Nga Bardha Nergjoni
Ai është gazetar i njohur i sportit, ka shkruar dhe botuar shumë libra, ka marrë disa tituj mirënjohjeje dhe vlerësime për kontributin e tij por mbi të gjitha është një “tirons”me të gjithë kuptimin e fjalës. Ka lindur në Tiranë në një familje autoktone me tradita atdhetare e vendosur në këtë qytet qysh nga themelimi. Ka ndërtuar jetën e karrierën e tij të lidhur ekskluzivisht me Tiranën. Ai më së shumti njihet si gazetar i skuadrës bardheblu por nëse pyet tiranasit, emrin e tij e lidhin me shkrimet për traditën e kryeqytetit, nostalgjitë, shtëpitë e vjetra, rrugët e njohura që kanë mbetur në kujtesë e shumë të tjera që kush më bukur se Bedri Alimehmeti mund t’i tregojë. Nuk e ndjek dhe madje e urren “Ramadan Kafshën” në Portokalli pasi sipas tij një korçar nuk mund të imitojë dot një “tirons”. Si një dëshmitar i viteve të shkëlqimit të Tiranës, i rrugës “Broduej”, Bedri Alimehmeti ka çtë thotë për Tiranën e tij të nostalgjisë. Në një intervistë për tesheshi.com ai sjell Tiranën e dikurshme dhe atë të sotmen parë nga këndvështrimi i një autoktoni.
Alimehmeti, sa e vështirë është të jesh “tirons” në një qytet kur ka aq shumë banorë nga të gjitha zonat e Shqipërisë?
Më së shumti më pëlqen të më thonë vetëm kaq “tirons” e asgjë më tepër, edhe pse nëpër të gjithë ambientet e qytetit tim të dashur njihem si gazetar i skuadrës bardheblu dhe si shkrimtar i tironsave”. Pra me pak fjalë, ndihem i lumtur dhe shumë krenar që jam bir i kësaj treve të begatë, me vlera të pakrahasueshme njerëzore, atdhetare, kulturore e artistike. Nisur nga këto që thashë në mënyrë absolute nuk e kam aspak të vështirë të ndihem “tirons”. Unë jam në vendin tim, në pronat e mia në qendër ose më saktë në “zemër” të kryeqytetit trashëguar brez mbas brezi, një pjesë të konsiderueshme të të cilave jemi në pritje për të na u kthyer. Ndërkohë dua të theksoj faktin se kudo që shkoj e hyj e dal ndihem i nderuar e i respektuar në mënyrë te veçantë nga bashkëqytetarët e mi, të cilët i dua shumë, por edhe nga shokë e miq nga krahina të ndryshme të trojeve shqiptare, që jetojnë e punojnë në Tiranë.
Ju keni kaluar rininë në Tiranën e “Broduej”. Si ju erdhi ideja të shkruani një libër? Si ka qenë në një përshkrim tuajin rruga më e famshme e Tiranës në vitet ‘80-të?
Së pari dua të them, që rruga e Dibrës pra “Broduej” ndodhet në hapësirën e lagjes time “Ali Efendi” kështu qe emërtuar në gjenezën e saj, mbas vitit 1944 mori emrin “Vojo Kushi”, më pas Lagja nr.4 kurse tashmë së fundi njihet si qendra administrative nr.9. Në këtë lagje ku përjetësisht janë përqendruar të parët e familjes time brez mbas brezi, jam lindur e rritur. Edhe shkollimin po në këtë lagje e kam kryer: atë 7-vjeçar në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, që ndodhet edhe sot pranë teqes së Dervishe Hatixhes shenjtores së qytetit, kurse të mesmen pak më tej në gjimnazin “Sami Frashëri”, ku pati fatin të jem ndër maturantët e parë në vitin shkollor 1962-1963.
