë e rëndësishme e organizatës botërore të shëndetësisë dhe kjo padyshim nuk mund të realizohet, nëse i gjithë procesi i platformës shëndetësore, të gjithë mekanizmat e sistemit shëndetësor, nuk do të vendosin në qendër pacientin, qytetarët dhe interesat e tij. Pikërisht për këto arsye neve në platformën tonë do të punojmë për domosdoshmërinë e rritjes së financimeve të sistemit shëndetësor shqiptarë. Domosdoshmëri e rritjes së financimeve normale, racionale të rregulluar në sistemin shëndetësor shqiptarë. Po shikohet se sot sistemi shëndetësor shqiptarë ka një të ardhur të madhe nga pagesat direkte të popullsisë.
Pra populli paguan nëpër farmaci, tek privati, nën dorë, në sistemin publik etj, që arrijnë në 110 dollarë për frymë popullsie në vit, 30 dollarë për frymë popullsie në vit vijnë nga kontributet direkte dhe vetëm 90 vijnë nga buxheti i shtetit, pra kemi një financim të përmbysur të sistemit shëndetësor ku dominon komponenti i pagesës direkte, gjë që është shumë e gabuar. Ne duhet që detyrimisht të bëjmë që qytetari të jetë i siguruar, ta ndiej veten të siguruar dhe nuk ka nevojë të bëjë pagesa nën dorë, por të mund të marrë shërbimin që i takon dhe që duhet të marrë, qoftë në institucionet publike, qoftë në institucionet private të kontraktuar nga skemat e sigurimeve, pa bërë pagesë direkte, por në bazë të kontributeve dhe sistemit të sigurimeve që ka derdhur dhe në bazë të financimeve që do të ketë nga buxheti i shtetit. Padyshim në këtë mënyrë neve kërkojmë të vendosim të drejtën e qytetarit, që duke qenë ai në qendër të skemës, duke pasur ai mbi kurriz pagesën e sistemit sigurativ, mund të zgjedhë ai vete spitalin se ku do të shkojë, klinikën ku do të mjekohet, apo edhe mjekun profesionist të lirë të kujdesit parësor. Pacienti në këtë mënyrë jo vetëm që do të respektohet në të drejtat e tij, por do të vërë në lëvizje një mekanizëm të madh konkurrence, tregu e zhvillimi. Pra pacienti krijon motorin e sistemit shëndetësor në bazë të zgjedhjeve që bën për shërbimin që do të marrë. Momenti i dytë i rëndësishëm që ne mendojmë për të shtuar të ardhurat e sistemit shëndetësor diversifikimi i sistemeve sigurative.
Hapja e tregut sigurativ, krijimi i operatoreve të tjerë, konkurrenca që do të çojë në rritje të të ardhurave, ulje të kostos dhe kontrolle më të mira të shërbimit të ofruar. Tejkalimi i monopolit të sistemit të sigurimeve, publik apo privat, tashme është një koncept i domosdoshëm për kohën edhe për ne. Gjithashtu një vend shumë i gjerë i lihet në këtë platforme kujdesit parësor, i cili bazohet te mjeku i familjes si profesionist i lirë e i financuar nga sistemi sigurativ se bashku me specialistet ambulator te tij.
Në platformën tonë do ju kushtohet vëmendje edhe shumë elementëve të tjerë siç është p.sh sistemi stomatologjik rimbursimi ndaj institucioneve private të kontraktuara nga sistemi i sigurimeve, që i zgjedh vetë pacienti etj. Pa dyshim reforma shëndetësore ka dhe shume hallka te tjera si urgjenca, ku kërkohet një ristrukturim i plotë i sistemit të urgjencës, pasi lë shumë për të dëshiruar, koncepti ynë është të krijojmë një sistem urgjence racional të bazuar mbi tre nivele kryesore, niveli reanimator,mjekësor dhe para mjekësor. Ristrukturim kërkohet në sistemin, farmaceutik, shëndetin publik, ngritja profesionale e shkencore, specializimet, kualifikimet, etj, tek të cilët duhet të ndërhyhet.
