Cilët janë tre viktimat e para të ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe si u katapultuan ata nga njerëz që njiheshin në komunitet si skafistë e trafikantë, në politikanë me kostum e kollare….
Një video e televizionit italian Raidue e bërë në vitin famëkeq 1997 shfaq për herë të parë Dashamir Tahirin në krah të të fortit Zani Çaushi. Ishte koha kur s’kishte shtet dhe bandat e gangsterët kishin marrë situatën në dorë. Ndërsa Tahiri, atëherë djalë i ri, përkthen për gazetarin italian atë çfarë thoshte kapoja i Vlorës që sot gjendet në burg, ndërsa ai pritet të përballet me KQZ-në për ndërprerjen e mandatit të deputetit si i prekur nga ligji për dekriminalizimin.
Tahiri erdhi në parlament në vitin 2009 me partinë e çamëve PDIU, por më pas kaloi në grupin e Partisë Demokratie. Në Cv-në e tij zyrtare në faqen e parlamentit është deputeti me jetëshkrimin më të varfër. Është mjaftuar duke vendosur aty shkollimin “juridik” dhe faktin që është zgjedhur dy herë deputet. Asgjë tjetër.
Po pse ky njeri u fut në politikë? Me të njëjtën mënyrë si u futën “të fortët” e tjerë të cilët siguronin votat me ndikimin e tyre në komunitet; dhe me para duke marrë statusin “biznesmenë”.
Ai i siguroi partisë së vogël të Shpëtim Idrizit një deputet në Vlorë me votat e çamëve dhe jo vetëm duke e forcuar këtë parti në numër dhe ndikim në Kuvend. Por Tahiri duke kuptuar fuqinë e tij në parti e përdori atë për t’i bërë presion Idrizit. Në vitin 2015 ai doli kundër vendimit të PDIU-së për të hyrë në qeveri me Ramën dhe e gjeti veten djathtas në grupin e PD-së.
Akuza e prokurorisë: “Në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foxhia për krime lidhur me falsifikimin e parave. Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena për të vuajtur 9 muaj burgim për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar. Subjekti është kontrolluar disa herë nga policia”.
Shkëlqim Selami, futbollisti që iu përkushtua biznesit
Ashtu si Dashamir Tahiri edhe deputeti i dytë që pritet t’i hiqet mandati nga KQZ-ja sot, është nga qyteti i Vlorës. Ai është Shkëlqim Selami, i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Por ndryshe nga Tahiri ai jo vetëm nuk e fsheh CV-në e tij por ka një website me emrin e tij ku trumbeton arritjet që nga koha kur luante futboll në Greqi deri tek bizneset që ka hapur në Vlorë, investimet që ka bërë deri tek fushatat elektorale në krah të Ilir Metës.
Ai e quan veten një “biznesmen të suksesshem import- eksporti” dhe i “bie gjoksit” për kohën kur drejtonte klubin e futbollit Flamurtari Sh.p.k Vlore duke futur për herë të parë kontratat për lojtarët e këtij klubi dhe duke e çuar atë deri në ndeshjet e Superligës. Pasi merret me biznes, ku deklaron hapjen dhe drejtimin e disa kompanive, Selami i bashkohet Ilir Metës në momentin kur ai kishte më shumë se kurrë nevojë për njerëz dhe për parelinj që t’a mbështesnin. Bëhet fjalë për vitin 2005 kur Meta me partinë e re të sapokrijuar, LSI, do të futej për herë të parë vetëm në zgjedhje.
Selami ka qenë “dora e hekurt” e Metës në Vlorë, pasi zgjidhet në krye të degës për këtë qytet, post që e mban që nga viti 2009 e në vazhdim.
Selami beson se gëzon simpati në komunitet në Vlorë pasi ka nxitur dhe mbështetur disa investime të rëndësishme atje, që nga rikonstruksioni i spitalit deri tek rikonstruksioni i teqese ne Kuzum Baba.
Në fakt partia e tij ishte e para që i dha duart pas deklaratës së prokurorisë duke deklaruar nëpërmjet Petrit Vasilit mbështetjen për dekriminalizimin.
Akuza ndaj tij: Selam akuzohet nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit, të dhënat për një masë sigurie arrest me burg nxjerrë ndaj tij nga Gjykata e Brindizit si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me trafikim të qënieve njerëzore. Masa ndaj tij është dhënë në 1994 dhe është ekzekutuar në 2006. Në kuadër të kësaj mase ai ka qëndruar një javë në paraburgimin e Brindizit dhe më pas është lënë i lirë në vijim të hetimit.
Elvis Roshi, kalorësi i Ramës në zonën blu
Shumëkush mund të çuditet me mënyrën se si Edi Rama e ka mbrojtur Elvis Roshin, kryebashkiaik i Kavajës, kur ai akuzohej si inkriminuar edhe nga ambsada e SHBA-së para zgjedhjeve të fundit vendore. Por, për këdo që e di se Kavaja është qyteti që historikisht ka votuar të djathtën, është bastioni ku Sali Berisha ka dalë deputet në disa legjislatura, do ta kuptonte pse Rama e ka kalin e vetëm të tij për të fituar në këtë zonë.
Po si është e mundur që Roshi, një ish-emigrant, pa ndonjë elokuencë politike dhe publike, arriti të merrte votat e qytetit demokrat?
Tashmë që emri i tij është në listën e parë të spastrimeve që po bëhen në emër të ligjit të dekriminalizimit e kupton se ndikimi i tij në komunitet ka ardhur nëpërmjet forcës dhe parasë. Aty ku Rama dhe PS nuk kanë mundur të çajnë me ideologji, e kanë bërë këtë nëpërmjet të fortëve të zonës. Këtu nuk bën përjashtim as Kavaja. Roshi, ishte një kandidat që mori përsipër fushatën elektorale me shpenzimet e tij, duke e nxjerrë PS-në fituese jashtë çdo basti në vitin 2011 e duke u bërë më pas medalja me të cilën mburrej Rilindja socialiste.
Sot djaloshin nga Kavaja, i cili besohet se ka ndërruar të paktën 3 herë emrin e tij dhe është hetuar për krime të ndryshme, nuk e mbron dot Edi Rama. KQZ mund ta përjashtojë një herë e mirë nga politika, ku ai hyri për të kërkuar imunitet për të shkuarën e tij, ku shënohen krime të ndryshme që nga ai i përdhunimit deri tek trafiki i drogës.
Akuzat: Një dënim për veprën penale të “Përdhunimit” në grup, në vitin 1995 në Itali.-Në vitin 2015 DEA/US , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash.Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë.Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Nëgusht 1997 është dëbuar sërish. /tesheshi.com/