Intervista e zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee në VOA, ka vënë tashmë “pikat mbi i” dhe ka lëshuar tre mesazhe të forta politike, të cilat siç mësohet, janë dhënë prej kohësh edhe në rrugë zyrtare në Tiranë.
Madje, burime diplomatike bëjnë të ditur se ka qenë kjo intervistë që ka ndikuar tek vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të mos pezulluar zbatimin e ligjit të vettingut, siç ishte kërkuar nga shoqata e gjyqtarëve dhe të caktojë 28 shtatorin si datën e nisjes së procesit mbi 3 ligjet.
Deklarata e Hoyt Yee, dy ditë më parë, ka qenë një “shtypje e butonit” për të nisur Planin B të amerikanëve që ishte hartuar përpara zgjedhjeve të 25 qershorit dhe që arriti të ulë në një tryezë dhe të firmosin marrëveshje Edi Rama dhe Lulzim Basha, pikërisht në çastin kur askush nuk e priste këtë.
“Plani B” që është lançuar nga zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, i ngarkuar për Ballkanin, parashikon që opozita të drejtojë institucione dhe organe kontrolli në vend, ndërkohë që reforma e ardhshme zgjedhore dhe kushtetuese, që do të nisë që në shtator, të udhëhiqet edhe të kontrollohet nga opozita.
Siç mësohet, Lulzim Basha, i cili tashmë është edhe deputet, pritet që në shtator, me propozimin zyrtar të mazhorancës, të emërohet kryetar i komisionit parlamentar për reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore.
Do të jetë lideri i opozitës që të marrë në dorë për 4 vitet e ardhshme jetësimin e “Republikës së Re” që ka anonçuar në çadër, por që tashmë do ta miratojë me votat edhe të Edi Ramës, rivalit të tij të egër.
Partia Socialiste do të tregohet luajale me idetë e opozitës, duke ia lënë pikërisht Lulzim Bashës idenë e dizenjimit dhe zbatimit të formës së re të shtetit shqiptar.
Kreu i Partisë Demokratike, i cili ka gjasa që rizgjidhet lehtësisht në garën e 22 korrikut, të ketë rastin më të mirë më në fund, që të tregojë aftësitë e tij si jurist i shkolluar në një nga universitetet më të njohura të Europës, siç është ai i Utrehtit.
Reforma Kushtetuese që do të drejtojë Lulzim Basha nuk është thjesht një arnim, por një revolucion apo tërmet siç ishte reforma në drejtësi.
Pritet që përveç ndryshimit total të sistemit zgjedhor duke e kthyer në mazhoritar në thelb, Kushtetuta të vendosë zgjedhjen e Presidentit nga populli dhe do të zbusë fuqinë politike të qeverisë, duke rritur kontrollin e Parlamentit.
Nga ana tjetër PD do të jetë krejtësisht luajale në zbatimin e vettingut dhe ngritjen e institucioneve të ardhshme të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Prokuroria Speciale dhe zgjedhja e Kryeprokurorit të Përgjithshëm, që duhet të bëhet që në mes të muajit shtator, për arsye se Adriatik Llallës i mbaron mandati.
Ky është në fakt pjesa themelore e Planit B të Hoyt Brian Yee, i cili në mënyrë të “koduar” shpalli nisjen e zbatimit të tij, gjatë intervistës për Keida Kostrecin e VOA-s, të dhënë nga zyra e tij në Departamentin e Shtetit.
Në mënyrë të prerë, edhe pse nuk u komentua nga analistët shqiptarë, intervista e Hoyt Yee ka pasur risinë më të madhe të administratës së Uashingtonit në raport me Tiranën.
Në mënyrë të qartë, Yee tha se SHBA do të bashkëpunojë me ato palë që duan të punojë me Uashingtonit.
Që do të thotë se do të përjashtohen ata aktorë politikë që kanë luftuar reformën në drejtësi dhe vettingun.