Keni disa muaj që nuk reshni së akuzuari çdo ditë ministrin Beqaj për korrupsion, por nga ana tjetër duket se deklarata tuaja bien në vesh të shurdhër, sepse kryeministri Rama jo vetëm që nuk po merr ndonjë masë ndaj tij, por përkundrazi e rrit në detyre. Nuk ju duket si karshillët i kryeministrit?
Opozita në çdo vend të botës ka të drejtën e fjalës , ka të drejtën e argumenteve, ka të drejtën e një lufte politike që ne po e zbatojmë dhe do të bëjmë të gjithë presionin tonë që sistemi shëndetësor shqiptarë, të dalë nga amullia ku është, të dalë nga paraliza ku është, që sistemi shëndetësor shqiptarë të zhvillohet mbi bazën e ideve të qarta dhe jo mbi bazën e disa iluzioneve të parealizueshme. Kjo është detyra jonë, ne do të vazhdojmë ta bëjmë me shumë forcë me shumë besim në detyrën tonë si opozitë dhe padyshim ju takon qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme politiket bëjnë zgjedhjet që të mos bien më viktimë e iluzionit “shëndetësi falas” siç ndodhi në 2013.
Kryeministri kundërshton me forcë akuzat tuaja, dhe shkon deri aty sa ngre padi kundër deputete Vokshi , kjo behet për i mbyllur gojën opozitës, për ta trembur…?
Po, padyshim kjo bëhet për shumë arsye, qoftë për të bërë presion, qoftë për të tërhequr vëmendjen , qoftë për të thënë që ne jemi në rrugë të drejtë, por unë them se këto gjëra nuk impresionojnë askënd. Është detyrë e opozitës të ngrejë problemet, ti publikojë ato të transmetojë mesazhet e saj. Alternativat e saj për përmirësimin e gjendjes dhe mua më duket se ne po bëjmë gjithçka. Ne nuk jemi thjeshtë në nivelin kritik, neve kemi dalë në alternativa të qarta dhe shpesh herë unë ju kam thënë kolegeve të mazhorancës që jemi të gatshëm të vëmë në jetë opsionet tona veçanërisht ne nivelet e financimit të sistemit shëndetësor, të menaxhimit, të decentralizmit, por fatkeqësisht mazhoranca nuk dëgjon nga ai vesh. Mazhoranca nuk ka dëshirë që sistemi shëndetësor të zhvillohet, sepse në fund të fundit është interesi i të gjithëve dhe reformat në sistemin shëndetësor janë reforma shumë afatgjatë që do të donin një bashkëpunim të mazhorancës me opozitën gjë që mungon krejtësisht për mungesë të vullnetit të mazhorancës në këtë periudhë.
Ju si opozitë gjatë këtyre dy viteve nuk keni reshtur dhe së bëri thirrje prokurorisë që të nisë hetimet për abuzimet në sistemin shëndetësor. Nuk mendoni se deklaratat tuaja po bien në vesh të shurdhër?
Është detyrë e opozitës të bëjë thirrje, të paraqesë alternativa, mendime, fakte dhe problemet që janë. Padyshim që është detyre e çdo institucioni që ti ndjek ato hap pas hapi. Unë mendoj dhe theksoj se çdo institucion duhet të bëjë detyrën e tij dhe kam besim se institucionet e drejtësisë shqiptare duhet të bëjnë punën e tyre, ashtu si edhe opinioni shqiptarë do të dije të vlerësoje politikisht problemet që janë dhe do ta përktheje pastaj vullnetin e tij në votë në zgjedhjet e ardhshme.
Në 25 vite, sistemi i shëndetësisë ka qenë ku thërret qameti, gjithmonë kanë munguar profesionistët në krye të kësaj ministrie. Kaq të vështirë e ka klasa politike të vendosë njerëz adapt në krye të ministrisë për t’i zgjidhur hallet e shëndetësisë?
