Nga Bashkim Kastrati
Shëndetësisa në Kosovë vazhdon që të jetën gjendje të keqe. Ky sektor jetik është e lënë pas dore nga institucionet e Kosovës. Edhe pse shpesh krerët e tyre deklarojnë se është prioritetet i qeverisë, kjo nuk duket asgjëkundi.
Të jemi më konkretë: duke e marrë parasysh gjendjen e rëndë që nga mungesa e barnave nga lista esenciale e deri të aparaturat diagnostikuese mjekësore dhe infrastruktura e objekteve, qeveria e Kosovës sërish nuk ka paraparë rritje të buxhetit për Shëndetësisnë.
Edhe pse në vitin 2017 pritet që buxheti i Kosovës të jetë rreth 2 miliardë euro, buxheti i planifikuar për këtë sektor, nuk parasheh ngritje. Ai ka mbetur në vend vetëm me 180 milionë euro.
Profesionistë fushe, por edhe udhëheqës të Federatës Sindikale përkatesë, thonë se me buxhetin e ndarë për vitin e ardhshëm, Shëndetësia do të vazhdojë të përballet me shumë sfida, sikur edhe vitet paraprake.
Ndërkaq, zyrtarë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se gjatë këtij viti qysh në fillim të planifikimit të blerjes së barnave, iu kanë munguar 5 milionë euro.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, siguroi se Projektligji që kaloi në qeveri është i hartuar në pajtim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe pritet që të ndikojë në rritjen ekonomike mbi 4 për qind në vitin e ardhshëm.
Tani, procedurat kërkojnë që Projektligji t’i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, ku pas shqyrtimit nëpër komisionet përkatëse, pritet të vihet për miratim, para datës 20 dhjetor të këtij viti.
Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë thotë se buxheti për shëndetësi do të mbushet nga premiumet për sigurimet shëndetësore do të fillojnë që të mblidhen në fillim të vitit 2017. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Ligji për Sigurime Shëndetësore do të hyjë në fuqi me 1 janar 2017.
Pakënaqësi me ndarjen e buxhetit, priten veprime sindikale
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla ka thënë për tesheshi.com se në vazhdimësi kanë kërkuar që të rritet buxheti për fushën e shëndetësisë, duke marrë parasysh gjendjen e keqe me të cilat përballen shumë institucione shëndetësore.
“Së pari ne si sindikatë që nga korriku kemi kërkuar që buxheti të rritët, duke pas parasysh Sigurimet Shëndetësore, por e kotë. Ky buxhet ka vetëm 10 apo 10 euro 30 centë për kokë banori. Pra kalkuloni se çka munde të bëjmë me këto mjete”, thotë Syla.
Ai thotë se Shëndetësia nuk është prioritet i qeverisë së Kosovës, përkundër deklaratave të krerëve të qeverisë. Ai thotë se duke marrë parasysh këtë neglizhencë që po bëhet në buxhet Federata Sindikale e Shëndetësisë do të shprehë pakënaqësitë në mënyra të ndryshme.
“Edhe sikur të fillonte mbledhja e premiumeve për sigurimet shëndetësore tani, tek pas një viti mund të bëhet diçka. Por kjo tregon qartë se qeveria si krejt ato paraprake nuk e ka prioritet shëndetësinë pavarësisht deklaratave mediatike. Federata Sindikale e Shëndetësisë shumë shpejtë do të dalë me qëndrim publik dhe nuk përjashtohet mundësia e reagimit me mjete sindikale, por këtu do kërkohet edhe ndihma e të tjerëve popullit, Shoqërisë civile dhe mediave, sepse me ketë buxhet nuk do kemi shëndetësi çfarë po e promovojnë”, theksoi Syla.
Investimi në institucionet shëndetësore i domosdoshëm
Institucionet shëndetësore në Kosovë shpesh përballen me mungesën medikamenteve elementare dhe shumë aparaturave që janë të domosdoshme në përditshmëri.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) shpesh përballet me mungesë të barnave të listës esenciale, ndërkaq pacientët detyrohen që t’i blejnë vetë medikamentet. Gjithashtu shpesh ka edhe mungesë të citostatikëve, medikamente këto që përdorën për trajtimin e kancerit. Në mungesë të tyre, pacientët janë të detyruar që t’i blejnë vet. Kostoja e tyre është e lartë dhe shkon deri në 2 mijë euro, ndërsa për t’i blerë më çmim më të lirë, ata i blejnë të kontrabanduara. Në QKUK gjithashtu ka mungesë të aparaturave të ndryshme. Pacientët të cilët duhet ta bëjnë një incizim me rezonancë magnetike (MRI) zakonisht duhet të presin deri në një vit. Është raportuar shpesh edhe për mungesë të filmave të rëntgenit.
Gjithashtu për edhe incizimet tjera me aparatura diagnostike duhet që të pritet me muaj të tërë. Ndërkaq nëpër klinika ka mungesë të mjeteve të punës, fjala vjen në Klinikën e Ortopedisë është raportuar për mungesë të disa mjeteve elementare për të realizuar operacione ortopedike. Mungesa e këtyre mjeteve kufizon edhe ndërhyrjet kirurgjike.
Një pjesë e madhe e analizave laboratorike duhet që të bëhen në sektorin privat, pasi që nuk mund të bëhen në QKUK dhe institucionet shëndetësore.
Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballet vetëm QKUK-ja. Prandaj rritja e buxhetit është e domosdoshme për të pasur shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës. Prandaj është e domosdoshme që shëndetësia të jetë prioritet numër një i qeverisë. Duhet të jetë më prioritet sesa asfalti. /tesheshi.com/