Ka bërë përshtypje një deklarim i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili mund të konsiderohet dhe si “trimëria” e tij e radhës pas tarifimit të bujshëm doganor ndaj Serbisë, për të cilin po qëndron i padorëzuar përballë presionit ndërkombëtar. Haradinaj ka akuzuar gruan në krye të diplomacisë evropiane, Federica Mogherini se është ajo përgjegjëse për bllokimin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës.
Sipas tij, ishte Mogherini ajo që futi subjektin e korrigjimit të kufijve me Serbinë.
“Unë mendoj se është Mogherini përgjegjëse për ndërprerjen e dialogut. Ajo kaloi nga një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, në një dialog mbi territorin, i cili shkaktoi dëmtimin e rajonit. Ky qëndrim i saj është i papranueshëm”, ka thënë Haradinaj.
Ai tha gjithashtu se Kosova nuk do të marrë masa shtesë kundër Serbisë, gjë të cilën e paralajmëroi ditë më parë. /tesheshi.com/