Nuk është problemi se sistemi shëndetësor shqiptarë mund të rregullohet më një njeri. Sistemi shëndetësor shqiptarë si sistemi shëndetësor i çdo vendi kërkon ide të qarta, platforma të qarta nga grupe njerëzish, specialist shëndetësor, specialist të menaxhimit, politik-bërës, të cilët bëjnë platforma të qarta. Nga ana tjetër për drejtimet e institucioneve shëndetësore, kërkohen njerëz të specializuar profesional. Ju ngrihet një shqetësim shumë të drejtë, institucionet shëndetësore drejtohen nga njerëz amatorë në këtë fushë. Nuk është konditë që ti ke qene një ekonomist shumë i mirë dhe shkon në një hekurudhë apo në sektorin e bujqësisë dhe këtë mund ta emërosh nëndrejtor spitali. Jo. Spitali është një institucion krejt i veçantë në menaxhimin e tij dhe kërkohen njerëz që kanë studiuar, që janë thelluar në sistemin shëndetësor dhe ky është një gabim shumë i madh që po ndodh në Shqipëri.
Po të shikosh spitalet dhe institucionet shëndetësore ndahen. Njëra i jepet një partie dhe tjetra një partie tjetër dhe pastaj gjithsekush emëron atë që do , kjo vetëm sa shkatërron sistemin shëndetësor shqiptarë. Duhen vënë kritere të qarta se kush do të drejtoje institucionet shëndetësore shqiptare, kush do të drejtoje institutet në mënyrë që ato të ecin normalisht. Paaftësia në drejtim është diçka shkatërruese, shëndetësia kërkon borde dhe padyshim drejtorë të kualifikuar në menaxhimin shëndetësor, kjo është një detyrë e madhe që ne e kemi ngritur edhe në platformën tonë.
Qytetarët çdo ditë hasen me të njëjtin problem kjo më ka ndodhur edhe mua dhe shumë të tjerëve. Shkon për vizitë tek spitali shtetëror dhe mjeku të rekomandon të shkosh pasdite tek klinika ku ai është i punësuar. Si do të zgjidhet ky problem?
Ky është një problem që ka disa zgjidhje realisht. Janë probleme që i kanë kaluar edhe vende të tjera para nesh dhe i kanë zgjidhur. Unë mendoj se ky problem nuk zgjidhte me urdhra dhe vendime. Ky problem zgjidhet me ndryshime gjenerale të spitaleve. E para ky problem kërkon që spitali të jetë ndërmarrje, pra spitali të ketë interesa të mëdha në mbarë vajtjen e tij, dhe të paguhet për produktin që ofron. Së dyti ky problem kërkon që brenda spitalit publik të krijohet mundësira për aktivitete private të mjekëve. Së treti, kjo kërkon të forcojmë dhe zhvillojmë mjekun e familjes dhe specialistin ambulator dhe që kërkon rritjen e cilësinë së punës së investimeve të sektorëve publik siç janë spitalet publike, të cilat duhet të konkurrojnë në tregun e hapur dhe duhet të fitojë ai që ofron shërbimin më të mirë për koston më të ulët.
Kohët e fundit është hedhur një ide që për mua është e gabuar që të ndalojnë mjekët që punojnë në spitalet publike, që jashtë orarit të punës të punojnë në privat. Kjo bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe Gjykata Kushtetuese, nuk mund ta miratojë kurrë një gjë të tillë. Çdo njëri ka të drejtë që jashtë orarit të punës të kryejë aktivitete që dëshiron. Rëndësi ka që spitali publik ti krijojë mundësi mjekëve që jashtë orarit të punës të bëjnë një aktivitet privat brenda spitalit publik, pra ta mbajë të mbyllur brenda institucionit të tij. Është domosdoshmëri që pacienti ta ndiejë veten mirë në Spitalin publik apo spitalin ku shkon të marrë shërbimin dhe të mos ketë nevojë të shkojë diku tjetër. Ashtu si edhe paciente të ketë të drejte të zgjedhë që në fillim institucionin ku do të shkojë publik apo privat qoftë ky, që të marrë shërbimin që do, duke u bërë pagesa në vijë nga sistemi i sigurimeve ashtu siç bëhet në botin e qytetëruar. Eliminimi i këtij sistemi kërkon masa jo shtrënguese, por masa kontrolluese dhe organizative.
Perceptimi në opinionin publik është se shëndetësia nuk do të behet pasi individëve të caktuar ju intereson më shumë të zhvillohet privati dhe për këtë duhet të shkatërrohet shtetërori. Nuk ju duket dhe juve se qëndron ky konstatim?
