Një aksident i ndodhur në orët e para të mëngjesit në afërsi të Gjakovës, i ka marrë jetën Gazmend Sinanit, një prej yjeve të basketbollit kosovar .
“Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme”, thuhet në një deklaratë të kësaj federate.
“Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit”, vijon më tej deklarata.
Gazmend Sinani, 27 vjeç, pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja. Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Ka luajtur gjithashtu dhe në ligën angleze.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA. /tesheshi.com/