Dhe jo më kot i përmenda këto fakte, madje e bëra enkas për t’iu treguar se pikërisht në vitin 1993, kur do mblidheshim në shkollë për të festuar 30 vjetorin e maturës, teksa përgatisja ngarkuar nga grupi organizator fjalën e rastin, pikërisht në atë fjalim të shkurtër ndër të tjera kam përmendur për herë të parë “Broduejn”. Pak ditë më pas u ula edhe shkrova më gjatë, shkrimin po atë pasdite e dërgova në një periodik të asaj kohe, dhe çuditërisht të nesërmen e pashë të botuar pa i hequr asnjë presje. Shokë e miq më uruan dhe kontaktet me ta më dhanë shtysën e duhur për të rrëmuar, e për t’u thelluar edhe më shumë në ato vite të jashtëzakonshëm, që ne patëm fatin të përjetojmë, për të cilët në Europë thuhet ende: “Vitet ‘60-të, ata që nuk i mban mend nuk duhet t’i kenë jetuar”. Dhe kështu kapitull pas kapitulli, të cilët i botoja herë pas here u kompletua ky libër, që tashmë pas më shumë se dy dekadash ka marrë formën e tij të plotë, padyshim voluminoze dhe pritet të dalë nga fundi i këtij viti. Ndërkohë pak kohë më parë “Broduejt të Tiranës” i parapriu një vëllim me poezi “Kjo këngë për ju” (Duke dëgjuar çelentanon), i cili doli në dritë falë këmbënguljes së shokëve e miqve të mi. Them kështu, sepse personalisht nuk kisha ndër mend t’i publikoja. Të kuptohemi drejtë ishin poezi, që i kisha shkuar nga mosha 13 deri në vjeç.
Pra nuk bëhej fjalë për arritje në drejtim të nivelit artistik. Por, shokët ngulmuan duke i konsideruar ato si një ditar poetik të viteve të shkollës. Poezitë nuk i preka fare, i lashë ashtu siç i kisha shkruar kam bërë vetëm ndreqje gabimesh apo kam sjellë në kohë ndonjë fjalë a shprehje. Vetëm kaq. Libri doli në dritë. Madje u prit ngrohtë dhe mua tashmë më vjen mirë. Veç kësaj disa shokë, njohës të gjuhës esperanto para pak kohësh e përkthyen në këtë gjuhë.
Vërtet Xhon Rid, autori i tregimit “Një natë në Broduej” ishte shkrimtar i njohur komunist amerikan, madje e dinim që ai ishte edhe autor i librit “Dhjetë ditë që tronditën Botën” shkruar enkas për revolucionin ruso-bolshevik të tetorit 1917 por në ato faqe ne arritëm të krijonim një imazh për Broduej e New Yorkut.
Suksesin e atij libri e tregon fakti i shitjes në kohë rekord. Çka flet për etjen e madhe që kishim ne të rinjtë e asaj kohe, për të mësuar diçka më shumë për atdheun e Elvis Preslit, Frenk Sinatrës, Merilin Monros, Marlon Brandos, Bill Hallejt, Otis Redit, Çobi Çikerit etj, për të cilët ne arrinim të mësonim paksa vetëm nëpërmjet radios. Në bisedat tona ky libër qe i pranishëm çdo natë, derisa një mbrëmje tek po shëtisnim nëpër trotuaret e rrugës tonë të dashur, dikush nga ne tha: “Na mbytën këto emrat rusë, ngado që të ecësh, e ngado që të kthesh kokën vetëm ato ndesh; pastiçeri “Moska”, bar “Krimea”, hotel restorant “Odesa”, pastiçeri “Vollga-Don”, hotel restorant “Vollga”, foto “Moska” etj. Do të ishte vërtet bukur sikur rruga jonë, që vërtet nuk është rrugë teatrosh, por ama me këtë ngushtësinë e saj karakteristike, dendurinë e dyqaneve, me kalimtarët e shumtë, me pijetoret aq tërheqëse, ta kishte emrin “Broduej”.
Kaq tha ai dhe më vonë pasi dëgjuam Çobi Çikerin te Llaksi (siç i thonim ne stacionit radiofonik Radio Luxemburg, London ë1) me një radio-dore aty tek kioska e gazetave ngjitur me dyqanin e mishit të Lik Demnerit, kur u ndamë se kush tha: “Nesër po prap këtu te Broduej”.
Dhe sot e kësaj dite askush nuk e mban mend se cili qe ai, por kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm qe fakti, që kjo ishte një lloj sfide, që i bënim diktaturës komuniste, në kushtet e një terrori të egër. Ndaj edhe kënaqësia jonë qe e tejskajshme. Dhe këtë e bënim ne këtu e mbi pesë dekada më parë. Ne brezi i viteve gjashtëdhjetë, i dhjetëvjeçarit më të bukur të shekullit të kaluar, që ka mbetur i paharruar dhe nostalgjik në kujtesën e të gjithë atyre që e përjetuan.
