Sot, në dekadën e katërt të postkomunizmit, sytë shohin gjithnjë e më pak nga gjelbërim e të mbjellat. Si të ishte një përrallë nga e kaluara, toka që jepte jetë po përkulet nën peshën e braktisjes dhe harresës.
Nga mbi 57 mijë hektarë të mbjella me grurë në 2023-shin, vitin e shkuar sipërfaqja me drithë u reduktua në më pak se 46 mijë hektarë. 11 mijë hektarë më pak në 1 vit.
“Ky është pasojë e shumë faktorëve: braktisja e tokës nga fermerët, mungesa e investimeve, dhe sfidat e rëndësishme ekonomike që përballen ata që duan të punojnë tokën”, shprehet pedagogu Zef Gjeta.
Gruri është vetëm maja e ajsbergut të rrënimit të bujqësisë shqiptare. Nga mbi 678 mijë hektarë tokë bujqësore në 2021-shin, sasia e mbjellë vjet ra në 677 mijë hektarë. Ajo që dikur ishte toka e bekimit, sot po kthehet në një shkretëtirë, një paralajmërim i zymtë për të ardhmen e ushqimit dhe jetës rurale në Shqipëri.
“Nëse ky trend vazhdon, do tëpërballemi me pasoja shumë serioze ekonomike dhe sociale, pasi toka nuk është vetëm një burim prodhimi, por edhe baza e jetës për komunitetet rurale”, shton Gjeta.
Shqipëria e pas viteve ’90 mori përsipër një tranzicion të vështirë nga ekonomia kolektiviste drejt një sistemi tregu të lirë, por rrugëtimi nuk ka qenë i lehtë për tokën dhe bujqësinë.
“Trashëgimia komuniste la pasoja të thella në mënyrën se si përdoret toka. Po përballemi me një periudhë ku toka shpesh mbetet e braktisur, dhe pa politika të qarta për mbështetje të fermerëve dhe modernizim të bujqësisë, do të vazhdojmë të humbasim një nga pasuritë më të mëdha natyrore”, thotë Theodhor Kristuli, kryetar i Unionit Agroushqimor.
Në rrugën drejt kësaj “rilindjeje” bujqësore, çdo hektar i shfrytëzuar, çdo fermer i ri i mbështetur, dhe çdo politikë e realizuar me përgjegjësi janë hapa kyç për të kthyer tokën shqiptare në një.
“Në këtë kontekst, tokat e braktisuradhe zbehja e prodhimit nuk janë vetëm shifra statistikore — janë paralajmërim për një krizë të thellë në sigurinë ushqimore dhe mirëqenien e mijëra familjeve rurale. Për të ndaluar këtë rrëzim, nevojiten politika të qarta, investime të qëndrueshme dhe një vullnet i fortë për të rikthyer gjelbërimin dhe jetën në fushat shqiptare”, shton Kristuli.
E vetmja kulturë bujqësore që njohu zgjerimin vitin e shkuar ishin perimet. Sipërfaqja e mbjellë kryesisht me domate e speca u rrit në gati 45 mijë hektarë nga pak më shumë se 43 mijë në 2023-shin. /A2/