Londinezët e Totenhemit nuk kanë shfaqur asnjë mëdyshje në transfertën ndaj Stouk Sitit, duke fituar thellë.
Ndeshja e fundit e javës së 34-t të kampionatit anglez është zotëruar e tëra nga udhëtuesit e Totenhemit, që kanë bindur prej fillimit e deri në fund të 90 minutave. Dy prej golave janë shënuar nga Harry Kane e dy nga Dele Alli.
Një fitore që e vë në presion Lestërin e vendit të parë, që u ndal me një barazim në fundjavë ndaj Uest Hemit, e veç kësaj, përballet dhe me mundësinë e një dënimi të Vardy-t për sjellje jokorrekte.
73 pikë ka Lestëri i vendit të parë, e 68 ka Totenhemi i vendit të dytë, duke i bërë tepër emocionuese katër javët e mbetura të Premier Ligës.
Në këto katër javë, Lestëri do të luajë ndaj Suonsit (brenda), Mançester Junajtedit (jashtë), Evertonit (brenda) dhe Çelsit (jashtë).
Kurse Totenhemin e presin këto katër ballafaqime: me Uest Bromuiçin (brenda), me Çelsin (jashtë), me Sauthemptonin (brenda), e me Njukasëllin (jashtë). /tesheshi.com/