Po emërtimet e rrugëve të tjera si erdhën?
Sheshi “Skënderbej” ishte “piketa” e parë, nga ku rruga e “Dibrës” niste zgjatimin e saj drejt malit të Dajtit. Dhe pikërisht tek kjo piketë zuri fill edhe emërtimi i ri “Broduej”, që i kishim dhënë ne, kreut të saj, teksa emërtimi “Rruga e Dibrës” sigurisht vinte nga thellësitë e shekujve, në kohën e udhëtimeve me karvane. Madje, nga ky shesh, që ne po e quajmë piketë nisnin edhe përzgjatimet e rrugëve të “Durrësit”, “Kavajës”, “Elbasanit”, “Shkodrës”, “Shëngjergjit” etj, të cilave menjëherë pas vitit 1944 komunistët e sapoardhur në pushtet shpejtuan t’u jepnin emërtime të reja. Rruga e “Durrësit” u quajt “Kongresi i Përmetit”. Se ç’lidhje kishte ajo me atë kongres një Zot e di, aq më tepër kur nuk të çonte drejt Permetit(!). Rruga e “Kavajës” mori emrin “Konferenca e Pezës”. “Labinoti” u pagëzua rruga e “Elbasanit”. E çuditshme, rruga më e rëndësishme e kryeqytetit mbante emrin e një fshati të humbur, ku na qe formuar shtabi i përgjithshëm i ushtrisë shqiptare (10 korrik 1943). Ironike. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare ishte formuar tridhjetë vite më parë, më 4 dhjetor 1912, vetëm një javë pas shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë nga Ismail Bej Vlora dhe atdhetarë nga të gjitha krahinat e vendit. Rruga e “Shkodrës” u emërtua “Mine Peza” dhe e ajo e “Shëngjergjit” mori emrin e “Heroit të popullit” Ali Demi.
Ndërkohë duhet thënë se, edhe në kohën e mbretërimit të Zogut I, në emërtimet e tyre rrugët e Tiranës kishin pësuar të njejtin fat. Kështu rruga e “Kavajës” mbante në atë kohë emrin “Bulevardi Benitto Musolini”. Rrugës së “Durrësit”, mbreti i pati dhënë emrin “Nana Mbretneshë” në kujtim të së jëmës Sadijes, dalë nga dera e Toptanasve. Rruga e “Barikadave” ndërtuar nga vetë ai u quajt rruga “Elena Mbretëreshë”, njohur nga tiransit me emrin rruga “Mbretnore”, rruga “Qemal Stafa” kishte emrin e kryeministrit të atëhershëm “Koço Kotta” etj. Duhet thënë gjithashtu se, e vetmja rrugë që nuk ka pësuar tjetërsime në emërtimin e saj, nga dita e përurimit e deri më sot është rruga “28 Nandori”, e cila nis nga kulla e sahatit e deri tek varri i Kapllan Pashës. E para rrugë e asfaltuar në kryeqytet ndërtuar sipas standarteve europiane.
Pas vitit 1944 edhe rruga e “Dibrës” mori emërtim të ri, u quajt “Bajram Curri”. Po gjatë periudhës së mbretit Zog, ç’emërtim kishte pasur ajo? Nëpërmjet monografisë së orientalistit të shquar profesor Osman Myderrizit, titulluar “Tirana 1604-1937” botuar prej bashkisë me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, e cila na ra në dorë pasi e kishim emërtuar rrugën tonë, mësuam se fill pas zgjerimit dhe rregullimit të trotuarit në një gjatësi 2200 m dhe gjërësi 15 m, nga viti 1925 deri më 1944, mbreti Zog e kishte pas emërtuar me emrin e të atit, “Xhemal Pashë Zogolli”.
Vërtet, përkimi kishte qëlluar i rastësishëm, po ndërkohë ai ishte edhe tejet domethënës. Nuk kishte gjë më të bukur, teksa emri “Broduej” i rrugës tonë të dashur tashmë përpos pështjellës së misterit njujorkez do të kishte edhe diçka mbretërore. E madje, sepse qe i tillë, nëpër trotuaret e kësaj rruge lëvizën heronjtë e romaneve të Kadaresë, Dritëroi i thuri vargje nëpër poezitë e tij. Dhe të mos harrojmë që të dy preferuan të banojnë pikërisht në të vetmen godinë të ngritur në të për banim. Në festivalin XI të këngës Sherif Merdani, me muzikën e Alfons Balliçit, kitarist i famshëm e virtuoz, që luante në orkestrën e “Vollgës”, të cilin enkas për ta dëgjuar shpesh herë ne braktisnim “Broduejn”, këndoi këngën “Rruga e Dibrës” (nuk guxonte kush në atë kohë ta quante “Broduej i Tiranës”). Më vonë në vitet 90-të, në një nga festivalet e këngës këngëtari Adhurim Demiraj interpretoj këngën “Broduej”, të cilën për fat të keq nuk e kemi dëgjuar më.