Unë mendoj se sistemi shëndetësor shqiptarë mund të bëhet. Mjafton të ndjekësh eksperiencat botërore dhe të mos kërkosh të gënjesh shqiptarët me iluzione siç është shëndetësia falas. T’u shpjegosh qartësish se shëndetësia kushton dhe kushton shumë, është sektori më i kushtueshëm i një shteti. Që për të pasur një shëndetësi të mirë njerëzit duhet të kontribuojnë, buxheti i shteti duhet të kontribuojë nga taksat e qytetarëve. Sepse qytetari kur e di që ka kontribuar kërkon edhe një shërbim më të lartë të sistemit shëndetësor. Së dyti ynë mendoj se sistemi shëndetësor shqiptarë mund të bëhet po të menaxhohen ashtu si institucionet e tjera. Sistemi shëndetësor është më i vështiri për tu përsosur. Në Shqipëri janë të gjitha mundësitë që me politika të drejta dhe racionale mund të bëjmë që qytetari shqiptarë të marrë shërbim të mire dhe unë nuk e shoh privatin si armik, përkundrazi privati është pjesë e sistemit shëndetësor të një vendi dhe duhen vlerësuar edhe privatët për investimet serioze që kanë bërë. Duhet lënë pacienti që të zgjedhë. Rëndësi ka që pacienti të marrë shërbimin më të mirë me koston më të ulët.
Pas librezës shëndetësore tashmë është krijuar karta e shëndetit, një copë karton pa vlerë dhe pa asnjë sistem sigurie, por që po krijon një stres tek qytetarët, të cilët nuk arrijnë dot të marrin asnjë shërbim pa atë kartë, madje as ilaçet. Pse krijohet ky kaos, kaq e vështirë është të gjenden zgjidhje më praktike ?
Këto janë probleme organizative që zgjidhen shumë thjeshtë. Së pari unë mendoj se ajo kartë shëndeti që është hedhur në treg është e tejkaluar në kohë në standardet ku ne jetojmë. Ne duhet të kemi kartë elektronike shëndeti me të dhëna universal ët pacientit me rimbursimin e ilaçeve me sigurimet e pacientit, pra kërkon një stad tjetër i kartelës së shëndetit të qytetarëve. Ajo që është bërë nuk është gjë tjetër veçse një zëvendësim mekanik i një libreze, me një copë letër tjetër, që quhet Karta e Shëndetit, por jo si karta e vërtete e shëndetit që mbajnë vendet e tjera. Ku karta ka të integruar të gjithë ecurinë e qytetarit. Dhe kjo nuk është e vështirë për tu arritur, ashtu si edhe dixhitalizimi i sistemit shëndetësor është një domosdoshmëri dhe që minimizon edhe korrupsionin veçanërisht në sektorin farmaceutik.
Sistemi shëndetësor ka qene në mëshirë të fatit gjithë këto vite. Nuk mendoni se të gjithë nga pak, kush në mënyrë direkte dhe kush indirekte jeni përgjegjës për shkatërrimin e sektorit më jetik për popullin?
Unë nuk mendoj se sistemi shëndetësor shqiptarë është shkatërruar në 25 vite. Unë mendoj se sistemi shëndetësor është zhvilluar pozitivisht, padyshim nuk është zhvilluar me ato ritme që mund të zhvillohej, nuk është zhvilluar me ato hapa që duhej të zhvillohej, por është zhvilluar. Sistemi shëndetësor nuk mund të krahasohet me sistemin e para 25 viteve. Absolutisht jo. Ka ecur shumë përpara. Në nivelin e rritjes profesionale, të pajisjeve, në lidhjet që ka me botën mbarë, në një strukturim me një prezencë të fort të sistemit privat. Unë mendoj se sistemi shëndetësor në këto vite ka një zhvillim të dukshëm. Pa dyshim ky zhvillim mund të ishte më racional më i prekshëm për qytetarin dhe këtu kanë munguar politikat racionale ka munguar guximi, kurajo, vullneti politik. Dhe duhet thënë se janë reformat më të vështira. Këto dy vitet e fundit politika krejt të gabuara siç është ‘shëndetësia falas’ kanë bërë që sistemi shëndetësor shqiptarë të mos marrë zhvillimet e qëndrueshme, por të qëndroje pothuajse në një kënetë. /tesheshi.com/