Tragjedia shqiptare e New York-ut, ajo e ndodhur në lagjen Bronx ku një çift bashkëshortësh me dy fëmijë të mitur ranë nga kati i 6-të i apartamentit ku jetonin, nuk ka qenë e gjitha një vetëvrasje, siç u aludua fillimisht. Por pa dyshim që Florind Belliu, aktor, është vetëhedhur, pasi më parë ka hedhur në grindje e sipër bashkëshorten e tij Ornela Belliu. Ka qenë kjo një skenë e ndodhur dhe në sy të të vegjëlve të tyre.
Të dhënat që vijnë nga ngjarja flasin për një gjendje të rënduar psikologjike të Florindit kohët e fundit, pas humbjes njëri-pas tjetrit të dy njerëzve të tij të dashur, gjyshes dhe babait, sidomos këtij të fundit, që siç thotë një miku i tij, e ka përjetuar live duke komunikuar me të në internet.
Andi Llubati, aktor, koleg dhe mik i Belliut, thotë se 35-vjeçari po kalonte një periudhë tepër të vështirë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Llubati tha se “çdo gjë lidhet me humbjen e të atit të Florit para një viti e gjysmë, ajo i vuri kapakun”.
“Në momentin që Flori ka qenë duke folur me të atin e tij në kamër, i ati ndërron jetë. Të gjithë situatën e ka parë live. Kjo ka qenë skena që Flori shikon live nga kamera dhe më e keqja ishte që Flori nuk mund të vinte në varrim, për shkak se nuk kishte dokumentet”, theksoi Llabati.
Sipas tij, familjarët i kishin thënë se vdekja e të atit kishte lënë gjurmë te ai dhe theksoi se gjatë këtij viti kishte probleme të rënda të shëndetit mendor dhe filloi mjekimin. /tesheshi.com/