Skuadra italiane ka zyrtarizuar rikthimin në gjirin e saj të Kevin Prince Boateng-ut. Ganezi ndodhej ditë më parë në Milanello, ndërsa klubi e ka zyrtarizuar transferimin pasditen e së hënës.
Boateng-u ka qenë dhe në të shkuarën pjesë e Milan-it, duke regjistruar 100 paraqitje me kuqezinjtë dhe duke shënuar 17 gola, për të fituar “Scudetton” në vitin 2010. Tre vite më pas, në 2013-ën, ai do të kalonte te Schalke, në kampionatin gjerman, për 10 milionë euro, e tani rikthehet sërish në shtëpinë e vjetër.
Merkatoja e janarit për shtatë herë kampionët e Europës nuk përfundon këtu. Drejtuesit e klubit “rossonero” janë duke menduar për mesfushorin francez të Portos, Giannelli Imbula. Klubi portugez ka thënë fjalën e fundit, duke kërkuar 25 milionë euro.
Një tjetër lojtar që ka përfunduar në radarët e skuadrës italiane është futbollisti i Manchester United-it, Marouane Fellaini. Anglezët kërkojnë 20 milionë euro për shërbimet e belgut, mirëpo Galliani, administratori i Milan-it, e dëshiron atë si huazim.
E sigurt është se merkatoja e janarit pritet të jetë shumë e nxehtë për drejtuesit e Milan-it, pasi skuadra ka nevojë për prurje të reja për arritjen e objektivave. /tesheshi.com/