Nga Bashkim Kastrati
Gjatë muajit mars 2014, qeveria e Kosovës me tri vendime të ndara ka vendosur që disa komuna t’i shpallë zona të lira ekonomike. Ato janë Zona e Lirë Ekonomike në Zonën Kadastrale të Gjakovës, e Mitrovicës dhe e Prizrenit. Ky vendim u mor në kohën kur qeveria udhëhiqej nga Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministër ishte Behgjet Pacolli, ndërsa u bë publik kur ishin afruar zgjedhjet parlamentare, të cilat janë mbajtur në muajin qershor të vitit 2014.
Në vendimet e qeverisë thuhet se shpallja e zonave të lira ekonomike është bërë duke u bazuar në Koncept Planin Kombëtar për Zhvillimin e Zonave Ekonomike në Kosovë 2014-2018, ndërsa qëllimi i krijimit të këtyre zonave është tërheqja e investimeve të huaja dhe vendore, përmirësimi i kushteve për zhvillim të bizneseve dhe ngritjes së standardit të jetës për këto komuna, si dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Zonë e Lirë është një territor që ka një status të veçantë ekonomik. “Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.
Përmes këtyre zonave ekonomike, qeveria synonte të nxiste investimet nëpër këto qytete, në të cilat do të aplikoheshin kushte e tjera fiskale krahasuar me qytetet e tjera nëpër Kosovë.
Udhëzimi administrativ parasheh që mallrat që shërbejnë si impute për bizneset që veprojnë në këto zona ekonomike, nuk do të paguajnë pagesën e detyrimeve të importit, do t’i shtyhet pagesa e taksave doganore deri atëherë kur ata plasojnë prodhimin e tyre në qarkullim. Mallrat që dalin nga zonat ekonomike që eksportohen apo ri-eksportohen, nuk paguajnë ndonjë detyrim doganor.
Por edhe tashmë e kur po bëhen gati dy vite që nga krijimi i këtyre zonave ekonomike nuk ka asgjë konkrete në zhvillimin e tyre, pra gjithçka deri më tani mbeti vetëm në letër.
Për më tepër, qeveria aktuale nuk e ka në program që t’i vërë në funksion këto vendime të qeverisë së kaluar, që është udhëhequr nga Thaçi, i cili tashmë është zëvendëskryeministër.
Në lidhje me këtë çështje tesheshi.com ka dërguar pyetje edhe tek Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
Shumë ngecje në nisjen punës së zonave të lira ekonomike
Lulzim Beqiri, magjistër i ekonomisë ka thënë për tesheshi.com se ecuria e punës së zonave ekonomike nuk është në nivelin e kënaqshëm, pasi ka pas shumë ngecje në nisjen e punës së tyre dhe funksionimin normal.
“Edhe ministritë përkatëse dhe agjencionet kanë deklaruar se ka pasur vështirësi të natyrave të ndryshme në funksionimin e zonave të lira ekonomike andaj shpresojmë që viti 2016 ka për të qenë më i mirë për funksionimin normal të punës se këtyre zonave, për të cilat në media dhe publik është folur shumë, por pa rezultate efektive deri më tani”, thotë Beqiri.
Ai shton se si në çdo vend të botës, krijimi i zonave të veçanta ekonomike ka benifitet e veta. Sipas Beqirit, edhe në Kosovë zonat ekonomike kanë rol jetik në krijimin e një mirëqenie më të mirë ekonomike për banorët që jetojnë në ato territore.
“Zonat ekonomike luajnë një rol shumë të rëndësishëm për zbutjen e papunësisë, lehtësirave në treg dhe distribuimin më efektiv të produkteve”, theksoi Beqiri.
Pse e gjithë Kosova të mos jetë zonë e lirë ekonomike?
Prej se janë marrë vendimet për krijimin e zonave të lira ekonomike, ka pasur mendime të ndryshme nga njohësit e fushës së ekonomisë, sa i përket këtij vendimit. Në këtë kontekst është kundërshtuar krijimi i këtyre zonave me arsyen se nuk duhet të bëhen diskriminime, por e gjithë Kosova të jetë një zonë e lirë ekonomike dhe nga kjo të përfitojnë të gjithë qytetarët. Pra, duhen lënë mundësitë që biznesi apo industria vetë të përcaktohet se ku duhet të shkojë dhe ku e ka më të leverdishme. Nëse ka politika të favorshme, të cilat mund të afrohen përmes zonave të lira, atëherë ato politika duhet të afrohen në tërë territorin e vendit.
Në lidhje me këtë çështje Lulzim Beqiri ka thënë se Kosova duhet të shpallet si tërësi zonë e lirë ekonomike, pasi secila komunë ka pasuri nëntokësore dhe mbitokësore.
“Republika e Kosovës ka një territor të vogël dhe mendoj që do të ishte mirë që të shpallej komplet si zonë ekonomike dhe nuk ka kurrfarë problem secili rajon i Kosovës meriton të jetë zonë e lirë ekonomike dhe secili rajon ka pasuritë e veta të padiskutueshme që do të rrisnin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, thotë Beqiri./tesheshi.com/