Ambasada Britanike në Prishtinë, ka njoftuar se togeri i FSK-së, Adison Gara, është përzgjedhur studenti më i mirë në mesin e tridhjetë studentëve nga shtete të ndryshme, në përfundimin e trajnimit për instruktor të operacioneve shumëkombëshe në mbështetje të paqes.
Ky trajnim i mbështetur nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar synon të zhvillojë njohuritë e studentëve për aftësitë e operacioneve paqeruajtëse në mënyrë që të planifikojnë, udhëheqin dhe mbikëqyrin operacionet në mbështetje të paqes brenda njësive të tyre.
“E përgëzojmë Togerin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Adison Gara, i cili është përzgjedhur studenti më i mirë në përfundimin e kursit për ‘Instruktor të Operacioneve Shumëkombëshe në Mbështetje të Paqes’, udhëhequr nga ekipi këshillues ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar në Vyshkov të Republikës së Çekisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Vitin e kaluar Toger Gara përfundoi me sukses studimet e tij në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Mbretërinë e Bashkuar./tesheshi.com/