Çfarë mund të gjejmë në kryeqytet nga nostalgjia e vjetër?
Shumë pak gjëra. Fare pak gjëra kanë mbetur nga Tirana e vjetër. Në rrugën tonë të famshme, pra në “Broduej” kanë mbetur fare pak ndërtesa. Konkretisht hotel “Miniri” sot, që më parë quhej “Vjosa”, përballë tij paksa djathtas janë disa ndërtesa të familjeve tiranase arumune Buneci e Hobdari. Dhe asgjë tjetër. Pallati “Kadaresë” tashmë pas punimeve për unazën e vogël ka mbetur i vetëm, sepse ndërtesa e familjes Petrela, ku për shumë kohë ishte selia i INSING, po për të njëjtën arsye pra të unazës në fjalë u rrafshua. Me pak fjalë qytetit tim dalë nga dalë po i shuhet kujtesa. Thënë më qartë mua më mungon Tirana ime. Pazari i vjetër, një perlë e vërtetë, u rrafshua për hir të miqësisë me vendin e bolshevikëve rusë, po të ishte do të qe një nga zonat më atraktive të Tiranës. Më ka pikuar zemra kur një miniaturë të tij, e kam gjetur para disa vitesh, në Nikosia të Qipros. Si sytë e ballit e ruanin qipriotët, Makina kategorikisht ishin të ndaluara të shkelnin në kalldrëmet e tij, ku turistë nga e gjithë bota mahniteshin me bukuritë që ofronte. Ndaj siç thash më pikoj zemra kur i pashë. Imagjino të ekzistonte pazari i vjetër i Tiranës në këto kohë, ç’denduri turistësh do të kishte në kryeqytet.
Përfundimisht nga Tirana e hershme pak gjëra kanë mbetur. Kështu veçmas Xhamisë së Et’hem Beut, kullës së sahatit, kalasë etj, ka mbetur e paprekur një pjesë e mirë e qendrës administrative nr.8, pak fare nga nr.9 e nr.10. Konkretisht bëhet fjalë për disa vila, mes të cilave edhe ajo e familjes time. Por, gjithsesi Tiranës mund t’i vizitosh kalatë, të cilat ajo ndryshe nga treva të tjera të vendit tonë i ka të shumta, madje si rrallë kush ekzistojnë dhjetë të tilla. Dhe konkretisht, në qendër tek pedonalja “Murat Toptani” ndodhet kalaja e Tiranës dhe me radhë ajo e Petrelës, e Prezës, e Dajtit, e Ndroqit, e Presqopit më e lashta etj. Këto janë disa nga vendet që ju ofron qyteti im për të vizituar. Gjithsesi në disa nga veprat e mia si “Tregimet e Tironës”, “Mëhalla e vjetër”, “Tirana e përgjakur” etj, jam munduar t’ua sjell sadopak bashkëqytetarëve atë që u mungon.
Ju jeni dhe një gazetar i pasionuar pas sportit. Si ju duket Tirona dhe Partizani? Kur ishte periudha më e artë e futbollit kryeqytetas?
