Tirana zyrtare i ka dhënë një tjetër goditje regjimit iranian, pasi vendosi të shpallë person “non grata” një shtetas nga Irani, edhe me pasaportë italiane, pasi ka rezultuar si kërcënim për muxhahidinët e Manzës, opozita iraniane.
Fjala është për Danial Kassrae, 29 vjeç, me kombësi iraniane dhe me shtetësi italiane, i cili dyshohet se është agjent me veprimtari spiunazhi i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane.
Sipas raportit të agjentëve të anti-terrorit, ky shtetas është klasifikuar si një person i rrezikshëm dhe që cënon sigurinë publike.
29-vjeçari është shfaqur shpesh herë në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Për llogari të shtetit të Iranit, Kassrae ka tentuar të rekrutojë ish-anëtarë të MEK apo anëtarë aktual të kësaj organizate.
Personit në fjalë do ti ndalohet hyrja në Shqipëri për 15 vitet e ardhshme.
Kujtojmë që më parë, shteti shqiptar ka shpallur “non grata” dhe zyrtarë të lartë të ambasadës iraniane. /tesheshi.com/