Ja fraza kyçe që lançoi zyrtari i DASH:
“Ne shpresojmë që të gjitha palët në Shqipëri të punojnë së bashku, qoftë partia në pushtet, ose opozita, për të mirën e qytetarëve, të bëjnë atë që ne mendojmë se duan qytetarët e Shqipërisë, që është përparimi për një ekonomi më të fortë, një ekonomi që të tërheqë investimet, qoftë nga brenda ashtu edhe nga kompani të huaja, qoftë nga Evropa ose Amerika. Palët duhet të punojnë fort për të krijuar mundësi për të rinjtë, si në arsim, në punësim, që të rinjtë të duan të qëndrojnë në vend, dhe jo të kenë tundimin që të ikin nga Shqipëria. Duam që palët të punojnë më shumë për të luftuar korrupsionin, të çrrënjosin korrupsionin mes zyrtarëve, të luftojnë më fort kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve, të gjitha këto ne mendojmë se janë çështjet më shqetësuese për qytetarët e Shqipërisë. Ne synojmë të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë, me të gjitha palët që duan të punojnë me ne, që të ndihmojmë me disa nga objektivat që sapo përmenda. Ne duam të shohim përparim të mëtejshëm në të gjitha fushat në të cilat ne kemi punuar me qeverinë e mëparshme, përfshirë reformën në drejtësi, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve”.
Përveç kontrollit të reformës zgjedhore dhe asaj kushtetuese, opozita pritet të marrë në dorë edhe të gjithë komisionet kyçe në Kuvend, që nga ligjet e deri tek Siguria Kombëtare. Në Parlament do të ngrihet një e ashtuëquajtur Task Forcë, si ajo që ngritën ministrat teknikë në qeveri, e cila do të kontrollojë në mënyrë rigoroze emërimet, shkarkimet, por edhe veprimtarinë e administratës shtetërore.
Ndërkaq, burime diplomatike bëjnë të ditur se Partia Socialiste është e gatshme që t’i japë Partisë Demokratike edhe drejtimin e Kuvendit të Shqipërisë, nëse opozita do ta pranojë.
Madje mësohet se do të jetë Gramoz Ruçi, i cili pas emërimit nga Edi Rama si kandidaturë për kryetar Kuvendi, do të shpallë propozimin e tij që këtë post ta marrë ose opozita ose një deputet i ekuilibruar, emëruar jo vetëm votat e PS-së por të sa më shumë deputetëve në sallë.
Në një farë mënyrë, në shtator pritet një revolucion total në politikën shqiptare.
Përveç dy mesazheve për nisjen e Planit B dhe zbatimin e reformës në drejtësi, mesazhi i tretë i koduar i Hoyt Ye i drejtohej Ilir Metës, Presidentit të Republikës që pati një përplasje fatale me Edi Ramën gjatë fushatës zgjedhore.
“Ne presim që të ketë diskutime dhe debate të forta mes udhëheqësve të Shqipërisë, por në fund të fundit ajo që inkurajojmë ne, ajo që ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë të bëjnë, është gjetja e zgjidhjeve, përgjigjeve, gjetja e kompromiseve që të ulin korrupsionin dhe të rrisin interesin për Shqipërinë si destinacion për investime, që do të ulnin rrezikun e ekstremizmit dhe të godasin trafikimin e paligjshëm të narkotikëve dhe krimin e organizuar”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan për VOA, duke bërë të ditur se këtë herë ata nuk do ta tolerojnë asnjë pengesë apo ndalesë së reformës për drejtësi.
Dhe pikërisht për këtë SHBA arriti paktin Rama-Basha.
Më shumë se një pakt zgjedhor, ai ishte një marrëveshje për pas-votimeve, për ‘t’i dhënë jetë “Republikës së Re”, e cila është natyrisht një miks qëndrimesh dhe një shtet i përbashkët si i PD-së si i PS-së.
Nëse ndodh, do të jetë hera e parë në historinë e shtetit shqiptar që shteti krijohet së bashku nga mazhoranca dhe opozita.
Përgjithësisht, këtu njëra palë ka bojkotuar shtetbërjen e palës tjetër, duke e prishur kur vjen në pushtet.
Lulzim Basha, duket se ka ditur gjithçka që nga shkurti kur fliste me siguri se “nuk do të ketë më kastë të vjetër politike, por një Republikë e Re që rrëzon totalisht strukturë 25-vjeçare që vonoi tranzicionin shqiptar”.
Kishtë rënë dakort me amerikanët, por që e publikoi vetëm më 18 maj, pas takimit me Edi Ramën… /tesheshi.com/