Në historinë e saj skuadra bardheblu, duke lënë atë të viteve 30-të kur pati fituar gjashtë tituj kampion, por ngaqë nuk e kam përjetuar atë periudhë është normale të mos flas, dua të veçoj dy epoka atë të viteve 60-të nën drejtimin e trajnerit Myslym Alla, ku fitoi katër tituj kampion me futbollista të tillë legjendarë si Halili, Frashëri, Kasmi, Ali e Osman Mema, Bukoviku, Bytyçi, Ishka, Hyka, Xhaçka etj. dhe befasoi në Champions League ekipe me emër si Standard i Liezhit (Begjikë), Kilmarnok (Skoci) dhe Ajaksin e Amsterdamit. Epoka tjetër është ajo e viteve 80-të nën drejtimin e trajnerëve Enver Shehu e Shyqyri Rreli, ku fitoi sërish katër tituj kampion me emra të mëdhenj si Minga, Kola, Muça, Josa, Alimehmeti, Lekbello, Mema etj, duke eliminuar nga kupat e Europës ekipe me emër si Linfilld i Irlandës së Veriut dhe Dinamo e Bukureshtit. Ndërkohë Tirana e Partizani të kohëve të fundit, për mendimin janë ende larg atyre që përmenda më lart, të cilëve nga skuadra e kuqe do t’u shtoja emrat e mëdhenj të Panajot Panos, Shllakut, Mustës, Shehut, Berishës, Ocellit etj
Jeni nderuar me urdhrin “Naim Frashëri” për kontributin tuaj me shkrime për Tiranën. Si e pritët këtë vlerësim?
Më 29 prill të këtij viti Presidenti i Republikës gjatë një takimi solemn që organizoj në Pallatin e Brigadave me personalitete të komunitetit tirans më ka nderuar me urdhërin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Të them të drejtën e kam përjetuar me një emocion të jashtëzakonshëm, sepse tej modestisë nuk e prisja. Thjesht kur më bën më dije nuk pyeta, duke menduar se bëhet fjalë për ndonjë medalje “Mirënjohje” apo diçka tjetër dhe kaq. Duke u kthyer tek ai çast dua të theksoj se, përjetimi qe i përmasave të papërshkrueshme. Më saktë ishte një nga momentet më të bukura të jetës time. Padyshim kurorëzimi i atyre netëve pa gjumë deri në orët e mëngjesit, përkulur mbi makinën e shkrimit e më pas mbi laptop. duke shkruar pa pushim, për Tiranën qytetin tim të dashur dhe bashkëqytetarët e mi atdhetarë, artistë, sportistë, arsimtarë, humanistë, të përndjekur, të burgosur nga regjimi diktatorial deri dje mbuluar nga pluhuri i harresës.
Për të njohur një “tirons” të vjetër jemi mësuar të shohim personazhin e Ramadan Kafshës në Portokalli. Si ndjehet një tiranas kur sheh një interpretim të tillë?
E urrej atë personazh të stisur, ekzistenca e të cilit me sa duket është vetëm në trurin e atij aktori, që nëpërmjet atij zhargoni banal siguron mbijetesën e tij në skenë. Kur më qëlloi ta shoh për herë të parë, sepse nuk kam denjuar ta shoh më, pyeta për aktorin më thanë që është me origjinë korçare. Nëse mundeni, u thashë atyre që e njihnin, thojini për mua, që shumë vite më parë, ndërsa salla e teatrit popullor (sot kombëtar) shkulej së qeshuri nga batutat e Nikollaq Jorganixhiut, gruas së tij Olimbi dhe vajzës Afroviti në komedinë “Karnavalet e Korçës”, ai nuk reagonte fare, ngaqë i vinte keq që nëpërkëmbej aq shumë Korça e arsimit, e dijes dhe e kulturës.
Ka figura të Tiranës që nuk janë vlerësuar ende?
Sigurisht që ka ende. Tirana për mua është një “minierë e pafund margaritarësh” në brendësi të së cilës sa më thellë të futesh, e të rrëmosh aq më shumë margaritarë me vlera të pallogaritshme do të gjesh. Po për t’i zbuluar ato duhet punë dhe për t’i vlerësuar domozdoshmërisht duhet vëmendje e përkushtim. Deri tani në drejtim të vlerësimit të figurave e personaliteteve të Tiranës, është bërë jo pak, por mbetet ende edhe shumë e shumë për t’u bërë.
Keni një shkrim në mendje për Tiranën?
Për Tiranën unë kam në mëndje jo një shkrim, por disa libra. Veçmas “Broduejt të Tiranës” kam përfunduar në dorën e parë (pra të kuptohemi duhen rishikuar me kujdes) librat: “Tirana e artë e viteve 60-të”, “Sportistët e rrugicave të Tiranës” dhe një vëllim me poezi. Ndërkohë vijoj të shkruaj “Tregimet e Tironës”(2), esenë “Unë jam tirons” dhe prej kohësh romanin “Na ishte një herë Tirona”, për të cilin më vjen keq që ende nuk po e përfundoj, ngaqë nuk ndihem i kënaqur nga ç’kam shkruar. /tesheshi.com/